Singapor/Tokio, 30 tetor 2026 – Hakerët kanë vjedhur rreth 6.3 miliardë dollarë në kriptomonedha nga Binance, platforma më e madhe në botë për shkëmbimin e tyre. Ky konsiderohet një nga sulmet më të mëdha kibernetike në historinë e kriptomonedhave, ndërsa analistët dyshojnë se pas tij qëndron Koreja e Veriut.
Lajmi për sulmin shkaktoi rënie të çmimeve të kriptomonedhave, ndërsa Binance pezulloi përkohësisht tërheqjen e fondeve dhe deklaroi se do të mbulojë të gjitha humbjet e përdoruesve.
Pjesa më e madhe e tyre është bllokuar nga kompanitë që emetojnë monedha të qëndrueshme (stablecoin), përfshirë Tether, Circle dhe World Liberty Financial, kompani e mbështetur nga familja Trump.
“Ky ishte një sulm kompleks dhe po bëjmë gjithçka që mundemi, në bashkëpunim me autoritetet ligjzbatuese, për ta zgjidhur këtë çështje”, deklaroi Binance në një reagim në platformën X.
Bashkëdrejtori ekzekutiv i kompanisë, Teng, siguroi përdoruesit se fondet e tyre janë të sigurta dhe se humbjet do të mbulohen nga kompania dhe fondet e saj rezervë.
Si u realizua sulmi?
Sipas hetimeve paraprake, sulmi mund të ketë nisur nga një kompjuter i një prej inxhinierëve të Binance, i cili ishte hakuar. Përmes tij, autorët dyshohet se arritën të hynin në një prej sistemeve të kompanisë dhe të kryenin tërheqje të paautorizuara.
Binance deklaroi se ekipi i sigurisë po gjurmon të gjithë rrugën e sulmit për të përcaktuar se si hakerët arritën të depërtonin në sistem. Më vonë, kompania bëri të ditur se kishte zbuluar edhe pika të tjera të komprometuara.
Sipas kompanive amerikane të analizës së të dhënave në blockchain, TRM Labs dhe Chainalysis, pjesa më e madhe e vjedhjes u krye brenda rreth 20 minutash, në orët e vona të së enjtes.
Të dyja kompanitë shprehen me bindje të lartë se pas sulmit qëndron Koreja e Veriut. Sipas TRM Labs, autorët përdorën një metodë të ngjashme me atë të sulmit të vitit 2025 ndaj platformës së kriptomonedhave Bybit, për të cilin FBI-ja amerikane fajësoi Korenë e Veriut.
“Sulmi i atribuohet njësisë elitare të hakerëve të Koresë së Veriut”, thuhet në analizën e TRM Labs.
Autoritetet amerikane dhe ato koreano-jugore kanë deklaruar prej vitesh se Koreja e Veriut përdor grupe kibernetike të lidhura me shtetin për spiunazh dhe vjedhje financiare. Pheniani i ka mohuar vazhdimisht këto akuza.
Rënia e kriptomonedhave pas lajmit
Sulmi pati ndikim të menjëhershëm në tregjet e kriptomonedhave, ku çmimet pësuan rënie.
Bitcoin zbriti në nivelin më të ulët të gjashtë javëve, duke arritur në 76 368 dollarë, ndërsa Ethereum humbi më shumë se 3%, duke rënë në 2,178 dollarë, niveli më i ulët në dy muaj.
Edhe BNB, monedha digjitale e lidhur me platformën Binance, ra me 5% brenda 24 orëve, duke u tregtuar me 709.70 dollarë.
Pasojat u ndjenë edhe në tregun e aksioneve. Aksionet e platformës amerikane Coinbase, e cila deklaroi se nuk ishte prekur nga sulmi, ranë me 4.8%. Ndërsa aksionet e kompanisë Strategy, e njohur për investimet e saj në Bitcoin, humbën pothuajse 6% në tregtimin pas mbylljes së bursës.
Analistët paralajmërojnë se sulmi mund të dëmtojë më tej besimin e investitorëve te platformat e centralizuara të shkëmbimit të kriptomonedhave dhe te siguria e aseteve dixhitale.
Mbi 3 miliardë dollarë të bllokuara
Pas sulmit, disa prej kompanive më të mëdha të sektorit ndërhynë për të bllokuar fondet e vjedhura.
Tether njoftoi se kishte ngrirë afro 1.57 miliardë dollarë në asete të lidhura me incidentin, ndërsa Circle bllokoi më shumë se 800 milionë dollarë.
Edhe World Liberty Financial, në bashkëpunim me kompaninë e ruajtjes së aseteve dixhitale BitGo, ndihmoi në ngrirjen e fondeve. Bashkëthemeluesja e Binance, Yi He, bëri të ditur se ishin bllokuar gjithashtu 27 milionë dollarë në stablecoin dhe rreth 2 milionë dollarë në tokenë të World Liberty.
Kompania e kriptomonedhave Ripple bllokoi rreth 200 milionë dollarë të tjera, sipas Yi He.
Binance, e cila u mundëson përdoruesve të blejnë, shesin dhe shkëmbejnë asete dixhitale, ka rreth 335 milionë përdorues të regjistruar në mbarë botën. Sipas raportit vjetor të vitit 2025, kompania administronte rreth 162.8 miliardë dollarë në asete të klientëve.
Megjithatë, shuma e vjedhur prej 6.3 miliardë dollarësh është shumë më e lartë se fondi rezervë prej 1 miliard dollarësh që Binance ka krijuar për të mbrojtur përdoruesit në rast sulmesh apo shkeljesh të sigurisë.
Sulmi i fundit i shtohet një serie vjedhjesh që kanë goditur industrinë e kriptomonedhave. Sipas TRM Labs, gjatë vitit të kaluar u vodhën rreth 2.9 miliardë dollarë në kriptomonedha, në afro 150 sulme të ndryshme.
Ekspertët paralajmërojnë se ndikimi afatgjatë i incidentit do të varet nga shuma që nuk do të mund të rikuperohet, dëmet ndaj palëve të tjera dhe nëse ngjarja do të shkaktojë një humbje më të gjerë të besimit te tregu i aseteve digjitale.











