Prokuroria është në gjurmët e parave të disa politikanëve dhe biznesmenëve që kanë dërguar jashtë vendit miliona euro.
Hetimet për kompaninë “Adriatic…” me administrator Kastriot Ismailajn, kanë ngritur dyshime të forta se dhjetëra miliona euro kanë përfunduar në disa vende, të ashtuquajtura “parajsa fiskale”, në Europë ose në SHBA.
Gjatë viteve të fundit, akuza ka konstatuar se kjo kompani ka xhiruar shumë para, megjithëse aktivitetin në Shqipëri e ka “0”, raporton gazeta “Shqip”.
Për këtë arsye, prokuroria ka hapur hetime për pastrim parash për Ismailajn, ndërsa disa ditë më parë kërkoi që 3.2 milionë euro dhe 450 mijë euro të konfiskohen.
Megjithëse janë faktuar këto xhirime, sërish prokuroria e ka të vështirë që të faktojë dyshimet se paratë e politikanëve apo biznesmenëve janë dërguar jashtë vendit, duke qenë se nuk ka asnjë të dhënë për milionat e parë të eurove.
Mësohet se hetimet e nisura nga Prokuroria e Tiranës do të shtrihen edhe jashtë vendit, ku janë kërkuar ose do të kërkohen të dhëna nëpërmjet letërporosive në SHBA dhe në Zvicër.
Pas zbulimeve të xhirimit të miliona eurove ndër vite të kësaj shoqërie, me administrator Ismailajn, akuza ka rënë në gjurmët se këto para kanë qenë të disa politikanëve dhe të disa biznesmenëve që kanë transferuar jashtë vendit para.
Akuza ende nuk ka emra të “pronarëve” të këtyre parave, por dyshon se shumë politikanë ose biznesmenë, kanë përdorur për koperturë shoqërinë e Ismailajt për të transferuar jashtë vendit paratë.
Dyshohet se Ismailaj merrte përqindje për çdo transfertë, ndërsa i justifikonte për kryerjen e disa punimeve.
Por, duke qenë se aktivitetet në Shqipëri kanë qenë “0”, akuza dyshon se kjo kompani vetëm sa ka xhiruar miliona euro, për t’i transferuar nga Shqipëria drejt vendeve që njihen si “parajsa fiskale”.
Redaksia Online
(JavaNews.al)









