Rreth 350 emigrantë nga Myanmar (Burma) kanë ngelur të ngujuar që prej një jave në një anije në Detin Andaman, pa ushqim dhe pa ujë. Dhjetë prej tyre kanë vdekur, derisa dhjetëra të tjerë janë në gjendje të keqe shëndetësore.
Anija e peshkimit, që mbante emigrantë të pakicës myslimane Rohingya, është refuzuar të ankorojë në brigjet e Tajlandës, derisa për të mbijetuar disa nga emigrantët detyrohen të pijnë urinën e tyre në vend të ujit, njofton BBC, raporton Lajmi.net.
Ekuipazhi e ka braktisur anijen, ndërsa motorit, për një arsye a tjetër, i ka rënë fuqia në atë shkallë sa që nuk mund ta lëvizë dot anijen që është bërë ferri i këtyre emigrantëve. Trupat e atyre që kanë vdekur, janë hedhur në ujë, për të parandaluar ndonjë epidemi të mundshme si pasojë e temperaturave të larta, deri në 35 gradë Celsius.
Sipas Organizata Ndërkombëtare për Migrim, mbi tetë mijë njerëz nga Myanmar dhe Bangladeshi, aktualisht janë duke u endur me anije peshkimi në përpjekje për të zbarkuar në brigjet e Tajlandës, Malajzisë dhe Indonezisë. Por ashtu si Tajlanda, edhe këto dy shtetet e fundit janë duke penguar hyrjen e këtyre emigrantëve në territoret e tyre.
Shumica e emigrantëve që ndodhen në këto anije janë myslimanë Rohingya, të cilët nuk mund të kthehen përsëri në Myanmar, ku nuk njihen si qytetarë të vendit dhe janë persekutuar rregullisht.
Tre muaj në deti, e ndoshta përjetësisht
Reporteri i BBC-së, Jonathan Head, thotë se në anijen e ngujuar në brigjet jugore të Tajlandës, pamje e emigrantëve është jashtëzakonisht dëshpëruese dhe e dhimbshme.
“Kam shkuar me një varkë deri pranë anijes ku ndodheshin dhe me të na parë bërtitnin duke kërkuar ujë dhe ushqim. Brenda anijes kam parë shumë fëmijë dhe gra. Ua kemi gjuajtur ato pak shishe me ujë që i kemi pasur me vete, por nuk mjaftuan. Ajo anije e vjetër ishte përplot njerëz dhe me sytë e mi kam parë njerëzit duke pirë urinën në vend të ujit të pijshëm”, ka treguar Jonanthan.
Emigrantët në këtë anije, ku ndodhen edhe 50 gra dhe 84 fëmijë, sillen në deti që prej tre muajsh, me shpresë se ndonjëri nga shtetet e lartëpërmendura do t’i pranojë. Por gjendja e tyre shëndetësore u përkeqësua qysh para një jave, kur motori e humbi fuqinë, anija u stagnoi në vend, ndërsa ekuipazhi i braktisi natën që mbeten të ngujuar.
Kush janë Rohingyas
Rohingyas janë një grup i vecantë etnik, me përkatësi fetare myslimane, që jetojnë kryesisht në Myanmar, shtet ky që përvec si Burma, njihet edhe me emrin Birmani. Mendohet të kenë origjinën nga tregtarët myslimanë të cilët u vendosën atje më shumë se 1.000 vjet më parë.
Rohingya, gjithashtu jetojnë edhe në Bangladesh, Arabi Saudite dhe Pakistan. Por në Mianmar, ata janë rregullisht të përndjekur, obligohen të kryejnë punë të detyruar dhe nuk kanë të drejtë të kenë pronë tokësore të tyre. Edhe në Bangladesh janë të diskriminuar, janë të varfër, pa dokumente apo perspektivë për të gjetur punë.
Të dielën dhe të hënën më shumë se 2000 emigrantë, kryesisht Rohingyas , megjithatë u futën në Malajzi dhe Indonezi, pasi disa hedhën nga anija dhe arritën duke notuar në breg, ndërsa të tjerët u shpëtuan nga ekipet e shpëtimit.
Udhëtimi i emigrantëve fillon nga Bangladeshi apo Mianmar përmes Gjirit të Bengalit dhe merr disa javë. Nganjëherë udhëtimi ngadalësohet pasi refugjatët shpeshherë mbahen peng nga kontrabandistët, derisa të shkëmbejnë paratë, të cilat janë shumë më të vlefshme se sa jetët e njerëzve apo vuajtjet e tyre.