Nga Prof. Dr. Aurela Anastasi
Universiteti i Tiranës
Qysh nga maji i vitit 1996, përkujtojmë 10 Majin si ditën e Drejtësisë në Shqipëri. Kjo datë simbolike e përzgjedhur nga komuniteti i juristëve, u sanksionua si e tillë në Statutin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare, si dhe në ligjin e kohës “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”. Ajo u shënjua në kujtim të ditës së hartimit të një prej akteve më të rëndësishme që miratoi Qeveria e Vlorës gjatë 14 muajve të jetës së saj: “Kanunin e Zhuriës” (Kanunin e Jurisë). Ishte i pari ligj në shtetin shqiptar të pavarur, që rregulloi organizimin dhe procedurat gjyqësore në bazë të modeleve të përparuara, të shkëputura plotësisht nga përvojat e Perandorisë Osmane. Ky kanun, meriton të trajtohet si një akt i denjë, që i dha Drejtësisë shqiptare një ditë përkujtimore, duke na lënë trashëgim disa mesazhe historike, të cilat vazhdojnë t’i qëndrojnë kohës dhe madje, marrin kuptim të ri sa herë që u kthehemi për t’i aktualizuar me çështjet e zhvillimit të drejtësisë.
Përmbajtja e plotë e tij është botuar në gazetën qeveritare të kohës “Përlindja e Shqypnijes”, vit’I, Nr.13-14-15, shkurt 1914, (ndodhet në Bibliotekën Kombëtare dhe në Arkivin e Shtetit Shqiptar). Duke lexuar dispozitat, të bën përshtypje përqasja e tij me standardet më të përparuara të kohës. Kjo shprehet në të gjitha parimet e gjykimit që ka sanksionuar, si ai i gjykimit publik (me dyer të hapura), e drejta e nëngjyqësit (të pandehurit) për t’u përfaqësuar në gjyq me avokat, e drejta për t’u ankuar, etj. Gjithashtu, për herë të parë parashikohet instituti i Jurisë (Pleqësisë) në procesin penal. Juria ose Pleqësia, ishte institucion i zgjedhur nga organet përfaqësuese vendore të kohës, nga radhët e qytetarëve që përmbushnin disa kushte të përcaktuara qartë në ligj. Ajo, së bashku me gjyqtarin e vetëm, angazhohej në debatet gjyqësore të seancës publike. Në fund të debateve, Juria përgjigjej duke dhënë verdiktin, i cili mund të ishte vendim për fajësinë ose pafajësinë e të akuzuarit, kurse caktimi i masës së dënimit bëhej nga trupi gjykues me shumicë votash. Vendimi i jurisë merrej me votim të fshehtë dhe mbi bazën e shumicës së votave. Kur vendimi e deklaronte të pandehurin të pafajshëm, gjyqi përfundonte pikërisht këtu. Në rast të kundërt, vazhdonte procedura e zakonshme për dhënien e vendimit përfundimtar nga ana e Gjykatës.
Në botë, prania e Jurisë kishte qenë një karakteristikë e gjykatave të common law-t si institut pjesëmarrës në gjykim. Duke filluar nga shekulli i XIII dhe deri aty nga mesi i shek.XIX, nuk kishte procedurë të common law-t, ku të mos merrte pjesë juria, për të gjitha çështjet, të çfarëdo rëndësie që të ishin. Duhet theksuar se, në kohën kur u parashikua Juria në ligjin tonë të parë mbi organizimin gjyqësor në Maj të vitit 1913, në të gjithë Evropën Perëndimore, kishte rënë rëndësia e saj në procesin gjyqësor. Në Angli, kjo skemë e procedurës nuk ishte më. Praktikisht, ajo ishte zhdukur krejt në fushën civile dhe kishte mbetur në raste të veçanta,vetëm në fushën penale. Edhe në Francë, Juria e shfaqur si institut i pjesëmarrjes së popullit në gjykim qysh pas Revolucionit Francez të shekullit të XVIII, kishte humbur terren.
Atëherë, natyrshëm lind pyetja, përse Qeveria e Vlorës zgjodhi pikërisht këtë model në ligjin e saj më të rëndësishëm për organizimin gjyqësor në vend, pikërisht kur në Evropë ajo po zëvendësohej gjithmonë e më tepër nga gjyqtari profesionist?
Duke lexuar përmbajtjen e Kanunit, mund të themi se ky parashikim e ka bazën tek nevoja për të vendosur një procedurë gjyqësore të re, të ndryshme nga ajo e Perandorisë Osmane. Pavarësisht nga tendenca e rënies së institutit të Jurisë në Perëndim, Qeveria e Vlorës e thirri Jurinë në ligj si simbol të procedurës perëndimore anglo-saksone. Ka autorë që mendojnë se, Qeveria e Vlorës ka dashur të shprehë pjesëmarrjen popullore në dhënien e drejtësisë, gjë që frymëzohej nga e drejta zakonore e shqiptarëve. Këta të fundit, mbështeten tek të gjitha emërtimet me të cilat të krijohet përshtypja se Qeveria kishte për qëllim të ngjallte traditën e gjyqit kanunor, me pleqësi të zgjedhur.
Sidoqoftë, ajo që na bën të reflektojmë më tepër sot, në një vështrim të aktualizuar të këtij ligji, është mendimi se, nuk ka aspak çudi që Juria të jetë thirrur, si një masë për të shmangur korrupsionin e gjykatave, i cili ishte i pranishëm këmbëkryq në gjykatat e Perandorisë Osmane. Një trup përfaqësuesish të zgjedhur nga një listë e gjerë kandidatësh për Juri, e bënin të vështirë kompromentimin e trupit gjykues. Për më tepër, kjo frymë ndihet në të gjithë Kanunin. Përveç Jurisë, kanuni siguronte paanësinë e gjykatës dhe moskompromentimin e Gjyqtarëve. Kjo frymë gjen pasqyrim në parimin e gjykimit të pandërprerë, i cili i qëndron edhe sot kohës. Ligji vendoste shprehimisht se, atë ditë që do të niste një gjykim, atë ditë edhe do të përfundonte. Gjykatësit dhe anëtarët e jurisë nuk duhet të dilnin nga gjykata (neni 19). Edhe nëse ata do të duhet të dilnin, do të vendoseshin nën mbikëqyrjen e policisë, ndërsa kur të bisedonin çështjet në dhomën e bisedimeve, jashtë derës do të ruante një polic. Këto, si dhe disa nene të tjera shprehin qartë qëllimin e hartuesve dhe të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës për një pjesëmarrje popullore dhe besueshmëri popullore, si dhe për të parandaluar presionet në radhët e gjyqtarëve dhe për të garantuar një diskutim të qetë për zgjidhjen e çështjes.
Në ditët e sotme ndoshta këto përpjekje duken të tejkaluara dhe jo fort bindëse për të shmangur ndërhyrjet në gjykim dhe korrupsionin në dhënien e drejtësisë. Masa të tjera bashkëkohore, si parimi i shpejtësisë në gjykim, pavarësia dhe paanësia e gjyqtarit, kodi e etikës, profesionalizmi, etj., kanë zënë vend si masa antikorrupsion. Megjithatë, mesazhet që vijnë nga Kanuni i Zhuries janë mjaft të rëndësishme. Ato nuk duhet të kuptohen si mesazhe që ngjallin vullnetin për rikrijimin e Jurisë, por si mesazhe që japin shembullin e një metode demokratike të luftës kundër korrupsionit dhe të përpjekjeve për ta luftuar atë me mënyra efikase.
Sidoqoftë, Juria gjeti zbatim mjaft të kufizuar në praktikën gjyqësore shqiptare, jo vetëm gjatë qeverisjes së Qeverisë së përkohshme të Vlorës, por edhe më pas. Kemi të dhëna që dëshmojnë se është zbatuar në gjykatën e Elbasanit, por duhet të ketë pasur edhe raste të tjera. Në arkivin e gjykatës së Tiranës janë gjetur disa vendime të kohës, të gjykuara me pjesëmarrjen e saj. Madje, kur u diskutua për hartimin e ligjit mbi organizimin gjyqësor të vitit 1929, u shtrua edhe opsioni i rivendosjes së jurisë në gjykim, duke pasur parasysh përvojën e këtij kanuni, gjë që nuk gjeti ndonjë përkrahje. Ajo do të kujtohet sot, si simbol i pjesëmarrjes popullore në gjykim, si simbol i një organizimi gjyqësor sipas modeleve përparimtare dhe pse jo, edhe si një nga masat kundër korrupsionit në organet e drejtësisë, për rritjen e besueshmërisë së tij në popull.
Për arsye të zhvillimeve historike Kanuni i Zhuries’ nuk arriti të zbatohej. Megjithatë, ai do të mbetet një monument i rëndësishëm në historinë juridike shqiptare, i aftë për të ofruar mesazhe kuptimplote në çdo vit përkujtimor të drejtësisë.