Ndërsa ‘suksesi’ i vetëm në çështjen e kthimit të pronave, të qeverive të Partisë Demokratike, me në krye gjithnjë Sali Berishën, është ‘rrëmbimi’ i ish-Kompleksit Partizani në Tiranë për familjen e tij, Lulzim Basha, 55 ditë para zgjedhjeve parlamentare, para provës së tij të dytë për të ardhur në pushtet, ka kërkuar ndjesë në emër të PD-së, për vendimet e vonuara për çështjet e pronave. “Këtë ndjesë natyrisht e kemi shoqëruar me gatishmërinë tonë për të hedhur të gjitha hapat e nevojshëm politikë dhe pas 25 prillit ligjor dhe financiar për të korrigjuar dhe zgjidhur problemet e shkaktuar gjatë këtyre viteve dhe të akumuluara e të shumëfishuara gjatë qeverisjes së padrejtë dhe grabitqare të këtyre tetë viteve”, tha Basha këtë të diel, ndërsa u përbetuar se do ta shfuqizojë ligjin aktual të pronave.
Një ditë pas ndjesës dhe premtimit, Lulzim Basha firmosi një marrëveshje me 13 pika me kryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, për vijimin e koalicionit paszgjedhor. Duket e pabesueshme, por përmes marrëveshjes, Basha ka tërhequr brenda 24 orëve pretimin për çështjen e pronave, rrjedhimisht edhe ndjesën me natyrë hipokrite. Në përmbajtjen e paktit të firmosur me kryemadhin, siç duket nga dokumenti, jo vetëm që është zhdukur adresimi i çështjes së pronave, por në pikën e fundit, është përcaktuar angazhimi vetëm për kthimin e pronave të komuniteteve fetare.
Një gafë e zakonshme apo një tallje e madhe me ish-pronarët siç ka bërë partia e tij për 30 vjet, kjo mbetet për t’u parë, por ajo që duket qartë është se, 24 orë pas faljes publike dhe premtimit, Basha ka hequr nga prioritetet e tij pas 25 prillit çështjen e pronave, duke e kufizuar vetëm në kthimin e pronave për komunitetet fetare, madje edhe këtë duke e renditur në fund të prioriteteve. Duke iu referuar marrëveshjes me LSI-së, Partia Demokratike me në krye Lulzim Bashës heq për herë të parë nga programi çështjen e pronave.
Në këtë çështje, Basha ka tejkaluar edhe paraardhësin e tij Sali Berisha, i cili formalisht e mbante në program kthimin dhe kompensimin e pronave, ndonëse i shihte ish-pronarët vetëm si mundësi për të mbushur thesin e votave elektorale dhe për t’u tjetërsuar pronat kur të ishte në pushtet, siç bëri edhe me pronën e Esat Pirës në Laprakë, mbi të cilën ka ngritur kullat e familjes biologjike,
Ndërkaq, edhe premtimi i Lulzim Bashës për shfuqizimin e legjislacionit të pronave, i mohuar 24 orë më vonë, është gjithsesi një gënjeshtër fyese për ish-pronarët, pasi Gjykata Kushtetuese, ka rrëzuar skemën e kthimit dhe kompensimit të pronave, duke diktuar miratimin e një formule të re. Pra, praktikisht Basha nuk ka çfarë të shfuqizojë, nëse një ditë do të vijë në pushtet.
Nga ana tjetër, kaosi me pronat dhe ndërtimet pa leje në Shqipëri mban emrin e Sali Berishës. Në vitin 1993, Berisha miratoi ligjin 7715, duke ndryshuar ligjin e famshëm 7501, ku i hapi rrugë ndërtimeve pa leje mbi tokat e ish-pronarëve dhe të atyre që nuk e shfrytëzojnë pronën.
Po në vitin 1993, shumica në pushtet më në krye Berishën miratoi ligjin nr. 7698 për kthimin dhe kompensimin e pronave të ish-pronarëve aty ku është e mundur, të kufizuar për një sipërfaqe deri në 10.000 metra/katrorë dhe aty ku nuk kishte vepruar ligjin e famshëm 7501 për tokën. Ligji 7501 parashikonte dhënin e tokës bujqësore në pronësi apo përdorim të familjeve bujqësore, pa asnjë detyrim.
Ligji i ’93 ngriti edhe Komisionin e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, si organi administrativ kompetent për të vendosur mbi pretendimet e pronësisë së ish-pronarëve apo trashëgimtarëve të tyre. Këtu u krye abuzime të mëdha, pasi pseudo ish pronarë, zaptuan pronat në zonat bregdetare me falsifikime, u krijua një kaos me afatet, ankimimet, ndryshimet e herahershme të ligjit, dhe kështu çështja e pronave u kthye në gangrenën e Shqipërisë, duke gjeneruar një konflikt social me qindra viktima.
Ligji nr. 7698/1993 u shfuqizua në vitin 2004, me hyrjen në fuqi të ligjit të ri nr. 9235, datë 29.07.2004 “për Kthimin dhe Kompensimin e Pronës”. Ligji i ri parashikonte kufizime për pronën që do të kthehej ose kompensohej vetëm për tokat bujqësore, deri në 60 hektarë. Ligji krijoi një komision të ri dhe u jepte individëve, të cilët kishin pretendime për kthimin dhe kompensimin e pronës, afat deri në datën 31 dhjetor 2008, për paraqitjen e kërkesave të tyre.
Ndërkaq, u krijua edhe harta e vlerës së pronës.
Në vitin 2006, Sali Berisha ndryshoi ligjin dhe krijoi AKKP-në. Nga 2006 deri në 2013, qeveria Berisha ka zhvilluar dhjetëra beteja me shoqatat e ish-pronarëve në Gjykatën Kushtetuese, për të mbrojtur legjislacionin për pronat, ku si avokate e qeverisë Berisha ka spikatur Marsida Xhaferllari, sot anëtare e Gjykatës Kushtetuese.
Ndryshimi i shpeshtë i legjislacionit, moszbatimi i ligjeve, deformimi i parimeve në praktikë, ndërhyrjet, abuzimet, falsifikimet etj., gjeneruan më të tej konfliktin për çështjen e pronave. Gjykata Kushtetuese dhe sidomos Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ), konstatoi përmes disa vendimeve të saj problemet në legjislacion dhe shkeljen e të drejtave të ish-pronarëve, mosekzekutimin e vendimeve të brendshme etj. Vendimet e GJEDNJ në favor të ish-pronarëve krijuan një kosto të madhe për buxhetin e shtetit shqiptar.
Pothuajse në të gjithë vendimet, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka konstatuar ndryshimin deri në 7 herë të legjislacionit mbi pronësinë gjatë periudhës 2004-2010, mundesin e një informacioni të besueshëm në lidhje me numrin e përgjithshëm të vendimeve administrative, që njohin të drejtat e pronësisë dhe dhënien e kompensimit, sipas rastit, të cilat kanë dalë që prej vitit 1993, mungesën e një fature totale për kompensimin, mungesën e përditësimit të hartës së vlerës së tokës, mungesën e transparencës, abuzime me legalizimet, mungesën e regjistrimit të pronave, shtyrjet e shpeshta të afateve, një administratë jo profesionale
Në 6 qershor 2013, Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës, dha alarmin se qeveria shqiptare nuk kishte marrë asnjë masë për adresuar çështjen e pronave, sipas orientimit të Gjykatës Evropiane. Ndërkaq, në bazë të vendimeve të GJEDNJ, në vitin 2015, qeveria Rama miratoi një ligj të ri, ligjin nr. 133/2015 për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave. Ligji u miratua në konsultim me Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës.
Në 4 nëntor 2015, qeveria shqiptare paraqiti pranë Komitetit planin e veprimit për çështjen e pronave. Në dhjetor 2015, Komiteti vlerësoi skemën e re për adresimin e çështjes së pronave dhe kërkoi të informohej në vijim për zbatimin e saj. Në shkurt të 2015, u miratuar harta e vlerës së tokës, ndërsa në prill u miratuan VKM-të për zbatimin e ligjit.
Në janar të vitit 2017, Kushtetuesja, i dha goditjen e parë ligjit nr. 133/2015 për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave, duke rrëzuar pikat 3 dhe 5 të nenit 6 të ligjit, që parashikonin metodologjinë e vlerësimit të pronës. Pikat e rrëzuara parashikonin vlerësimin e pronës në gjendjen e saj në vitin1945, pa marrë parasysh transformimin dhe gjendjen e saj aktuale sot të saj. Më konkretisht, nëse një pronari i është konfiskuar një tokë arë në ’45, ku sot është kthyer në zonë urbane, trashëgimtarët do të kompensoheshin sipas statusit të tokës në ’45.
Megjithatë, Ish-drejtoresha e Agjencisë së Trajtimit të Pronave Sonila Qato tha në atë kohë se vendimi i Kushtetueses, prekte vetëm 11 dosje pronash të patrajtuara, të cilat në momentin e shpronësimit kanë pasur një zë kadastral të ndryshëm nga ai që kanë sot. Me ndryshim të zërit kadastral kuptohet ndryshimi i statusit të një toke nga arë në pemëtore, nga truall në arë etj., dhe që është pakësuar dhe transformuar gjatë viteve. Sipas qeverisë, kjo ndërhyrje e Gjykatës Kushtetuese nuk ka ndryshuar metodologjinë dhe formulën e vlerësimit, kthimit dhe kompensimit për pronat e tjera. Për rrjedhojë qeveria vijoi zbatimin e të njëjtës formulë.
Kështu, në korrik të 2017, qeveria paraqiti në Bruksel raportin e parë me rezultatet e zbatimit të skemës së re, raport i cili u vlerësua në shtator nga Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës, i ngarkuar për ndjekjen e kësaj çështje. Në fillim të vitit 2018, Komiteti vlerësoi edhe një herë ecurinë zbatimit të skemës së re.
Disa ditë më parë, Gjykata Kushtetuese i ka dhënë një tjetër goditje ligjit, duke shfuqizuar dy pika në nenin 7 të ligjit, që parashikonin metodologjinë e vlerësimit të tokës së kthyer ish-pronarëve në raport me të gjithë sipërfaqen që i është njohur me vendime, si dhe duke hedhur poshtë kufirin maksimal financiar prej 100 mijë USD për kompensimin financiar.
Neni 7 është i lidhur ngushtë me nenin 6. Pikat e rrëzuara nga Gjykata Kushtetuese, me kërkesë të shoqatave të ish-pronarëve, parashikonin që vlerësimi financiar i vendimeve përfundimtare për kompensim do të bëhet duke vlerësuar financiarisht pronën e njohur për kompensim, sipas nenit 6. Kjo do të thoshte se nëse vlerësimi i pronës së kthyer me vendim përfundimtar rezulton se është më i madh sesa vlerësimi i tokës së njohur për kompensim, atëherë subjekti i shpronësuar konsiderohet i kompensuar. Nëse vlerësimi i pronës që është njohur për kompensim është më i madh sesa vlerësimi i tokës së kthyer, atëherë subjektit i kompensohet diferenca.
Kushtetuesja ka rrëzuar tre format e parashikuara të kompensimit, kompensim fizik në ish-pronën e subjektit të shpronësuar, kompensim fizik nga fondi i tokës dhe kompensim financiar.
Gjithashtu, Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar edhe një kushtëzim për kompensimin financiar, sipas të cilit ish-pronari përfiton kompensim financiar nga fondi financiar i kompensimit, deri në 20 % të vlerës totale të kompensimit financiar, por jo më shumë se 10 000 000 lekë. Me këdo dy vendime, Gjykata Kushtetuese detyron qeverinë dhe Kuvendin të miratojnë një formulë tjetër për kthimin dhe kompensimin e ish-pronarëve. Në këto rrethana u shfaq ditën e diel Lulzim Basha, duke u kërkuar ndjesë ish-pronarëve dhe premtuar adresimin e çështjes së pronave, çështje të cilën e hoqi nga programi 24 orë më pas./ shqiptarja.com