Nga Ben Andoni
“Atentati” të duket si titulli i përshtatshëm për një libër policor, por s’është aspak i tillë. Këtë herë flitet për një roman, botuar vite të shkuara nga “Dituria”, prej një shkrimtari holandez që ia vlen të njihet. Quhet Harry Mulisch dhe në vendin e tij ka merituar gjithçka që mund të merret ndër nderimet e letrave holandeze.
Ky është libri i dytë i tij në shqip (në mos gabojmë)dhe megjithë njohjen e madhe që ka pasur në vendin e tij, tek ne pothuaj nuk njihet fare. Fabula e librit është përshtatur edhe për film. I shkruar thjesht me tisin e të shkuarës apo si një rrëfim i të shkuarës, ai mbart një narracion në gjininë e tretë, që do të thotë se autori nuk “ia beson” aq shumë “benjaminit” të tij në vepër.
I ndërtuar në rastin më klasik të mundshëm, romani flet për një histori që nis prej një fëmije që në një natë i vriten sëbashku tre anëtarët e familjes, thjesht prej një atentati të paorganizuar mirë, akt që njerëzit e rezistencës holandeze të Luftës së Dytë Botërore e bëjnë mu para shtëpisë së tij. Viktima është një personazh i njohur i shërbimit të fshehtë, njeri që ka marrë në qafë shumë njerëz të anti-fashizmit në Harlem. Dhe, sikur të mos mjaftojë çfarë ka bërë ky personazh në të gjallë, duket se më shumë do marri me vete me vdekjen e tij. Jeta e Antonit, emri i personazhit kryesor, prej asaj dite do jetë i varur nga ky atentat. Fillimisht merret me të tjerët si i pandehur, kurse më vonë do lirohet sepse Gestapoja në Holandë nuk është si në vendet e tjera. Fëmija do njohë për herë të parë jetën reale dhe në fund të qëndrimit të vet atje, do marrë vesh se është jetim. Nuk do kthehet më në shtëpinë e tij sepse kujtimi i asaj dite do jetë i tmerrshëm përveç një kujtimi si vegim, që lidhet me një nga atentatoret që e ka qëlluar viktimën, aq domethënë për fatin e familjes së vet. Për një ndërthurje rrethanash të rastit, atentatorja, tashmë e kapur, do kujdeset në pak minuta për të. Njeriu që i ka shkaktuar këtë shqetësim i flet gati për një jetë metafizike. Vite më vonë do marrë vesh se kjo heroinë e natës, të cilës ai i ka ndjerë vetëm erën dhe kurmin por që s’ia ka parë sytë, është shkaktarja e të gjithë katrahurës. Ndërkohë, ata që e kanë shpënë krimin në familjen e tij janë fqinjët, një çift me të cilët ai kalon shumë kohë. Ata e tërheqin viktimën dhe e lënë para shtëpisë së tyre, duke ua bërë gjëmën.
Po pse tamam tek familja e Antonit? Duket një gjë e zakonshme, por këtu është suspansa e romanit. Në dukje është thjesht një mënyrë për t’ua futur, por në fakt s’është fare ashtu. Njëherë që do rikthehet te fqinjët, tashmë në moshë madhore, do pritet nga dy fqinjë, por s’do marrë vesh sepse ndodhi e gjitha dhe kështu dhe më vonë. Po pse vallë atentati nuk i ndahet nga kujtesa?! Thjesht se i vrau prindërit? Mjeshtëria e autorit është se duke e mbajtur pezull ngjarjen të bën indirekt edhe një panoramë gati universale të një vendi antifashist. Nuk e dëmton fakti se është një libër i botuar vite e vite të shkuara, pasi libri ruan plot 25 përkthime në gjuhë të ndryshme të botës.
Vitet do kalojnë dhe në Holandën e pas Luftës së Dytë Botërore në një rreth intektualësh, ai do të shikojë fytyrën e vërtetë të rezistencës dhe disa nga njerëzit që kontribuuan për lirinë e Holandës. Në njërën prej tyre do të njohë dhe atentatorin tjetër, një burrë guximtar që si brengë të madhe ruan kujtimin e anës tjetër të Natës së personazhit tonë: Atë të kapjes së vajzës që dashuron dhe që s’ka mundur t’i thotë dot në të gjallë se e do shumë. Antoni do të futet virtualisht mes tyre t’u shpjegojë se ata duheshin edhe pse njëri është mbi dhe tjetri poshtë dheut. Në moshë të thyer, ndërsa duket se gjithçka po shkon në një rrjedhë të zakonshme, autori na e risjell shumë profesionalisht, si një nga befasitë e tij më të mëdha, që lidhet me vazhdimin e historisë sonë. Në një tubim të madh kundër armëve bërthamore, ku Antoni gjendet tashmë me fëmijët nga dy martesa të ndryshme, ai takon fqinjën, që me të atin kanë bërë mynxyrën atë natë, teksa e tërhoqën kufomën dhe e vendosën para familjes së tyre. Dhe a e dini sepse? Pasi një shtëpi më andej, ishte një shtëpi që strehonte një familje të re hebrenjsh. Edhe në atë moment “të këqijtë” e kishin bërë një gjë të mirë.
Libri është i shtjelluar shumë mirë, por ngarkesa e së shkuarës është kaq e madhe sa duket hera-herës e pakapërcyer. Megjithatë autori e administron mirë veprën e vet dhe shpesh kthehet me një rrëfim teatror. Nuk e dimë nivelin dhe gjuhën e përkthimit, pasi nuk mund ta shikojmë në origjinal veprën, pra sesa ia ka arritur autorja e përkthimit, por shtjella e subjektit është gati lineare dhe duket se ajo nuk ka punuar keq. A është fati elementi që mbizotëron jetën apo është thjesht rastësia që komandon jetët tona dhe bën ç’të dojë? Pse kufoma e Plegut dhe Harlemi nuk ikin nga mendja e Antonit, apo pse jeta nuk të lë të manovrosh në qerthuj të tjerë?
Struktura e romanit është zgjedhur sipas kanoneve klasike të romanit, ku narracioni i historisë nuk ndahet në disa mega-rrëfime sesa në disa data, që mundësojnë shtjellën e autorit. Kjo është gjetja. Zgjedhja shumë profesionale e “Dituria”-së me Harri Mulisch është për t’u vlerësuar, kurse grafikisht përcjell historikisht prapambetjen tonë dhe që vetë Shtëpia Botuese e ka kaluar tashmë prej kohësh.