Presidenti i republikës Bujar Nishani ka rikthyer për rishqyrtim një tjetër ligj të miratuar nga Kuvendi vetëm me votat e mazhorancës.
Bëhet fjalë për Ligjin e Dhomave të Tregtisë.
Kreu i shtetit argumenton në dekretin që rikthen ligjin në Kuvend se është shkelur neni 46 i kushtetutës./a.m.
Dekreti:
PËR
KTHIMIN E LIGJIT NR. 93/2016 “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 9640, DATË 9.11.2006, “PËR DHOMAT E TREGTISË DHE INDUSTRISË”, TË NDRYSHUAR”.
Në mbështetje të neneve 85, pika 1 dhe 93, të Kushtetutës,
D e k r e t o j
Kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 93/2016 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9640, datë 9.11.2006, “Për dhomat e tregtisë dhe industrisë”, të ndryshuar”.
Nr. Dekretit 9769
Tiranë, më 18.10.2016
PRESIDENTI I REPUBLIKËS
BUJAR NISHANI
Arsyet e kthimit të ligjit nr. 93/2016 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.9640, datë 9.11.2006, “Për dhomat e tregtisë” të ndryshuar”
Të nderuar deputetë,
Në seancën plenare të datës 29 Shtator 2016, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ligjin nr. 93/2016 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.9640, datë 9.11.2006, “Për dhomat e tregtisë” të ndryshuar”.
Përmes këtij ligji është rikthyer anëtarësimi i detyrueshëm në Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë, duke përfshirë personat fizikë dhe juridikë të rregjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit dhe duke përcaktuar edhe kuotat e detyrueshme të anëtarësimit në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë.
Referuar Relacionit të Ligjit, mungesa e një buxheti minimal për funksionimin e dhomave të tregtisë ka çuar në uljen plotësisht të rolit të dhomave si dhe në reduktimin e shërbimeve që duhet t’i jepen anëtarësisë së saj dhe si rrjedhojë dhomat dhe Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë gjenden në pamundësi të plotë për të përmbushur detyrimet minimale që rrjedhin nga marrëveshjet ndërkombëtare, duke krijuar jo vetëm një situatë paaftësie paguese të kuotizacioneve, por edhe duke rrezikuar për t’u përjashtuar nga disa shoqata/organizata, siç janë EuroChambers, Association of Ballkan Chambers etj.
Ligji bazë nr.9640, datë 9.11.2006, parashikonte në nenin 6 që anëtarësimi në Dhomat e Tregtisëishte i detyrueshëm për ndërmarrjet shtetërore, si dhe për personat juridikë, të regjistruar në regjistrin tregtar dhe është vullnetare për personat fizikë, që kanë cilësinë e tregtarit, të cilët ushtrojnë veprimtari tregtare, industriale.
Shumë organizata biznesi, mes të cilave edhe Dhoma Amerikane e Tregtisë kërkuan për një kohë të gjatë nga Qeveria në vitin 2008 që bizneset të kishin të drejtën të rregjistroheshin vetëm në ato organizata që ata besojnë se iu shërbejnë më mirë.
Me Ligjin nr.9897, dt.10.04.2008, i dekretuar nga Presidenti i Republikës me Dekretin nr.5689, dt.29.04.2008, u bënë ndryshime në nenin 6, duke përcaktuar se Anëtarësia në Dhomat e Tregtisëështë vullnetare për personat juridikë dhe fizikë, të regjistruar në regjistrin tregtar, sipas legjislacionit në fuqi.
Ndryshimi në vitin 2008 synonte që anëtarësimi në dhomat e tregtisë të bëhej në mënyrë vullnetare me qëllim që biznesi të anëtarësohej në një dhomë tregtie vetëm nëse e sheh me interes anëtarësimin për veprimtarinë e tij dhe nëse dhoma i ofron shërbimet për të cilat ai ka nevojë.[1] Referuar Relacionit të Ligjit nr. 9897, heqja e anëtarësisë së detyrueshme do të kishte ndikim pozitiv në performancën e dhomave të tregtisë, duke qenë se do të shtohej konkurrenca mes saj dhe shoqatave që përfaqësojnë biznesin dhe masa e kuotës së anëtarësisë nuk do të miratohej nga organi mbikqyrës, me qëllim rritjen e autonomisë së dhomave të tregtisë.[2]
Ky ndryshim, së bashku me reformën për shkurtimin e kohës dhe kostos së licensimit dhe regjistrimit, përmirësuan me disa pikë pozicionin e Shqipërisë në raportin e Bankës Botërore për klimën e biznesit (Doing Business Report).
Sot pas më shumë se tetë vitesh, Qeveria përmes Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, në cilësinë e organit mbikëqyrës të veprimtarisë së dhomave të tregtisë dhe industrisë dhe Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrise, sërish bëri një kthim prapa, duke krijuar sërish një shkelje kushtetuese të rregulluar në vitin 2008, të miratuar me votat e mazhorancës dhe opozitës të asaj kohe dhe të dekretuar nga Presidenti i Republikës.
Në bindje të Kushtetutës së Shqipërisë dhe në ushtrim të së drejtës të parashikuar në pikën 1 të nenit 85 të Kushtetutës kam vlerësuar se ky ligj, duhet kthyer për rishqyrtim Kuvendit mbështetur në arsyet dhe argumentet e mëposhtme:
Së pari: Regullimi ligjor në lidhje me detyrueshmërinë e anëtarësimit në Dhomat e Tregtisë dhe Dhomat e Bashkuara të Tregtisë përbën një shkelje kushtetuese referuar nenit 46 të Kushtetutës.
Neni 46 i Kushtetutës përcakton se:’Kushdo ka të drejtë të organizohet kolektivisht për çfarëdo qëllimi të ligjshëm’ duke njohur kështu një parim themelor të të drejtave themelore të njeriut për të marrë pjesë në organizatat dhe shoqatat, qofshin politike, të biznesit apo tjetër, me vullnetin e tyre.
MZHETTS e ka argumentuar vendosjen e anëtarësisë së detyrueshme të subjekteve tregtare në dhomën e tregtisë me faktin se rritja e të ardhurave do t’u mundësojë dhomave dhe bashkimit të dhomave të përmbushin detyrimet që rrjedhin, jo vetëm nga marrëveshjet ndërkombëtare me organizmat si EuroChambers, Association of Ballkan Chambers etj, por të zhvillojnë një aktivitet normal në ofrimin e shërbimeve në funksion të detyrimeve ligjore kundrejt anëtarëve të saj.[3]
Në fakt iniciativa për forcimin e pozitës së dhomave publike të tregtisë (që është në parim një përpjekje pozitive nga ana e qeverisë) po bëhet duke iu vendosur bizneseve një taksë të fshehtë. Ky qëndrim nuk është në përputhje me rregullat bazë të ekonomisë së tregut. Ashtu si vetë subjektet e biznesit, shoqatat e biznesit duhet të kryejnë aktivitet mbi bazën e rregullave që janë të drejta dhe jodiskriminuese.
Referuar pretendimit të Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë të Shqipërisë, ky ligj është i orientuar në praktikat ligjore të sistemit kontinental të funksionimit të dhomave.[4]
Ndërkohë, përfaqësuesit e biznesit vendas dhe të huaj në Shqipëri, pretendojnë se suksesi dhe efektiviteti i aktivitetit kryesor të Dhomës së Tregtisë, ai i mbrojtjes së interesave të ligjshme të biznesit është i paragjykueshëm nga fakti që anëtarësimi në këtë organizatë, e cila mbikqyret nga ministri përgjegjës për tregtinë bëhet i detyrueshëm dhe jo i bazuar në vullnetin e lirë të anëtarëve, duke sjellë dobësimin e oponencës së biznesit në lidhje me iniciativat legjislative të qeverisë dhe për rrjedhojë dobësimin e konsultimit efektiv të qeverisë e grupet e interesit në lidhje me këto iniciativa. Gjithashtu, ato pretendojnë se ligji për dhomat e tregtisë në sistemin kontinental ofron mbrojtje dhe mbështetje të tilla të cilat nuk ofrohen nga ky ligj.[5]
Fuqizimi i organizatave të biznesit është një tregues i rëndësishëm i nivelit të zhvillimit të biznesit si dhe i demokratizimit të shoqërisë në përgjithësi. Në këtë kuadër, duhet të veprojnë edhe dhomat e tregtisë të krijuara me ligjin nr. 9640, date 09.11.2006 “Për dhomat e tregtisë dhe industrisë”.
Ligji nuk ofron asnjë qartësi në lidhje me llojin dhe cilësinë e shërbimit të Dhomës së Tregtisë apo të Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë për anëtarët që do të anëtarësohen në mënyrë të detyrueshme dhe do të paguajnë kuotën e detyrueshme, apo rregullat dhe parimet mbi bazën e të cilave do të promovohen, lobohen dhe mbrohen interesat e anëtarëve të dhomave. Gjithashtu, ky ligj nuk përcakton se çfarë pasojash ka për subjektet që nuk anëtarësohen në mënyrë të detyrueshme.
Nëse biznesi ka lirinë të zgjedhë organizatën ku do të marrë pjesë, të gjitha dhomat dhe shoqatat do të jenë më të vëmendshme për të rritur nivelin e shërbimeve të tyre, për të ruajtur kështu numrin e anëtarëve të tyre, për të përfaqësuar me dinjitet zërin e anëtarëve, dhe për të dhënë kontributin e tyre në zhvillimin e ekonomisë se vendit.
Çdo favorizim i dhomave të tregtisë përbën një diskriminim të shoqatave të tjera të biznesit në cënim të nenit 18 të Kushtetutës.
Së dyti: Anëtarësimi absolut i detyrueshëm me anë të pagesës së kuotës së anëtarësisë në dhomat e tregtisë nga të gjithë personat fizikë dhe juridikë krijon premisat e një takse të fshehtë për biznesin në kushtet që subjektet tregtare kanë vështirësi në realizimin e fitimeve.
Ligji 93/2016 përcakton se kuota e anëtarësimit vjetor për çdo person fizik që ushtron aktivitet tregtar është 1000 lek, ndërsa për personat juridik kuota është 3000 deri në 100 000 lekë.
Neni 155 i Kushtetutës përcakton qartë se detyrimet financiare, taksa dhe tatime si dhe mënyra e mbledhjes së tyre caktohen veç me ligj.
Në raportin e Komisionit të Veprimtarive Prodhuese është bërë e qartë se në asnjë mënyrë kjo pagesë nuk duhet të vendoset si një taksë e fshehtë për biznesin, duke kërkuar që vendosja e detyrimit të anëtarësimit duhet të shoqërohet detyrimisht me:
–transparencë në përcaktimin e kuotave, duke parashikuar që caktimi i tyre të bëhet bazuar në kategorizimin e bizneseve si dhe duke vendosur tarifa minimale dhe maksimale në përcaktimin e kuotave, bazuar në kategorizimin e bizneseve si person fizik apo person juridik; dhe
-transparencë në administrimin e të ardhurave që krijohen nga pagesat e kuotave, duke vendosur detyrimin për publikimin në faqen e internetit të dhomës të buxhetit të vitit aktual të miratuar nga Asambleja dhe të pasqyrës së realizimit faktik të buxhetit të vitit paraardhës.[6]
Ligji për personat juridike ka vendosur një kuotë nga 3000 deri në 100 000 lek, ndërkohë që një vlerë e tillë nuk është proporcionale, duke marrë në konsideratë dhe taksimin e biznesit në ushtrimet e aktivitetit të tij. Rezultatet e Indeksit të Biznesit të Dhomës Amerikane për vitin 2015-2016 treguan se shqetësimi kryesor për klimën e biznesit në vend është niveli i taksave.[7]
Pra, me fjalë të tjera kuotat nuk mund të jenë në një vlerë të tillë, të cilat në fakt nuk janë tjetër veçse një taksim shtesë për biznesin. Ndryshe nga sa është kërkuar gjatë debatit në Komision, nuk rezulton të jetë e qartë përcaktimi i kuotave në rastin e personave juridikë referuar tarifave minimale dhe maksimale, apo bazuar në xhiron e kategorive të biznesit, aktivitetit tregtar dhe shërbimeve që ofrojnë në treg.
Po ashtu, përmes dispozitave të tij ligji nuk krijon mundësitë që të bëhet transparente administrimi i të ardhurave të krijuara nga pagesat e kuotave në rastin e dhomave të tregtisë.
Në ligj apo relacionin e projekt-ligjit nuk është e qartë strategjia përkatëse se si do të realizohen objektivat dhe shërbimet që do të merren përsipër nga DHTI dhe BDHTI, duke rritur në këtë mënyrë shkallën e pasigurisë të subjekteve tregtare ndaj shërbimit që do ofrohet nga këto dhoma, gjë për të cilën do të kryejnë dhe pagesën e detyruar.
Në modelin kontinental detyrimi për anëtarësim përmes pagesës së kuotës nga të gjitha subjektet tregtare mbështetet në delegimin e disa punëve publike DHTI-ve për shkak të lidhjeve të tyre të ngushta me biznesin, duke ndikuar në fuqizimin dhe rolin e tyre në vend dhe rritur nevojën e krijimit të instancave shtetërore mbikqyrëse që kontrollojnë përmbushjen e detyrave publike të deleguara nga DHTI. Në këtë mënyrë krijohet një raport i drejtë dhe i balancuar mes përgjegjësisë e pozicionit influencues të DHTI-ve në përmbushjen e shërbimeve dhe misionit të tyre dhe detyrimit për pagesën e anëtarësimit të subjekteve tregtare. Pra, pagesa e detyrueshme e kuotave të anëtarësimit përligjet nga mirëfuksionimi i DHTI-ve dhe synimi i rritjes së influencës së tyre në politikbërje në mbrojtjen e anëtarëve të DHTI-ve.
Së fundi, referuar prognozës së bërë në mbledhjen e të ardhurave në mënyrë të detyrueshme nga të gjitha subjektet, qoftë persona fizikë apo juridikë, misioni dhe përcaktimet ligjore në lidhje me aktivitetin e dhomave të përcaktuara në këtë ligj nuk e justifikojnë përfitimin e të ardhurave në atë nivel, i cili mund të ishte lehtësisht i krahasueshëm me buxhetin e një ministrie apo institucioni tjetër të rëndësishëm[8].
Të nderuar deputetë,
Në përfundim, referuar sa më sipër kërkoj mirëkuptimin Tuaj në rishqyrtimin e ligjit nr. 93/2016 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.9640, datë 9.11.2006, “Për dhomat e tregtisë” të ndryshuar”, pasi bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe kuadrin ligjor në Republikën e Shqipërisë.
Me respekt,
PRESIDENTI I REPUBLIKËS
BUJAR NISHANI
[1] Shih Raport i Komisionit për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, dt.3.4.2008
[2] Shih Relacion i “Projektiligjit” Për një ndryshim në ligjin nr.9640, datë 9.11.2006, “ Për dhomat e tregtisë dhe industrisë”
[3] Shih Relacioni i Ligjit 93/2016 dhe Raporti i Komisionit të Veprimtarive Prodhuese Tregtinë dhe Mjedisin, dt.21.09.2016, fq.2
[4] Letër nr.77prot, dt.13.10.2016, dërguar Presidentit të Republikës nga BDHTI të Shqipërisë
[5] Letër nr.22prot, dt.8.10.2016, dërguar Presidentit të Republikës nga përfaqësues të biznesit vendas dhe të huaj, përfshirë Dhomën Amerikane të Tregtisë.
[6] Shih Raporti i Komisionit të Veprimtarive Prodhuese Tregtinë dhe Mjedisin, dt.21.09.2016, fq.3
[7] Deklaratë e Dhomës Amerikane të Tregtisë, dt.30.09.2016
[8] Shih vlerësim mbi ndikimin financiar të Ligjit 93/2016, përgatitur nga përfaqësuesit e biznesit vendas dhe të huaj.