Presidenti i Republikës, Bujar Nishani nëpërmjet një mesazhi të bërë publik të mërkurën, u shpreh keqardhjen e thellë dhe ngushëllimet e sinqerta familjarëve, të afërmve dhe bashkëpunëtorëve, për ndarjen nga jeta të Drejtorit të Institutit të Statistikave, Gjergj Filipi.
Kreu i Shtetit shqiptar vlerësoi punën dhe jetën e “Doktorit të Shkencave” Gjergj Filipit duke e cilësuar ‘një humbje të madhe jo vetëm për familjarët, por dhe për institucionin e rëndësishëm që drejtonte, kolegët e miqtë e panumërt”.
“Puna e tij e palodhur, kontributi i rëndësishëm në fushën akademike, arritjet e tij shkencore, të cilat kapërcyen kufijtë e Shqipërisë, konsulenca e vyer në një sërë projektesh ndërkombëtare do të mbeten të pashlyeshme në kujtesën e të gjithë atyre që patën fatin ta njohin Gjergjin, edhe nga ana e tij humane, si dhe të provojnë profesionalizmin dhe përkushtimin e tij të devotshëm, sidomos në çështjet e integrimit të vendit tonë në Bashkimin Evropian”, citohet mesazhi i Presidentit Nishani.









