• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Thursday, January 1, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Aktualitet

Nga zgjedhjet e 11 majit dhe fitorja e PS me 83 mandate te protestat e Berishës/ Ngjarjet kryesore që dominuan skenën politike në 2025

by E S
01/01/2026 14:32
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Zgjedhjet e 11 Majit, ngjarja kryesore në vend, nuk sollën asnjë ndryshim në skenën politike. Edi Rama konsolidoi pozitat, me një fitore të thellë, që i dha një dominim të plotë të parlamentit. Ndërsa opozita, me Berishën në krye u tkurr edhe më tej. Konsulentët amerikanë në zgjedhje apo dhe një lobim i dyshimtë disa miliona dollarësh, nuk i dhanë as fitoren, dhe as heqjen e kryqit të “non gratas”.

Ethet elekotrale

Nën ethet e një gare që do të përballte për herë të parë, pas 12 vitesh sërish 2 figurat kryesore që dominuan jetën politike në Shqipëri gjatë viteve të tëra tranzicion, Edi Ramën tashmë në pushtet dhe Sali Berishën në krye të opozitës, do të niste një fushatë jo pak e ashpër mes dy partive kryesore. Në përpjekje për të thyer monopolin e tyre, në garë hyjnë edhe disa parti të reja, fushata e të cilave do të shihej premtuese.

Pas 12 viteve pushtet, me 3 mandate të fituara, 2 prej të cilave krejtësisht i vetëm Edi Rama u kërkoi qytetarëve ta besojnë edhe njëherë, me premtimin se këtë herë do t’u hapë dyert e shtëpisë së BE-së.

Me një ekip kandidatësh që do të dominohet nga figura tërësisht të reja në politikë, kryesocialisti do të bënte lajtmotiv të fushatës së tij pasaportën europiane, për të cilën premton se shqiptarët do ta kenë në duar para përfundimit të mandatit të katërt.

“Për ne sot këtu, nis e përpjeta e fundit të Europës. Para nesh është vetëm një datë 11 maji, i afërt sa 30 mëngjese, pas saj është vetëm 1 mandat i gjatë sa 4 vite për ta fituar bastin historik me Europën”, tha Rama në hapjen e fushatës.

Në qendër të fushatës 30 ditore, është vetë kryesocialisti Rama. Edhe slogani i këtyre zgjedhjeve për herë të parë mbante emrin e tij: Shqipëria në BE, vetëm me Edin dhe PS-në. Partia zhvishet plotësisht nga ngjyrat dhe logot e saj.
“Vota përtej së majtës, duhet të bëhemi bashkë për një moment historik”, tha Rama.

Ndryshe nga Edi Rama, që e rrethon fushatën e tij me 12 yjet e Bashkimit Evropian, Sali Berisha, e gjen frymëzimin përtej oqeanit, te Donald Trump, i cili vetëm pak muaj më parë ishte rikthyer President i Shtëpisë së Bardhë. Përreth, 20 parti opozitare dhe garda e vjetër e të besuarve të tij.

Tre muaj para zgjedhjeve, ai zbulon “surprizën amerikane”. Një nga dy drejtuesit e fushatës së presidentit Trump, Chris Lacivita, do t’i bashkohet demokratëve, me premtimin se do të bënte edhe Shqipërinë Madhështore.

Se sa do i kushtonte demokratëve Madhështia, do të mësohet vetëm disa muaj pas zgjedhjeve. Lacivita, kishte marrë 1.6 milionë dollarë, përmes 3 pagesave, për 3 herët e vetme që foli në mitingjet e tij para simpatizantëve demokratë.

Gjatë fushatës, pak javë para datës së zgjedhjeve zbulohet një tjetër kontratë e majme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Plot 6 milionë dollarë, me një kompani lobimi, me personazhe të afërta me rrethin e presidentit amerikan, për të përmirësuar imazhin e PD në Uashington dhe kryesisht, heqjen e peshës së rëndë të Non grata-s për Sali Berishën. Një kontratë me shumë pika të errëta, për të cilën PD fshihet pas një fondacioni anonim Make Albania Great Again. Por kontrata e lobimit mban dhe firmën e Flamur Nokës, në emër të koalicionit zgjedhor.

Sipas PD-së, fondet janë mbledhur nga komuniteti shqiptaro-amerikan. Por fondacioni rezulton i sapo krijuar nga një emigrant shqiptar, me origjinë nga Tropoja, Nuredin Seci. Kontrata parashikon një kosto prej 250 mijë dollarësh në muaj, dhe parapagim për tre muajt e parë. 750 mijë dollarëve të parë, u shtohet dhe një pagesë tjetër 250 mijë dollarëshe në korrik.

Kompania lobuese Continental Strategy i kërkon Departamentit të Shtetit heqjen e non gratës për Sali Berishën, duke e paraqitur atë si një politikan që nuk është më aktiv. Një përpjekje e gënjeshtërt, për të cilën vetë kompania do të detyrohet më pas të bëjë një korrigjim.

Edhe pse muajt kaluan dhe në kalendar mbërriti fundi i 2025, dilemat për këtë kontratë janë ende të pashuara dhe mjegulla e mungesës së transparencës vijon ende. Ndërsa në SHBA paguante shuma marramendëse, në Shqipëri fushatën e 11 majin e përqendron në një program elektoral që sipas tij, synonte të nxirrte shqiptarët nga varfëria ekstreme.

“Brenda 100 ditëshit të parë zhdukim varfërinë ekstreme”, premtonte Berisha.

Premtimet shpesh kthehen në meme që shpërthejnë në rrjetet sociale. Më shumë se sa një imitim i Presidentit Trump, gafat e shpeshta i japin Berishës, më shumë ngjashmëri me ish presidentin Biden. Më shumë se sa një përballje programesh, përplasja mes Berishës dhe Ramës u përqëndrua në planin personal.

Edhe partitë e reja provokuan jo pak, ndonëse mundësitë e tyre i shtynë drejt një fushate pa mitingje pompoze e skena gjigande. Rrjetet sociale ishin hapësirat ku mbaheshin fjalimet, premtimet dhe akuzat ndaj politikës së vjetër.
Gjatë fushatës mori jetë edhe një serial i ri. Lulzim Basha, tashmë si përfaqësues i një partie modeste të marrë hua nga ish deputeti “kaubojs” do të tërhiqte Edi Ramën në një duet të politikës virtuale.

Përtej mesazheve politike, shumë nga kandidatët, u përpoqën, të tërheqin vota duke ofruar në fakt një imazh të pazakontë të vetvetes.

Vota e Diasporës

Për herë të parë në zgjedhjet e 11 majit, emigrantët shqiptarë do të votojnë pa pasur nevojë për të qenë fizikisht në Shqipëri. Një proces që i kushtoi buxhetit të shtetit mbi 13.4 milionë euro.

Nga 245,935 zarfe migrantëve shqiptarë në botë, shumica e fletëve të votimit u dërguan në Itali (37.1%) dhe Greqi (27.8%), ndërsa pjesa tjetër shkoi në Gjermani, SHBA dhe Britani.

Ndonëse një proces historik, vota e diasporës u kthye shpejt në mollën e sherrit mes politikës dhe dilema se u bë mirë apo keq do të mbizotëronte debatin deri në daljen e rezultatit.

Shfaqja me shpejtësi e disa videove në rrjetet sociale, ku zarfet mbusheshin me votim familjar, do të ngrinin po ashtu pikëpyetje.

Në Greqi, shpërndarja e zarfeve përmes një kompanie të nënkontraktuar dhe jo nga vetë DHL-ja që kishte marrë përsipër procesin në të gjithë botën, nxit akuza se forca në pushtet po manipulonte procesin.

PS befason me 83 mandate, PD humbje historike
Socialistët marrin një rezultat befasues, duke veshur rozë thuajse ¾ e hartës së vendit. Ata regjistrojnë një tjetër rekord, si askush tjetër më parë, mandatin e katërt radhazi në krye të vendit. Disfata për Berishën është e qartë. E vetmja barkë shpëtimi, mbeten karta e përhershme e denoncimit të manipulimit të zgjedhjeve.
Edhe këtë herë Rama vë një bast publik për rezultatin.

Numërimi i votave i jep socialistëve 83 mandate që bashkuar me 3 mandatet e aleatit të heshtur, Tom Doshi, i garantojnë një shumicë me të cilën ka dorë të lirë për çdo gjë.

Partia Demokratike do të duhet të mjaftohet me 50 mandate. 4 të tjera ndahen mes Partisë Mundësia, Nisma Shqipëria Bëhet dhe Lëvizja Bashkë.

Në total, në rang vendi socialistët do të merrnin 53.29 % të votave, ndërsa demokratët dhe aleatët e tyre 32.91 %.

Partia Demokratike humbi votues në të gjitha qarqet. Më e thellë rënia ishte në Fier, ku mandatet u ndanë 12 me 4 e ku demokratët humbën më shumë se 20% të votuesve të zgjedhjeve të shkuara.

PS nga ana tjetër u rrit me të paktën 1 mandat në shumicën e qarqeve. Në Fier pati rritje me 3 mandate, në Elbasan me 2 apo në Vlorë 1.
Të paktën, në qarqe si Shkodra, Lezha apo Kukësi, PD ruajti epërsinë, por sërish me tkurrje votash.

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha do të ishte i pari që fliste mbi rezultatin e zgjedhjeve.

Pa u mbyllur ende numërimi ai do të fliste mbi një proces tërësisht të manipuluar dhe zgjedhje farsë që PD nuk do t’i njihte.

“Zgjedhjet e 11 majit nuk ishin të lira dhe as të ndershme. Ato u diktuan nga krimi. Bandat kriminale të qeverisë ishin aktive në 10 qarqe të Shqipërisë dhe në 20 bashki të vendit. Këto grupe kriminale patronuan 30 deputetë të mazhorancës kriminale”, tha Berisha.

Saga e denoncimeve të krimeve elektorale do të niste dhe selia blu muajt e nxehtë do t’i kalonte të tëra nën këtë panoramë.

Mes këtyre denoncimeve ai do të refuzonte të largohej, siç statuti i Partisë Demokratike e përcakton si hap të pakundërshtueshëm kur humben zgjedhjet e përgjithshme. Justifikimet e Berishës ishin se do të faktonte farsën elektorale.

“Statuti flet për zgjedhje, jo për farsë”, ka thënë Berisha.

Por as hapja e kutive të disa qarqeve nuk do të prodhonte të dhëna domethënëse që të vërtetonte akuzat e opozitës për vjedhje të zgjedhjeve.
Edi Rama e mbajti takimin falënderues pak ditë pas mbylljes së votimeve. Shqiptarët, zgjodhën mes një Shqipërie gjithnjë e më të mirë përballë një Shqipërie të përgojuar tha kryeministri në atë takim ku mblodhi rreth vetes mijëra mbështetës në sheshin ‘Skënderbej’.

“Këto zgjedhje përballën Shqipërinë që di çfarë do dhe çfarë bën dhe punon e nuk ndalet duke u ngjitur lart e më lart, me Shqipërinë që di vetëm kë nuk do dhe s’di çfarë flet dhe shan e mallkon pa pushim, duke u ulur poshtë e më poshtë. Shqiptarët zgjodhën mes një Shqipërie gjithnjë e më të mirë, të udhëhequr me krenari dhe të qeverisur me vendosmëri në rrugën e mundimshme të fatit tonë europian dhe një Shqipërie të përgojuar si vend gjithnjë e më i keq i tërë të zezave, me sy të nxirë nga grushtat e urrejtjes politike dhe trupin e tërhequr zvarrë nga gjuhët e palodhura të asaj urrejtjeje”, tha Rama.

Zgjedhjet parlamentare të 11 majit ishin konkurruese, por u zhvilluan një mjedis shumë të polarizuar dhe garuesit nuk gëzonin kushte të barabarta loje. Ky përfundim i raportit të OSBE-ODIHR do të lexohej ndryshe nga dy palët kryesore në zgjedhje dhe do të tundej si Flamur i së vërtetës së tyre.

Debati për shumë gjatë mbërthen edhe Parlamentin e ri ku demokratët zunë vendet e tyre edhe pse vazhdimisht deklarojnë se zgjedhjet si njohin.
Ndërkombëtarët uruan në bllok, ndërsa përfaqësuesit e lartë të Bashkimit evropian i vlerësuan me zë dhe figurë si proces elektoral që përmbush pritshmëritë ndaj vendi aspirant për në Bashkimin Evropian.

Marta Kos Zgjedhjet kanë qenë të lira dhe të ndershme. Është mirë kur marrim sugjerime për përmirësime dhe kjo është gjë e mirë për Shqipërinë dhe BE-në.

“Është koha tashmë që qeveria shqiptare, por edhe Parlamenti, të miratojnë një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore, e cila të përfshijë të gjitha rekomandimet e shkuara dhe të tashme nga OSBE/ODIHR”, tha Silvio Gonzato.

Qeveria e re

Teksa kundërshtarët e tij kalonin muajt duke e denoncuar për një mandat të pamerituar qeverisës, Edi Rama duhej të mendonte mbi emrat që do t’i besonte një vend në ekipin e ri të qeverisë 4. Këtë herë surprizoi duke vendosur, siç nuk kishte ndodhur ndonjëherë, edhe një ministre virtuale.

Shefi i mazhorancës e shpall qeverinë e re në Asamblenë e PS-së, në 11 shtator.

Ai ruan vetëm 5 emra nga kabineti i vjetër. Pirro Vengu te Mbrojtja, Petrit Malaj te Financa, dhe 2 ministret e Shtetit, kryenegociatorja Majlinda Dhuka dhe Adea Pirdeni si dhe Belinda Balluku do të vijonte të krahu i djathtë i Edi Ramës si numri 2 i qeverisë, si dhe ministre e Infrastrukturës.

Gjashtë emra u ulën për të parën herë në karriget e ministrave. Emërimet shkaktuan jo pak habi edhe te një pjesë e mirë e tyre, që suprizën e emërimit e morën aty për aty.

Një kryetar bashkie, i Cërrikut deri dje, Andis Salla, u bë ministër i Bujqësisë; Sofjan Jaupaj, nga zv/ministër i Mjedisit dhe Turizmit, në ministër të Mjedisit; Besfort Lamallari, nga zv/ministër i Brendshëm në ministër të Drejtësisë; Ervin Demos që la Bashkinë e Beratit dhe u bë deputet, do t’I besohej nga Rama Ministria e Shtetit për Pushtetin Vendor.

Kabinetit do t’i shtohet dhe një ministre virtuale Diella që do të shkaktonte jo pak polemika dhe një betejë të gjatë që ende vijon në Gjykatë Kushtetuese mbi legjitimitetin e saj.
“Kjo ishte qeveria e re e eksperiencës së 12 viteve. Na priftë e mbara të gjithëve”, tha Rama.

Por krahut të tij të djathtë, Belinda Ballukut, nuk do t’i prijë dhe aq mbarë. Vetëm dy muaj më pas ajo do të vihet nën akuzë nga Prokuroria e Posaçme, ndërsa hetimet ndaj saj shtrihen për të paktën 8 procedura tenderimi, ndërkohë që dyshimet janë dhe për tre raste të tjera. E ardhmja e saj politike do të varet nga përballja me Drejtësinë. Shumica po mban pezull për momentin kërkesën e Prokurorisë për arrestimin e Ballukut. Qasja e vetë kryeministrit, përballë dhe një hetimi tjetër që ka përfshirë një tjetër institucion me peshë, AKSHI-n, mbetet një rebus.

PD pas zgjedhjeve

PS konsolidoi pushtetin, e tashmë me një opozitë të re përballë, drejtësinë, Partia Demokratike nisi një periudhë të tensionuar dhe të mbushur me kërkesa për reformim.

Përballë presioneve të brendshme se nuk po reflekton as pas humbjeve Sali Berisha nis një foltore parlamentaro-qytetare para kryeministrisë, por pjesëmarrja e mbështetësve e reduktuar vetëm në një grusht nxit edhe më tepër pakënaqësi në rradhët e demokratëve.

Nën këtë klimë, i pari që guxon hapur, është Ervin Salianji i cili pjesën më të madhe të vitit e kishte kaluar në burg.

I pakënaqur nga veprimet politike të lidershipit, Salianji do të nisë një lëvizje që sic ai e pagëzon, synon zgjimin e Partisë.
“Demokratët janë duke thirrur, Shqipëria është duke thirrur, thirrjet e tyre s’duhen relativizuar dhe nuk duhen injoruar. Këto thirrje janë dhimbje që rëndojnë dhe duhet të rëndojnë në peshën e përgjegjësi të çdo politikani, e kam ndjerë këtë thirrje dhe përgjegjësia jonë duhet të jetë e qartë, PD duhet të përgatitet të udhëheqë ndryshimin”, tha Salianji.

Dhe efektin e ka të menjëhershëm. Sali Berisha nuk ngurron ta quajë armik dhe të paralajmërojë përjashtimin e tij nga Partia Demokratike.
“Kush bashkëpunon me krimin, është i vetëpërjashtuar”, tha Berisha.

Por kjo përplasje duket se nuk do të mbyllet me ding-dongun e ndërrimit të viteve.

Berishës, i përfundon mandati në 2026 dhe zërat për ndryshim po shtohen, në mos në radhët e figurave të zëshme, te ata që e rikthyen në krye të PD, anëtarët e thjeshtë me të cilët ka nisur një tur takimesh si kundërpërgjigje ndaj turit të Ervin Salianjit. /shqiptarja.com

Next Post
Paralizohet qarkullimi në autostradën Tiranë-Elbasan! Trafik i rënduar në ditën e parë të vitit

Paralizohet qarkullimi në autostradën Tiranë-Elbasan! Trafik i rënduar në ditën e parë të vitit

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Festimet në Fier / Në spital paraqiten 25 të rinj të dehur, 3 persona të lënduar nga fishekzjarrët

Festimet në Fier / Në spital paraqiten 25 të rinj të dehur, 3 persona të lënduar nga fishekzjarrët

January 1, 2026
Sulmet gjatë natës së Vitit të Ri, Moska dhe Kievi akuza njëra-tjetrës/ Raportohet për 24 të vdekur në Kherson

Sulmet gjatë natës së Vitit të Ri, Moska dhe Kievi akuza njëra-tjetrës/ Raportohet për 24 të vdekur në Kherson

January 1, 2026
Festimet, Proda takim me punonjësit e Rrugores: Zero tolerancë për drejtimin e mjeteve nën efektin e alkoolit

Festimet, Proda takim me punonjësit e Rrugores: Zero tolerancë për drejtimin e mjeteve nën efektin e alkoolit

January 1, 2026
Lushnje, Benz-i me shpejtësi “skëterrë” merr para Volswagen-in. Pamje pas aksidentit

Lushnje, Benz-i me shpejtësi “skëterrë” merr para Volswagen-in. Pamje pas aksidentit

January 1, 2026
Spiropali uron homologun qipriot për Presidencën e BE: Shpresojmë për një proces zgjerimi gjithëpërfshirës! Begaj: Fokusi tek integrimi i..

Spiropali uron homologun qipriot për Presidencën e BE: Shpresojmë për një proces zgjerimi gjithëpërfshirës! Begaj: Fokusi tek integrimi i..

January 1, 2026
Kurti mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të ish-kryeparlamentarit Daci: Emër me rëndësi në historinë e shtetndërtimit të Kosovës

Kurti mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të ish-kryeparlamentarit Daci: Emër me rëndësi në historinë e shtetndërtimit të Kosovës

January 1, 2026
Hyn sot në fuqi rritja e pagës minimale në 50 mijë lekë/ Përfitojnë rreth 308 mijë të punësuar në sektorin publik dhe privat

Hyn sot në fuqi rritja e pagës minimale në 50 mijë lekë/ Përfitojnë rreth 308 mijë të punësuar në sektorin publik dhe privat

January 1, 2026
Erdhën në jetë minutat e para të 2026-ës, zv.ministrja Tomini u dorëzon prindërve “Bonusin e bebes”

Erdhën në jetë minutat e para të 2026-ës, zv.ministrja Tomini u dorëzon prindërve “Bonusin e bebes”

January 1, 2026
FOTOLAJM/ Çelja e fushatës, mungojnë flamujt dhe posterat me logon e PS! Në shesh vetëm flamuri i Shqipërisë dhe BE

Shqipëria 2025, më pranë BE. Çelen të gjithë kapitujt në negociatat e anëtarësimit

January 1, 2026
Zvicër, tragjedia në resortin e skive/ Dëshmitarët: Zjarri nisi nga fishekzjarret e vendosura te shampanja, kamarieret…

Zvicër, tragjedia në resortin e skive/ Dëshmitarët: Zjarri nisi nga fishekzjarret e vendosura te shampanja, kamarieret…

January 1, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com