Dy persona janë arrestuar në Sarandë, pasi dyshohet se po përpiqeshin të transportonin kundrejt pagesës gjashtë emigrantë të huaj drejt kufirit me Greqinë, me synim kalimin e tyre më pas në vendet e Bashkimit Europian.
Në pranga kanë rënë A. D., 50 vjeç, dhe F. Ç., 59 vjeç, të dy banues në Tiranë, raporton noa.al.
Ata janë kapur në vendin e quajtur “Pagane”, në afërsi të vijës kufitare me Greqinë, teksa lëviznin me dy automjete që dyshohet se do të përdoreshin për transportimin e emigrantëve.
Gjashtë emigrantët janë shtetas nga Pakistani, Bangladeshi dhe India. Sipas Policisë Kufitare, ata kishin hyrë në mënyrë të paligjshme në territorin shqiptar përmes kufirit tokësor me Greqinë dhe synonin të vazhdonin rrugën drejt vendeve të BE-së.
Ndaj tyre ka nisur procedim penal për kalim të paligjshëm të kufirit.
Dy automjetet e përdorura nga personat e arrestuar janë sekuestruar, ndërsa materialet i janë kaluar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.











