Këshilli i Paqes i presidentit amerikan Donald Trump pritet të prezantojë një plan gjashtëmujor për rimëkëmbjen e Gazës, me një buxhet prej 2.45 miliardë dollarësh.
Sipas Axios, plani përfshin 66 projekte dhe është hartuar gjatë një viti nga Këshilli i Paqes dhe qeveria teknokratike palestineze. Ai parashikon financime për strehim të përkohshëm, pastrimin e rrënojave dhe eksplozivëve, rehabilitimin e spitaleve, rikthimin e shërbimeve bazë dhe rimëkëmbjen ekonomike.
Plani vlerëson dëmet materiale në Gaza në rreth 35.2 miliardë dollarë, ndërsa rindërtimi i plotë gjatë dekadës së ardhshme mund të kushtojë rreth 71.4 miliardë dollarë.
Rreth 1 miliard dollarë janë parashikuar për infrastrukturën, përfshirë 400 milionë dollarë për strehim të përkohshëm, 275 milionë për pastrimin e rrënojave dhe eksplozivëve dhe 50 milionë për rehabilitimin e spitaleve.
Një pjesë e rëndësishme e planit lidhet me sigurinë. Rreth 275 milionë dollarë do të përdoren për krijimin e një baze në Rafah për Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit, ndërsa 140 milionë dollarë do të shkojnë për rekrutimin dhe trajnimin e një force shumëkombëshe sigurie.
Plani parashikon gjithashtu 120 milionë dollarë për policinë palestineze dhe 20 milionë dollarë për një program që synon nxitjen e dorëzimit të armëve nga grupet e armatosura në Gaza.
Rreth 400 milionë dollarë janë parashikuar për strehimin e palestinezëve të zhvendosur. Emiratet e Bashkuara Arabe pritet të financojnë gjithashtu projektin “Lagjja Emirate” në Rafah, i cili synon të strehojë rreth 50 mijë persona.
Plani përfshin edhe investime në shëndetësi, arsim dhe teknologji, përfshirë sistemin digjital të identifikimit, pagesat elektronike, rrjetin 4G dhe sistemet elektronike shëndetësore e arsimore.
Megjithatë, financimi mbetet një nga sfidat kryesore. Deri tani nuk janë siguruar të gjitha 2.45 miliardë dollarët e nevojshëm.
Zbatimi i planit do të varet gjithashtu nga zhvillimet politike dhe bashkëpunimi i Izraelit, Hamasit, qeverisë palestineze dhe vendeve donatore.
Në takimin informues pritet të marrin pjesë përfaqësues nga rreth 35 vende, ndërsa ndër folësit do të jenë Jared Kushner dhe i dërguari i Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff.











