Me biçikletë, në këmbë, me tren… Më shumë se 50 mijë refugjatë kanë kaluar Maqedoninë që nga fillimi i këtij viti duke synuar të mbërrijnë në vendet e Bashkimit Europian. Të ardhur nga Siria, Afganistani, Iraku ata kalojnë Ballkanin, shpesh të ndihmuar edhe nga popullata, por edhe të grabitur nga bandat kriminale të rrugës.
MediaPart.fr*
Janë me mijëra këto ditë ata që i qepen autostradës dhe hekurudhës së Maqedonisë në drejtim të kufirit serb. Këta refugjatë kanë ikur para disa muajsh nga Siria, Afganistani dhe Somaila me shpresën që të mbërrijnë në Europën Perëndimore, në Gjermani apo në vendet skandinave.
Fillimisht kanë vajtur në Greqi, shpesh me varkë nga Izmiri i Turqisë. Tashmë policia greke mbyll sytë dhe u lejon të futen në Athinë e më pas në Selanik. Pastaj kalojnë në këmbë deri në kufirin maqedon dhe vazhdojnë rrugën e vështirë drejt Europës. Në këmbë, me biçikletë, me tren, me kamionë.
Gjatë 5 muajve të parë të vitit, afro 50 mijë migrantë kanë kaluar nëpër Maqedoni. Prej disa javëve fenomeni është në rritje. Kapacitetet e pritjes së vendit janë të stërngopura dhe Bashkimi Europian mungon tmerrësisht.
Në Gjevgjeli, qyteti i parë i Maqedonisë, një biznes i frytshëm u ngop; emigrantët mund të huazojnë biçikleta për çmime që shkojnë nga 120 deri 150 euro. Përderisa qendra e vetme e pritjes është ngopur që prej disa muajsh, policia nuk tenton t’i ndalë, por ligji specifikon që nuk kanë të drejtë ta përdorin trafikun publik. Ata më me “fat” marrin taksi kolektive që mund t’u kërkojnë deri 1500 euro për person. Më të varfërit ikin në këmbë ose me biçikletë dhe kalojnë vendin në dhjetëra ditë udhëtim dhe ia dalin në qoftëse ua lejon shëndeti.
“Është shumë e rrezikshme të marrësh varkën nga Italia. Rruga tokësore është më e gjatë dhe më e vështirë, por rrezikojmë më pak të vdesim” – shpjegon Haruni, një student në Elektronikë me origjinë nga Der ez-Zor në Siri, që ishte nisur para një muaji me dy shokë.
Autostrada Gjevgjeli – Shkup – Kumanovë është një punishte permanente, gjë që është fat për çiklistët që shfrytëzojnë korsinë e ndaluar për veturat dhe mund të ndalen pa shumë risk. Ata parakalojnë “maratonistët” e tjerë që lëkunden nga të nxehtit. Ditët e fundit, termometri kap temperaturat deri 35°C që në orën 9 të mëngjesit. Sirianët janë shpesh djem të rinj të diplomuar.
Shumë nga grupet e shokëve ia kanë dalur të rrijnë bashkë nga Alepi ose Damasku. Shohim nganjëherë femra të mbulura që mundohen të ecin rrugës, kurse disa çiklistë përkundrazi të japin përshtypjen sikur janë një grup shokësh që kanë dalë për një shëtitje të dielën.
Këtu, një grup sirian po bën një pushim. Shpesh, veturat ndalen për t’u dhënë shishe me ujë ose pako biskotash. Maqedonia është një vend tranzit prej 3 viteve, por që nga fillimi i këtij viti, fluksi ka marrë një rritje të dukshme si kurrë më parë. OJQ-të e rralla aktive në vend, prej të cileve “Mjekë pa Kufinj” vlerësojnë që dy deri në tre mijë persona të rinj arrijnë çdo ditë në vend. Kjo valë që nuk pushon së bymehuri ka zgjuar shoqërinë civile. Në të gjithë Maqedoninë qytetarë organizohen për t’u ardhur në ndihmë refugjatëve.
Por, Maqedonia ka një reputacion të keq. Ata që ecin, ecin me hezitim për shkak të bandave kriminale që marrin peng dhe vjedhin të huajt. Ahmedi është me origjinë nga Mosuli. Pasi kishte lënë ferrin iraken, mori varkën në Izmir të Turqisë me një grup refugjatësh në destinacion të Greqisë. “Në Evzoni, kufiri me Maqedoninë, kemi takuar një kalimtar sudan. Na tha të iknim në Vaksincë, jo larg Kumanovës, në një shtëpi ku do të ishim të sigurtë. Kemi rënë dakord të paguanim 800 euro për të kaluar kufirin serb në një kamion. E në fund m’u desh të paguaj haraç prej 1200 eurove. Nga të burgosurit kishte afganë, nigerianë, sudanezë, sirianë… Fillonin duke na i konfiskuar këpucët. Gardianë të armatosur me AK-47 na ndiqnin. Ata që nuk kishin para rriheshin deri sa familja e tyre të çonte shumat e kërkuara me Ëestern Union. Kur u lirova, një javë më vonë, nuk më kishte mbetur asnjë kacidhe” – tregon Ahmedi.
Lenche Zdravkin jeton në Veles, në qendër të vendit. Shtëpia e saj del te hekurudha, rrugë që ndjekin emigrantët. “Çdo ditë i shihja duke kaluar. Fillova t’i thërras, për t’u ofruar ujë dhe ushqim. Nganjëherë, disa prej tyre kanë frikë, por e kuptojnë që nuk ua dua të keqen.” – thotë ajo.
Pako me ujë mineral, kartona ushqimi, këpucë, kompresa të radhitura në hyrje të shtëpisë së të transformuar në një depo të vërtetë. “Nuk i kam kushtet për të blerë bukë” – thotë ajo duke qeshur. “Po ashtu, bukën e bëj unë vet. Nganjëherë më vijnë nga 300 deri 400 emigrantë në ditë. Dje, erdhën në orën 2 të mëngjesit”.
Dy afganë sapo erdhën totalisht të raskapitur. Nuk flasin anglisht. Lenche i fton me gjeste për t’u larë këmbët me zorrën e ujitjes, u shëron flluskat e lëkurës, u jep çorape dhe këpucë. Por si shumë të tjerë, këta dy njerëz nuk duan të vonohen. Japin shpejtë një falenderim dhe ikin me një çantë ushqimesh.
Adresa e Lenches qarkullon në rrjetet sociale. Në fasadën e shtëpisë së saj ajo ka vënë një fotokopje të pasportës sëË “Jehad Al Masalmeh. I lindur më 21 shkurt 1966 në Daraa të Sirisë”. Familja e këtij njeriu, e cila ka kaluar e vetme në Gjermani, ka humbur çdo kontakt me Jehad që nga Selaniku. Supozohet që ai duhet të kalojë nga Velesi ditët e ardhshme.
Lenche ka filluar t’i ndihmojë emigrantët që para një viti e gjysmë, fillimisht e vetme. “Që nga muaji maj, numri i tyre në rritje nuk ka të ndalur dhe njerëzit filluan të më ndihmojnë”. Kjo grua 48-vjeçare është bërë referencë në Maqedoni. Dy vetura të organizatës Legis, një shoqatë e juristëve të rinj që ka vendosur një rrjet të “pikave mbështetëse” gjatë gjithë rrugës që emigrantët ndjekin, e pyesin atë se si është gjendja dhe më pas u sjellin këpucë të reja. Sot, aktivistët e Legis janë shoqëruar nga Nusreti, një sipërmarrës shqiptar nga Struga në perëndim të vendit, ku kishte marrë me qira një kamion të mbushur plot me produkte të nevojave primare. Një javë para fillimit të Ramazanit bën bamirësi, por ky vrull i solidaritetit bashkon pa asnjë vështirësi ortodoksë dhe muslimanë. “Para disa ditësh për herë të parë, kam qarë” – na beson Lencheja. “Një çift i papunë që mbijeton me ndihma sociale erdhi të sjellë disa pako ushqimesh”.
Prej garës së vogël së Velesit, në drejtim të veriut të vendit dhe të Kumanovës, afër kufirit serb. Aty, ditë e natë, grupet ndodhen para xhamisë ‘Tatar Sinan Beg’. Të shtunën ishin më shumë se 1 mijë vetë. Mëngjesi duket si pazar i biçikletave. Disa ‘të mençur’ negocjojnë, me siguri për t’i zbritur në jug të vendit. “Biçikletat tuaja janë Made in China, s’vlejne asgjë” – shpjegon një blerës që flet anglisht me disa afganë. “Ju jap 30 euro për biçikletë maksimumi”.
Emigrantët kalojnë kufirin serb mbi fushat e Tabanovcit kur bie nata . Policia serbe as që tenton t’i ndalë më. Në stacionin e vogël të Negotino-Vardarit, dhjetra afganë dhe sirianë presin kalimin e trenit. Në një orë, u shoqëruan edhe nga tre-katër grupe të tjera që bëjnë rrugën duke ecur përgjatë hekurudhës. Emigrantët rimarrin forcat e tyre në një shatërvan, të vëzhguar nga dy maqedonë të vjetër që marrin po ashtu trenin. Një peshkatar vjen nga Vardari me çizme dhe dollakë, me kallam peshkimi në dorë . I moshuari ulet dhe u ofron termusine mbushur me verë. “Janë muslimanë këta, ore!” – i thorë një grua. Pija shërbeu megjithatë për të dezinfektuar këmbët e një siriani thellësisht të fryra nga lëndimet.
Treni vjen më në fund dhe shefi i stacionit i nxiton emigrantët të hipin, por kur treni u ndal një polic del te porta e secilit vagon dhe bllokon çdo hyrje. “Pse i këtrajtojnë njerëzit kështu? Të ishte për mua mund të udhëtojnë madje edhe pa biletë” – shprehet i pakënaqur shefi i stacionit. Refugjatët kthehen të ulen nën hijën e depove të vjetra.
Angel, banues i Velesit dhe bashkëshorti i Lenches, tregon këtu një vend ku janë të varrosur kufoma të emigrantëve. Gruaja e tij, ai dhe një grup banorësh ndihmojnë emigrantët ta kalojnë kufirin serb. Shumë nga ata kërkojnë azil në Serbi. Janë 22 182 emigrantë gjatë 5 muajve të parë të vitit 2015, gjë që u lejon të qëndrojnë disa kohë në këtë vend, teorikisht edhe qasje në një qendër pritjeje.
Kjo etapë mund të jetë poashtu edhe si një mënyrë për të pushuar para se ta rimarrin rrugën. Ata që nuk duan të futen në këtë procedurë duhet të deklarohen në komisariatin e Preshevës, qyteti më i afërt i kufirit, ku u jepet një dokument që u mundëson të qëndrojnë 72 orë në territorin serb. Me këtë letër mund të marrin trenin ose autobusët që ngjiten për Beograd.
Pastaj futen në Vojvodinë duke tentuar të kalojnë ilegalisht kufirin hungarez edhe pse autoritetet e Budapestit po shqyrtojnë tanimë një “mbyllje totale”.
“Mafiadonia”. Kështu e quajnë emigrantët Maqedoninë. Dhunë, abuzime, fatkeqësi… Komisioneri i Lartë për Refugjatët (HCR) është ‘i brengosur’ për rrezikun në rritje me të cilin ndeshen ata që kalojnë rrugën e Ballkanit Perëndimor.
Më 24 prill, 14 emigrantë janë shtypur nga një tren disa kilometra në veri të Velesit. “U kemi thënë të kenë kujdes nga banditët” – shpjegon Angel, bashkëshorti i Lenches. “Një grup somalezësh është ulur në hekurudhë në një tunel për të pushuar. Ishte ora 23 :00. Afganë të tjerë arritën. Kanë dëgjuar zëra dhe kanë menduar se ishin grabitës. Të dy grupet filluan të qëllojnë njëri-tjetrin me gurë. Treni mbërriti dhe shtypi 13 afganë dhe një somalez” – thotë Angel. Në varrezat myslimane të Rastanit, disa kilometra nga Velesi, pushojnë në një varr kolektiv 14 trupa. Pa asnjë emër!
Përgatiti Ardit Rada*