Trashëgimtarja e vetme Eqerem bej Vlorës, (i ati i tij Syrjai, djali i xhaxhait të Ismail Qemalit), është larguar nga jeta disa ditë më parë. Dikur, në këtë intervistë, na ka treguar jetën e saj pas largimit të të atit në Itali, ku punoi si gazetar. Çfarë trashëgoi në pasuri dhe në mënyrën e jetesës nga sëra e bejlerëve të mëdhenj, të cilëve u përkiste. “Në hyrjen juglindore të qytetit të Vlorës, në kryqëzimin e shumë rrugëve, që duke zënë fill nga Rruga e Skelës të çonin në qendër të qytetit, në mes të një parku të madh prej 40.000 metrash katrorë, rrethuar me mure të larta tetëmetërshe dhe me dy porta në të, ka qenë deri në vitin 1925 një ndërtesë e stërmadhe, me një tjetër më të vogël përpara.
Ai ishte konaku i Vlorajve, përfshi haremin (banesën e grave) dhe selamllëkun (banesën e burrave). Kurse populli, këtë kompleks e quante thjesht ‘sarajet e beut’. Këtu, më 1 dhjetor 1885, linda unë, si bir i Syrja bej Vlorës dhe i Mihri hanem Toptanit. Dhe siç më tregon nëna, “linda me këmishë”, d.m.th, si kanakar i fatit. Kjo besë- tytni popullore më ka sjellë vërtet fat në jetë, por i lumtur unë nuk kam qenë kurrë”. Këto copëza përshkrimesh nga fëmijëria e të atit, vajza e dytë e Eqerem bej Vlorës, Ajnishaja, e vetmja pasardhëse që kishte mbetur prej tij deri pak ditë më parë, i kishte të lexuara, si të gjithë ne, prej librit “Kujtime” të shkruar nga i ati.
Fragmente të vogla prej tij kishte dëgjuar edhe nga e ëma, në vitet e gjata që jetoi me të dhe të motrën, porse nga babai vetë nuk mundi të dëgjojë asnjëherë asgjë. Fati e desh, që ndryshe nga i ati, ajo të mos lindte “me këmishë”, të mos ish kanakar e fatit, dhe e lumtur të ndihej vetëm në vitet e fundit, gjatë pleqërisë së saj. Lumturi kjo, e dhuruar nga pasardhësit që do t’i jepnin fëmijët e nga ato kujtime materiale, që do të rifitonte sërish prej babait të saj. ‘Shtëpia e beut’, siç vazhdon të quhet e është quajtur gjithëherët në Vlorë, i kishte kaluar trashëgimtares së mbetur të familjes, duke i dhënë kështu mundësinë për t’u futur realisht në kujtimet që babai pat hedhur në letra.
Vetëm përfytyrimet mund ta ndihmonin, që si në fotografi e shkrepur gjatë një darke në Vjenë ku ajo ishte përzgjedhur si më e bukura “puzzle”, të formonte oxhakun e stërmadh të sallonit, bibliotekën e pasur, prej së cilës kishin mbetur vetëm drurët e qershisë me njolla mole. Pra, ç’kishte parë në fotografitë e mbetura të familjes, dhe ç’mbante ende në kujtesë, nga rrëfimet e frikura të mamasë. Në kohën kur ajo ishte rritur, e denjë për të kuvenduar shtruar me të ëmën, bisedat për të atin mund të bëheshin vetëm nëpër dhëmbë, duke e kontrolluar zërin për të mos u dëgjuar, ndryshe rreziku mund të shfaqej në çdo çast.
Anishanë, Eqerem bej Vlora e la aq të vogël sa ajo vetë nuk mund të ketë as edhe një parafytyrim të turbullt të imazhit të tij. Prandaj, edhe kur e pyetëm për ngjarje familjare lidhur me të (ato që i kishin thënë e që nuk janë pjesë e kujtimeve në librat e tij), ajo nuk i ndërtonte dot në rrjedhë kronologjike, porse shkëpuste situata a përjetime që, pavarësisht viteve që mban sot mbi supe, i kanë mbetur ende përpara syve.
Përtej politikës e historisë, a keni ndonjë kujtim të gjallë prej babait tuaj?
Kujtime të gjalla nuk mund të kem, sepse kam qenë fare e vogël kur ai është larguar nga Shqipëria. Isha vetëm nëntëmuajshe. Ime motër që ish gati 12 vite më e madhe në moshë se unë, e pati fatin për ta njohur e për ta kaluar një pjesë të fëmijërisë me të dy prindërit, ndërsa unë jo. Përveç kësaj, vitet që kanë kaluar, por edhe vështirësitë fizike që unë kam kaluar, kanë bërë të vetën, as rrëfimet rreth tij nuk i kam më të gjitha në kujtesë. Një arsye tjetër pse ndodh kështu, është edhe sepse ato më janë rrëfyer thuajse në gjysmë zëri. Pas largimit të babait, jetesa u bë për ne shumë e vështirë, u degdisëm sa nga njëri vend në tjetrin dhe, që të rrije në këtë nivel jetese, pra, të mos përfundoje edhe më keq, duhet të kishe sjellje ‘korrekte’, pra, temat rreth tij të mos ishin të shpeshta. Pa dyshim, që askush, në asnjë rrethanë, nuk mund të na i mohonte, veçse i bënim gjithnjë me drojë.
Mund të na sillni diçka prej atyre rrëfimeve?
Sikundër mund të dini nga historia, pas formimit të qeverisë së Ismail Qemalit, që ishte xhaxhai i tim ati, babai është zgjedhur deputet, ka qenë anëtar i qeverisë dhe ka vazhduar që prej kësaj kohe të jetë në poste të ndryshme drejtuese si ministër i Jashtëm, ministër i Tokave të Çliruara të Kosovës etj. Ka qenë mik me Fan Nolin, edhe pse me pikëpamje të ndryshme me të, ka qenë mik i Princ Vidit, e të tjera si këto, që ndoshta i keni të lexuara. Në 1925 është martuar me time më, Hadije Vrionin, dhe lindi pas kësaj ime motër Lajla, vite më vonë edhe unë. Lajla ka lindur në Romë, ndërsa unë në Shqipëri.
A nuk kanë pasur Vlorajt lidhje fisnore me Vrionasit?
Po, kanë pasur dhe në fakt im at i binte ta kishte time më njëkohësisht kushërirë të tretë. Por martesa e tyre është bërë me mblesëri, kështu funksiononte atëherë. Ishte një siguri nga ana e të dyja familjeve, që pasuria të qëndronte mes tyre. Im at e ka shprehur edhe vite më vonë pas martesës, duke e konsideruar atë si një gabim. Ka thënë shprehimisht se “nuk duhet të isha martuar me time kushërirë”. Në fakt, ka ndodhur e njëjta gjë edhe me babanë e tij, e ëma e Eqerem beut ka qenë prej familjes Toptani… Salloni i shtëpisë së Eqerem bej Vlorës, siç e quanin “sarajet e beut” Po, ka funksionuar e njëjta skemë, që siç dihet është bërë për të njëjtat arsye.
Lukset e bejlerëve, përveç jush, të gjithë i kanë shijuar. Motra juaj vetëm për disa vite, por mamaja po, sepse edhe vetë vinte prej po këtij rangu. Ç’ju kanë treguar?
Po ju tregoj për humor diçka që më ka ndodhur pas viteve ’90, kur shkuam në Itali me tim shoq, si gjithë shqiptarët e tjerë. Ishim edhe ne mes turmave të njerëzve, që prisnin lëmoshë prej nga t’i vinin. E kam fjalën për ushqimet që na hidhnin italianët në kohën e eksodeve. Tim shoqi i pati rënë një banane pranë dhe nuk dinte si ta hante. E kthente e rrotullonte, duke u përpjekur ta kafshonte me gjithë lëkurë. As unë nuk kisha parë ndonjëherë, ama sa ma tregoi, më erdhën në kujtesë, mes asaj lufte për mbijetesë, tregimet e sime motre për një frutë tropikal që piqej në vendet e ngrohta. Më tregonte sesi ky fryt hahej, pasi i ishte hequr lëkura. Bëhet fjalë që ajo i kishte provuar që në vitet ’30-të. Vetëm nga përshkrimi i kam njohur dhe i kam thënë tim shoqi se si duhet ta hante. Ky është një episod që e kujtojmë shpesh e qeshim. Pastaj, mamaja më ka treguar për vitet e bukura të jetesës së tyre. Udhëtimet e darkat, ku ftoheshin nëpër vende të ndryshme të Europës. Emocionet e mira që ndiente, kur e veçonin si më të bukurën nga të tjerat për ta fotografuar. Më ka treguar për një darkë në Vjenë, kur babai ka qenë ministër i Jashtëm. I ishin afruar për t’i kërkuar leje, nëse mund të fotografonin të përzgjedhurën e asaj darke. Atë fotografi të familjes mund ta shihni këtu mes të tjerash.
Ju ka ardhur keq që ju s’keni qenë pjesë e këtyre privilegjeve?
Atëherë ndoshta po, tani që jam mirë me familjen time, me nipër e me mbesa, gjërat kanë ndryshuar, sado që tepër vonë. Atëherë po, domosdo që kishe keqardhje. Për shembull, gjatë ecejakeve në Tiranë, kur ende ishim të pastabilizuar, sepse nuk dihej se ku do na çonim, kaloj përdore me mamanë përpara godinës së Ministrisë, ku kishte pasur zyrën babai. Ime më më tregon duke kthyer shikimin andej nga kishte qenë dritarja e zyrës së tij, me pamje nga rruga. Në atë situatë që ishim ne, ku s’i dihej sesi do të na vinte filli, të kishe të tilla përjetime, të vinte keq patjetër. Apo koha kur kishin jetuar për pak në Angli e babai pyeste mamanë nëse do t’i pëlqente të jetonin përgjithmonë aty. Pretendimet e saj për kohën kur më rrëfeheshin mua këto gjëra, ishin krejt qesharake e të dhembnin. “Jo, i thoshte, nuk më pëlqen të jetoj këtu, sepse s’e duroj dot avullin nëpër xhama, brenda dritareve”. Më tregonte se prej të ftohtit, xhamat atje ishin dopio dhe krijonin avuj, që atë e bezdisnin. Edhe sot, këto teka të bëjnë të qeshësh.
Tekave ajo nuk mund t’u shpëtonte. I kishte lënë në shtëpinë e vjetër e i kishte gjetur në atë të renë…
Po, po, ime gjyshe, Mihrije Toptani, ka qenë më shumë se kaq. Më tregonte mamaja se si njëherë kishte kërkuar prej kuzhinierit italian të familjes, Hozesë, t’i gatuante arapash, siç i thoshte ai, polenta. E meqë ish zevzeke nga natyra, kalonte nga kuzhina demek për ta kapur në befasi. E bëri këtë gjë edhe kur kishte kërkuar arapashin dhe e gjen Hozenë duke provuar gatimin me lugë, të cilën e rifuti në enë. Reagimi i saj ishte i menjëhershëm, aq sa kuzhinieri u pushua nga puna. Pas viteve ’90- të kemi takuar Mirton, punëtorin që bënte pazarin. Rrëfimet e tij, që ne i bëjmë tashmë në të qeshura e sipër, natyrisht, janë pafund. Nuk numërohen herët që gjyshja ia kthente mbrapsht mishin që kish blerë sepse nuk bënte. Një nga këto herë, Mirto kish takuar rrugës Eqeremin, i cili pasi e merr vesh ç’kishte, i thotë që të rrijë, të pushojë ca kohë në stol e të kthehet në shtëpi, demek e ka ndërruar mishin. Mihrija as që kuptonte gjë dhe e lavdëronte mishin e dytë. Kështu shpëtuan të gjithë.
Ç’u bë me ju pas largimit në Itali, në ’44-n, të babait?
Pasi vendosi të largohej, babai na çoi te halla në Tiranë, te ish-Ambasada Kubaneze. Jetuam atje deri në ’50-n. Mamaja i kërkoi të na merrte me vete, por ai kish frikë nga të papriturat e detit e motit të keq dhe nuk na mori. Pasi na hoqën edhe nga halla, shkuam në Babrru, te një kushërirë jona e pas asaj në Durrës. As aty nuk na lanë, derisa përfunduam në Kavajë, ku mundëm të gjenim strehim e ku më në fund njerëzit nuk po na trajtonin si në vendet e mëparshme, ku kishim qenë, ishin të mirë me ne.
Ndërkaq kishit lajme nga babai, ç’ishte bërë me të?
Babai kishte shkuar në Itali, ku vazhdoi të qëndrojë për 10 vite, duke punuar si gazetar në Raiuno. Në kohët e para nuk dinim asgjë, përveçse që ishte gjallë, sepse të gjitha letrat a pakot që niste, ktheheshin mbrapsht. I lejuan vetëm për një farë kohe në vitet ’60-të, pastaj sërish u ndërprenë. Dërgonte letra të shkurtra me pseudonim, kartolina ku shkruante fare thjesht.
Me ç’pseudonim, e kujtoni?
Po, si të mos e kujtoj, andej i kishim të gjitha shpresat. Nënshkrimi i tij ishte Adalxhiza Rosi.
Po ju si e ndërtuat jetën në Kavajë?
Jetonim me ato pak që mund të merrnim prej babait, disa para ai na i dërgonte përmes vajzës së hallës, që jetonte gjithashtu në Itali. Mbaruam shkollën deri në fund të gjimnazit. Pastaj unë, ndryshe nga shoqet, nisa punë në fidanishte. Motra punonte në ndërtim, por vdiq në moshë të re prej një gripi që atëherë quhej “Hong Kong”. Pas vdekjes së saj unë u sëmura dhe kalova vite të këqija. Ime më kërkoi punë në Komitetin Qendror, ku i qëlloi një vlonjat që e ndihmoi. Edhe mua, pasi u përmirësova, më futën të punoja në qeramikë, në artistiken e Kavajës, ku punova derisa dola në pension. Po aty u martova e krijova edhe familjen time. Mamaja vdiq në vitin ’84.
Prej babait deri kur patët lajme? Ç’u bë me të pas largimit nga Italia?
Pasi u mund pak në moshë, babai ishte transferuar në Vjenë, ku punonte po si gazetar, por me kohë më të reduktuar. Atje ka jetuar me motrën e mamasë, që ka qenë e ëma e Hëna Këlcyrës, derisa ka vdekur 78 vjeç nga zemra.
Meqë jemi në prag të 100-vjetorit të Pavarësisë, por edhe sepse është gjithsesi e rëndësishme, na tregoni pak për historinë e flamurit që Eqerem bej Vlora solli prej France.
Sipas gojëdhënave, kur babai ka qenë në Francë, ka takuar një të ri që ish nga fisi i Skënderbeut, Aldo Kastrioti quhej. Ai i pat dhuruar një flamur, të cilin babai e vendosi në kornizë dhe e mbante në shtëpi, në dhomë të gjumit madje, siç më ka treguar mamaja. Në ’12-n, kur do ngrihej flamuri, Ismail Qemalit i ishte treguar kjo gjë dhe ai dërgoi Eqeremin në shtëpi për të marrë flamurin kuq e zi. Babai i pat thënë se këtë flamur mund t’ua jepte vetëm hua, megjithatë u kishte treguar se në lagjen “Muradije” ishte një Marigo, që qëndiste shumë bukur. Në bazë të këtij modeli, ajo mund të qëndiste flamurin që dëshironin. Dhe kështu ngjau… Biblioteka e tij, në mos jo sa flamuri, ka qenë mjaft e dëgjuar për pasurinë. Aq sa në atë shtëpi që sot është juaja, ka qenë për vite të tëra biblioteka e qytetit.
Çfarë kishte mbetur prej saj kur rimorët shtëpinë?
Babai ka ditur 11 gjuhë, kështu që mund ta merrni me mend se ç’literaturë e larmishme gjendej në raftet e shtëpisë së tij. Thuhej se biblioteka e tij ka qenë një ndër më të mirat në Ballkan. Pas ’90-s, prej saj kishte mbetur vetëm mobilja e shkatërruar. Një pjesë të tyre është thënë se i mori jugosllavi në ’45-n, ndërsa pjesa tjetër mund të jetë edhe në Tiranë. Ajo ka qenë kryesisht e pasur me enciklopedi. Përmes të njohurve kemi mësuar se disa prej tyre janë edhe në Vlorë. Tani vonë madje, është zbuluar se ‘Vallja e Shpatave’ është në Muzeun e Vlorës./Panorama/a.m.