Nga Kreshnik Kuçaj
Mesnata e 25-26 prillit të vitit 1986, mund të konsiderohet si një nga netët më katastrofike në historinë e shekullit të XX-të! Një prej reaktorëve të centralit bërthamor që prodhonte energji në veri të Ukrainës, shpërtheu papritur duke shkaktuar viktima e, duke ngritur lart një re të dendur radioaktive. Ky aksident, konsiderohet si një prej katastrofave më të rënda në histori, si për pasojat, ashtu edhe për numrin e viktimave. Reja e dendur radioaktive nisi të shpërndahej në Rusi e Ukrainë, për të vijuar më pas edhe Francë, Itali e deri në Shqipëri. Ky aksident konsiderohet si një ngjarje që ndryshoi rrjedhën e historisë. Helmimi radioaktiv dhe rrezikshmëria që sillte energjia bërthamore, bënë që shumë shtete t’i largoheshin kësaj teknologjie, për prodhimin e energjisë.
Emisioni ‘DOSJA E’ ka transmetuar raporte ekskluzive dhe dëshmi që vijnë për herë të parë në ekranin shqiptar lidhur me atë që ka ndodhur në javët e ankthit që mbërthyen Shqipërinë e vitit 1986…! “Ashtu si shumë vende të tjera, Shqipëria e mësoi me vonesë lajmin për katastrofën që kishte ndodhur në Çernobil, natën e 25-26 prillit 1986. Aparaturat e matjeve rutinore të vendeve europiane, kishin arritur të kapnin radioaktivitet të shtuar duke ngritur alarmin për atë që kishte ndodhur, një alarm që arriti përmes medias në Tiranë, shumë më herët sesa reja radioaktive”, shprehet profesor doktor Edmond Panariti, asokohe pjesë e grupit të punës, që u ngrit për përballimin e emergjencës.
Disa eksperimente bërthamore globale që ishin kryer në mesin e viteve ’70-të, kishin bërë që Shqipëria asokohe të ngrinte një rrjet të tërë monitorimi periodik të nivelit të radio-aktivitetit. Rrjeti i monitorimit periodik të radioaktivitetit, i cili ekzistonte prej vitit 1977, përfshinte 11 pika kontrolli, të ngritura nga Instituti i Fizikës Bërthamore, në Bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes, përmes të cilave bëhej marrja e përditshme e mostrave të ujit nga lumenjtë, sidomos të atyre që komunikonin me territore të shteteve të huaja, si dhe të ujit të detit. Njëkohësisht bëhej mbledhja e depozitimeve atmosferike në dy pika në Tiranë dhe Korçë. Mostrat ujore dhe ato të depozitimeve atmosferike silleshin çdo dy javë në Institutin e Fizikës Bërthamore, ku përcaktohej niveli dhe përmbajtja e radio-aktivitetit me një sistem matës të ndjeshëm.
Ky lloj kontrolli për kushte normale cilësohej si i mjaftueshëm dhe i ngjashëm me atë që bënin vende e tjera. Veç matjeve që bënte Instituti i Fizikës Bërthamore, një sistem i tërë pajisjesh dozimetrike më pak të ndjeshme, ishin të shpërndara në të gjithë vendin dhe ato përdoreshin nga ushtria. Krahas sistemit të monitorimit, Shqipëria kishte miratuar në vitin 1985, vetëm 1 vit para aksidentit teknologjik të Çernobilit edhe një plan emergjence në raste sulmi bërthamor. E ky plan emergjence, do të vihej në zbatim në fillimin e majit të vitit 1986, si rrjedhojë e ndryshimit të papritur. “Lajmi e kishte marrë dhenë në një rrugë tjetër. Radioaktiviteti kishte nisur të shfaqej në ato shtete rreth, si: Austri, Çekosllovaki e Poloni. Lajmi doli në media, që ka ndodhur, kjo etj. Një komunikim me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike dhe ata na informuan”, tregon Prof. Dr Përparim Fuga, ish-drejtor i Institutit të Fizikës Bërthamore, asokohe pjesë e grupit të punës, që ishte ngritur për përballimin e emergjencës.
“Shërbimi suedez dhe norvegjez dha alarmin, sepse Bashkimi Sovjetik i asaj kohe as nuk kishte ndërmend ta bënte publike dhe gjithçka ishte ruajtur, në një sekret hermetik. Nuk donte që bota ta merrte vesh këtë incident të rëndë bërthamor. Por kjo ishte e pamundur, pasi pas matjeve në ajër nga shërbimet e Suedisë dhe Norvegjisë, u lajmërua. Kështu, ky sekret nuk mbahej dot më i fshehur, prandaj Bashkimi Sovjetik u detyrua të lajmëronte fillimisht Agjencinë e Energjisë Atomike në Vjenë dhe të shpallte një aksident të rëndë bërthamor, në centralin e Çernobilit. Fatkeqësisht, erërat ndryshuan drejtim. Pra në datën 27, 28, 29 prill, erërat lëvizën kryesisht drejt perëndimit dhe veriut dhe më pas reja radioaktive, nisi të lëvizë në Europën Juglindore”, tregon Pr. Dr Edmond Panariti.
“Instituti që më herët, me të marrë vesh për aksidentin, kishte filluar të merrte disa masa, pavarësisht se nuk kishte ndonjë përvojë, apo eksperiencë. Kishte filluar të merrte kampione ajri. Të cilat me anë të një pompe ajri, të cilat futeshin në filtra dhe mateshin çdo ditë, që nga data e aksidentit nisi ky monitorim nga Instituti. Në maj, filtri shfaqi radioaktivitet”, tregon Prof. Dr. Përparim Fuga
Ardhja e resë radioaktive, nga Çernobili në Shqipëri
Lajmi se mbi Shqipëri mbërriti reja radioaktive e Çernobilit, shkaktoi jo pak ankth në popullatë, por edhe te udhëheqja e kohës. Duke ndjekur planin e emergjencës, u ngrit menjëherë Komisioni i Mbrojtjes së Mjedisit. “Institucioni kishte tre rrjete monitorimi, (që nuk ishin të ngritura për aksidentin, por për qëllime të tjera), rrjetin e emergjencave, që konsistonte në monitorimin e ajrin, (duke marrë kampione ajri dhe matje radioaktiviteti). Pas këtij aksidenti, ky rrjet u zhvillua dhe u ndërtuan 5 stacione. Një; Kukës, Shkodër, Korçë, Tiranë në Vlorë e Gjirokastër, të cilat masnin radioaktivitetin e ajrit dhe e transmetonin në kohë reale.
Kishte rrjetin e matjeve ambientale, ishin 11 pika të vendosura në reparte ushtarake buzë lumit, ku merreshin kampionet dhe një herë në dy javë, analizoheshin në Institutin e Fizikës Bërthamore. Ky ishte një tregues shumë i mirë sepse në mënyrë të vazhdueshme matej radioaktiviteti. Pse në ujra? Sepse gjithçka shkonte në lumenj ose në det. Dhe rrjeti i tretë, ishte rrjeti i matjeve të dozimetrisë të punonjësve që ishin të angazhuar në veprimtari në fushën e Fizikës Bërthamore. Këto 3 rrjete, u aktivizuan menjëherë”, tregon Prof. Dr. Përparim Fuga.
“Unë kam qenë në atë kohë punonjës kërkimor shkencor në Institutin e Kërkimeve Veterinare, në një sektor që kishte emërtimin e Radio-biologjisë së Rrezatimeve. Në atë kohë ne kemi pasur struktura të posaçme, që merreshin me studimet e ndotjes radioaktive, rrezatimit jonizues në rastin e një lufte bërthamore. Kjo luftë nuk ndodhi ndonjëherë, por ndodhi ky shpërthim, që mund të themi ishte një mini luftë bërthamore, pasi metodologjia e trajtimit është e njëjtë, prandaj ne ishim të parët në radhë të kësaj historie. Kemi bashkëpunuar ngushtë me Institutin e Fizikës Bërthamore, për të cilët kam një konsideratë të veçantë, për fizikantët që u morën me matjet dhe studimet e radioaktivitetit në tokë, ujë, ajër dhe ushqim, pasi qartazi, reja radioaktive na përfshiu”, shprehet Prof. Dr. Edmond Panariti.
Këshilli i Ministrave kërkoi menjëherë një raport për situatën e radioaktivitetit në Shqipëri. Ja se si e përshkruan situatën Ministri i Shëndetësisë së asaj kohe, Ajli Alushani, që drejtonte Komisionin e Mbrojtjes së Mjedisit, në një raport që mban datën 3 maj 1986.
“Lidhur me avarinë e Centralit Bërthamor sovjetik, kontrolli i filluar menjëherë nga Instituti, ka treguar se deri në orën 14 të datës 30.4.1986, nuk u ndje ngritje aktiviteti radioaktiv. Në matjet e datave 1 dhe 2 maj të këtij muaji, rezulton një nivel radio-aktiviteti 2, deri 3 herë më i lartë, se niveli bazë. Kjo është shumë më e ulët, se niveli i rrezikshmërisë”, shkruhej në dokument. Në pasditen e datës 2 maj 1986, ky nivel arriti 10-fishin e nivelit bazë. Në këtë situatë, Komisioni i Mbrojtjes së Mjedisit duke u mbështetur në këto të dhëna pasi dhe në tërheqjen e mendimeve të specialistëve arriti në përfundimet e mëposhtme:
– “Aktualisht ky nivel ndotës, nuk paraqet probleme shqetësuese për mjedisin dhe gjendjen shëndetësore të popullatës.
– Ecuria e nivelit të ndotjes në ditët e ardhshme, tani për tani mbetet i panjohur, prandaj Instituti i Fizikës Bërthamore po vazhdon vrojtimet për të dhëna të sakta, ndërsa rrjeti i vëzhgimit radioaktiv në rrethe, kryen matjet orientative të përditshme. Duke u ndodhur përpara kësaj situate, Komisioni i Mbrojtjes së Mjedisit, vendosi të merren këto masa:
1 – Të informohet popullata nëpërmjet organeve të shtypit, të Radios dhe Televizionit, për të patur njohuri më të qarta mbi këtë problem.
2 – T’i rekomandohet popullatës, pastrimi me ujë të rrjedhshëm i zarzavateve të freskëta, mënjanimi i përdorimit për pirje të ujit nga burimet e hapura dhe rezervuarët. Kufizimi i qëndrimeve të gjata të grave shtatzëna dhe fëmijëve të vegjël, në mjediset e hapura.
3 – Për disa produkte ushqimore që do të importohen nga vendet që kanë deklaruar ndotje të rëndësishme, para se t’i jepen për konsum popullatës, Instituti i Fizikës Bërthamore, do të bëjë analizën për prezencën dhe nivelin e lëndëve radioaktive.
4 – Në formë sondazhi do të merren analiza të ujit, tokës e bimësisë në disa rrethe për t’u analizuar në Institutin e Fizikës Bërthamore.
Kryetari i Komisionit Qendror të Mbrojtjes Mjedisit
Ajli Alushani, Tiranë 3 maj 1986.
Krahas raportit nga kreu i Komisionit të Mbrojtjes së Mjedisit, qeveria e kohës kërkon informacione edhe nga Instituti i Fizikës Bërthamore. Po me datën 3 maj 1986, Instituti i drejtuar asokohe nga fizikanti Skënder Koja, informon Këshillin e Ministrave lidhur me lëndën radioaktive që ndodhej edhe në qiellin e Shqipërisë, duke evidentuar natyrën dhe rrezikshmërinë e tyre. Instituti në këtë raport, kërkonte që të tregohej maturi me reagimin, pasi situata nuk ishte alarmante sa e mendonte Komiteti i Mbrojtjes së Mjedisit dhe madje jepte edhe shembuj, duke thënë se kjo nuk ishte hera e parë që Shqipëria përballej me një problematikë të tillë. Kërkesa e institutit, ishte që popullata të mos alarmohej.
“Këto rritje duhen konsideruar shumë të vogla po të kemi parasysh se normat ndërkombëtare, vlerësojnë si preokupante për popullatën një rritje prej 100 herësh, kundrejt nivelit bazë natyrore. Madje dhe rritja prej 100 herësh, mund të shkaktojë problem serioze, vetëm po të vazhdojë për një kohë të gjatë prej shumë javësh. Po të nisemi nga kjo logjikë, duhet qëndruar në mendimin se nivelet e regjistruara sot nga ne, nuk përfaqësojnë asnjë rrezik. Problemi që mbetet i panjohur, është ai i dinamikës që do të pësojë situata në ditët e ardhme. Për këtë, mund të bëhet ky parashikim. Duke u nisur nga fakti se; brumi i ndotjes radioaktive është mbyllur, situata e përgjithshme, duhet të vijë duke u përmirësuar. Në qoftë se ndonjë kombinim i disfavorshëm faktorësh meteorologjikë, do të çojë në rritje, kjo e fundit duhet të jetë e vogël dhe afatshkurtër. Prandaj mendojmë, se nuk ka asnjë arsye për t’u shqetësuar. Lidhur me informatat e huaja, mbi disa udhëzime për popullatën të cilat janë dhënë edhe nga ne, ato duhen interpretuar si më poshtë:
Ekziston teorikisht një probabilitet që rrezatimi bërthamor të shkaktojë ndryshime gjenetike. Për nivelet e përmendura më sipër, këto mundësira janë tepër të papërfillshme, por normat morale të mjekësisë siç dihet, kanë për detyrë të mënjanojnë çdo faktor dëmtues që mund të shmanget. Në të vërtetë faktorët e tjerë që provokojnë ndryshime gjenetike, si substancat kimike etj., janë shumë më të rëndësishme se sa ky faktor i ri që u shfaq këto ditë dhe që do të jetë krejt provizor”, shkruhej në raport. Parashikimi i kreut të Fizikës Bërthamore, Skënder Koja, në këtë raport, do të rezultonte i saktë sepse faktori i ri rezultoi të ishte krejtësisht provizor. Por në shkresën e Kojës, kuptohet një shqetësim tjetër, ai që kishte kaluar më herët Shqipëria, në vitet 1976-1977, kur Kina kishte bërë prova bërthamore.
“Sasia e lëndëve radioaktive që është lëshuar në atmosferë nëpërmjet provave bërthamore që vazhduan deri pak vite më parë, është qindra herë më e madhe, se sa sasia që është lëshuar nga ky aksident. Dhe megjithatë, asnjëherë nuk janë bërë paralajmërime alarmante për popullatën. Vetë instituti jonë, ka regjistruar një rritje shumë të madhe të sasisë së radioaktivitetit në vitet 1976-1977, pas provave kineze në atmosferë, me gjithë largësinë e madhe të vendit të eksplozionit”, shkruhej në raportin e Kojës, ku duket qartë tendenca për të mos krijuar panik të mëtejshëm, në Shqipërinë e mbërthyer nga frika, ashtu si pjesa tjetër e botës.
Cilat qytete dhe zona të Shqipërisë, u prekën më shumë nga radioaktiviteti i Çernobilit?
“Ka përshkruar kryesisht territoret e Shqipërisë veri-lindore dhe juglindore, ndërsa më pak e prekur ishte pjesa perëndimore e vendit. Por veri-lindja dhe jug-lindja kanë qenë të prekura mjaft. Nisur edhe nga relievi kryesisht i thyer malor, reja kishte tendencën të përplasej me pllajat e larta me terrenet malore. Në atë kohë për fat të keq ka pasur edhe reshje lokale, kështu që u zhvillua ajo që quhet; ‘Fenomeni i Njollës së Leopardit’.
Pra aty ku kishte reshje, kishte ndotje të madhe dhe aty ku nuk kishte reshje nuk kishte ndotje në nivele të larta. Niveli më i lartë regjistruar dhe i raportuar i radio-aktivitetit në atë kohë, ishte në Rrajcë të Librazhdit. E gjithë Zona e Librazhdit le të themi në datat 6-7 maj 1986, pati reshje dhe pati depozitime të larta të jodit radioaktiv, që ishte dhe elementi kryesor i zbërthimit radioaktiv që mbërriti në Shqipëri, por në nivele të ulta, pati edhe element si ceziumi 134, ceziumi 137, stroncium 189, por 90% të ndotjes kemi pasur jod radioaktiv”, tregon Prof. Dr. Panariti.
“Pozitiv ishte fakti që ne patëm një mbrojtje, qoftë për shkak të distancës nga vendi i aksidentit, por në mënyrë të veçantë nga alpet, terreni malor, bëri që reja radioaktive të orientohet kryesisht në zonën veri-lindore dhe e preku shumë pak pjesën e Shqipërisë qendrore dhe jo perëndimore. Radioaktiviteti u shfaq në bimë, ujë, ajër në produkte të ndryshme dhe menjëherë u morën masat e mundshme, që mund të merreshin në atë kohë”, tregon Prof. Dr. Përparim Fuga.
Fenomeni i ndotjes së qumështit
Data 5 maj shënon një pikë kthese në impaktin që reja radioaktive pati në Shqipëri. Situata bëhet alarmante për faktin se për herë të parë në Librazhd, reshjet e shiut kishin bërë që grimcat radioaktive të zbrisnin poshtë dhe përmes barit, të kalonin te bagëtitë e, më pas të qumështi që ato prodhonin, duke përbërë rrezik për popullatën. Ja si përshkruhet situata në informacionin numër 3 të Komisionit Qendror të Mbrojtjes së Mjedisit.
Informacion numër 3
Komisioni Qendror i Mbrojtjes së Mjedisit, u mblodh me datë 5 maj ora 18:00, për të shqyrtuar ecurinë dinamike të ndotjes së mjedisit deri në orën 16:00 të datës 5 maj dhe arriti në këto përfundime: Matjet e kryerja nga Instituti i Fizikës Bërthamore në orë 16:00 të datës 5 maj, tregojnë një rritje të radio-aktivitetit të depozituar në sipërfaqen e tokës. Matjet absolute në mostrat e qumështit të marra në tregun e Tiranës dhe në fermën e Selitës, treguan vlera prej rreth 400 bekerel, të cilat kundrejt normës maksimale të lejuar, 9 mijë bekerel, konsiderohet i ulët. Mostrat e qumështit të marra nga ushtria në Rrajcë të Librazhdit dhe e matur në Institutin e Fizikë Bërthamore pas orës 16:00 të datës 5 maj, treguan një nivel të lartë radio-aktivitetit prej 13 mijë bekerel, që është rreth 45 % mbi normën maksimale të lejuar, për kushte të jashtëzakonshme. Këto dukuri të papritura, mesa duket shpjegohen me shirat që kanë rënë në zonën e Rajcës, gjatë dy ditëve të kaluara.
Por duke patur parasysh parashikimin e motit, reja radio-aktive që ka qëndruar mbi vendin tonë këto ditë, pritet të largohet dhe situata e përgjithshme e atmosferës duhet të vijë duke u përmirësuar. Megjithatë për rastin e jodit në qumësht, për shkak se efekti i tij, lidhet jo me gjendjen e atmosferës, por me atë të shkallës së kontaminimit të barit, mundet që niveli të vazhdojë rritjen përkohësisht. Duke pasur parasysh këtë situate, komisioni arriti në këto përfundime: Të shtrihet marrja e mostrave të qumështit dhe barit në rrethet Librazhd, Pogradec, Korçë, Shkodër, Kukës, Dibër, Bajram Curr, Gjirokastër dhe Tiranë. Rezultatet e analizave do të jepen në 7 maj, pas orës 18:00. Propozojmë që qumështi i prodhuar në ekonomitë e fshatit Rrajcë të Librazhdit, të mos përdoret për konsum nga popullata, por të përpunohet në djathë e nënprodukte të tij dhe të vihet në ruajtje, për t’u përdorur pas 2 muajsh. Situata po ndiqet në vazhdimësi dhe për përfundimet do ju njoftojmë.
“Padyshim ishte njëherë ndotja e ajrit, por ishte diçka që kaloi shpejt, sepse për fat nga data 4-5, pati reshje të dendura që në një mënyrë ose tjetër, aurezolet i ulën në tokë dhe ndoqën një rrugë tjetër, jo nëpërmjet frymëmarrjes. Ndërkohë në produktet ushqimore u dhanë udhëzime të qarta, si duhet të laheshin e pastroheshin, çfarë të pihet e, çfarë jo. Për qumështin që ishte sensitiv, të dhënat e asaj kohe tregonin se 90 % e qumështit vinte nga pjesa jugore dhe perëndimore e Shqipërisë dhe të gjithë e dimë, se kryesisht në atë kohë, kemi konsumuar qumësht pluhur, që s’kishte të bënte me Çernobilin, por në ato raste kur kishte nivele të larta, ndaloheshin për t’u përdorur. Ky ishte një efekt dhe u përballua dhe unë do të thosha se u përballua me sukses kur nuk kishim përvojë, por edhe me kufizime aparaturash”, tregon Prof. Dr. Përparim Fuga
“Ne kemi pasur një problem shumë të madh, për të përcaktuar nivelin më të madh të lejuar. Kush do ishte niveli që do quhej i rrezikshëm ose jo. Ne ishim totalisht në errësirë sepse në manualet e ushqimit të asaj kohe, as që ishte menduar të vendoseshin kufij të lejuar, për ndotjen radio-aktive. Behej fjalë për ndotjen bakteriale, insekticide, pesticide, por për ndotjen radio-aktive, nuk ishte menduar ndonjëherë. Kështu që ne duhet të përcaktonim me dakordësi brenda komitetit, se kush do ishte niveli maksimal i lejuar mbi të cilat, do vendosnim pragun: ç’është mbi këtë nivel, duhet shkarkuar/asgjësuar dhe çfarë ishe poshtë, mund të përdorej për konsum publik. Ishte një debat i madh. Gjetëm një material referues provizor, që e lëshoi Organizata Botërore e Shëndetësisë, e cila vetë ishte e papërgatitur, për të mbajtur një qëndrim në këtë situatë.
Aty përcaktohej për jodin 131 dhe jodin 125, niveli 2000 bekerel (njësi matëse për radioaktivitetin specifik për litër qumësht). Nëse do thuhej tani që niveli maksimal i lejuar është 2000 bekerel, do përbënte një skandal në kohën që jetojmë, sepse agjencia amerikane e ushqimit dhe barnave, ka përcaktuar si nivel të lejuar aktualisht vlerën 150 bekerel, pra përtej këtij niveli, duhen marrë masa të menjëhershme. Ndërsa ne në atë kohë i lejuam vetes luksin, që të kishim këtë nivel të rekomanduar nga OBSH. Dhe këtë përdorëm si nivel për të vendosur, nëse ushqimi duhet konsumuar ose jo. Por edhe pse ishte nivel i lartë, disa herë e kemi kapërcyer me matjet tona. Mesa më kujtohet në Rrajcë të Librazhdit, kemi pasur vlera të radio-aktivitetit që kanë shkuar edhe në 6000 apo, 7000 bekerel, për litër qumësht. Ndërsa në mish, pjesa më e rrezikuar ishte ajo e muskujve të qafës të bagëtive, sepse aty përqendrohej gjëndra tiroide, ku kishte nivele shumë të larta.
Kur çuam mostrat në spitalin e Tiranës, në laboratorin “Tetra 1”, që merrej me realizimin e grafive të pacientëve me tiroide, shinografia ishte alarmante, pasi bëhej fjalë për solucione të holluara radioactive në brendësi të mishit. Ndaj u dha urdhëresë që të hiqej dhe groposej menjëherë pjesa e qafës, së të gjitha bagëtive që sakrifikoheshin për ushqim. Kjo u zbatua padyshim në thertoren e Tiranës, ndërsa në thertoret e tjera të Shqipërisë, nuk jam i sigurt nëse është zbatuar, mbetet për t’u parë. Shpresoj të jetë zbatuar, pasi nëse është konsumuar mishi në pjesën e qafës, është njësoj si të jetë pirë solucion radioaktiv sepse, i tillë ka qenë përqendrimi i jodit radioaktiv”, tregon Prof. Dr. Edmond Panariti
Situata e problematikës me konsumin e qumështit të bagëtive të imëta, do të zgjaste deri më datën 19 maj 1986, kohë kur do të shënoheshin nivele të ulëta të jodit në qumësht, duke e bërë të panevojshëm, ndalimin e konsumit të tij në Shqipëri. Në atë kohë nuk do të mungonin as përplasjet mes specialistëve për nivelin e matjeve, ku do të pranoheshin gabime me nivelin e rrezatimit në produkte, por që zyrtarisht në fund u arrit në konkluzionin se; edhe pse matjet ishin bërë gabim për qumështin, sërish edhe me matjet e reja, vendimi për të ndaluar konsumin e tij do të ishte i pashmangshëm.
“Në fillimet e veta vështirësia kryesore ishte paniku që u krijua, të gjitha këto ndikonin, mungesa etj, por mungesa më e madhe ishte mungesa e standardeve. Nuk kishte standard me të cilat të bëje matjet. Për qumështin ishte më lehtë, se e ndërtojë standardin me ujë, por për bimët, mishin ishte e vështirë që të ndërtoje standarde dhe të bëje matje. Kjo mund të ketë sjellë devijime nga vlera e matur te e sakta, por me kalimin e kohës, u eleminuan dhe matjet u konsoliduan. Fakt është që në përfundim të gjithë kësaj, që zgjati rreth 1 muaj me intensitet të lartë, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike i dha matjet standarde dhe ato u konvertuan me ato që kishim bërë ne. Po ashtu ka botime të autorëve shqiptar dhe të huaj, që tregojnë një kovergjencë midis rezultateve të arritura nga punonjësit e Institutit dhe matjeve të bëra në vende fqinje, si Greqia”, tregon Prof. Dr. Përparim Fuga.
Por ndërsa në këtë periudhë emergjenca kishte kaluar dhe reja radio-aktive nuk përbënte më rrezik për të dëmtuar përmes rrugëve ajrore, por vetëm përmes grimcave që ishin depozituar në tokë pas reshjeve të shiut, vendi gjendet përballë një sfide të re; asaj të tregtisë. Shumë vende lindore, nuk po arrinin të eksportonin mallra në vendet e paprekura, me argumentin se ato ishin të kontaminuara. Pjesë e ndalimeve u bë edhe Shqipëria, e për këtë qëllim, organet e tregtisë kërkonin që të pajiseshin me dëshmi nga Instituti i Fizikës Bërthamore, që produktet që po eksportoheshin, nuk kishin lëndë radio-aktive.
Emergjenca dhe ankthi në Shqipëri, do të zgjaste deri në fund të muajit maj. Por sfida e re, do të ishte ajo e radio-aktivitetit që kishte zbritur në tokë. E një prej problemeve që pranohet në një raport përmbledhës të 22 shtatorit 1986, ku jepet përmbledhja e ecurisë së radio-aktivitetit në periudhën qershor-shtator 1986, është ajo e bimëve mjekësore, që rezultonin të vetmet që shfaqnin problem.
Problemi me eksportin e bimëve mjekësore
“Një nga llojet e eksporteve me vlerë për Shqipërinë e asaj kohe ishte eksporti i bimëve medicinale, që territori ynë ka me shumicë. Konkurrenca jonë kryesisht ishte me vendet e Jugosllavisë, të cilat po ashtu kishin bimë medicinale dhe eksportonin. Rrethanat e prunë që territori i Jugosllavisë, të kontaminohej më shumë se i joni dhe produktet e tyre u bllokuan.
Te ne siç e thashë, zona veri-lindore; Kukës, Peshkopi, Librazhd, ishte ajo që u kontaminua më shumë. Eksportet tona, dy a tre anijet e para, që nisën drejt Gjermanisë, u kthyen dhe nuk arritën ta shkarkojnë mallin atje, se ishin në nivel më të lartë se ai i lejuari i rrezatuar. Aty ju dha Institutit edhe detyra e dytë që ishte të matej radio-aktiviteti i bimëve medicinale, që do eksportoheshin.
Por kjo nuk ishte e lehtë, sepse mungonte përvoja, ishte grumbulluar ca përvojë nga qumështi dhe produkte të tjera, por ishte gjë tjetër. Përgjegjësia ishte e madhe, sepse bëhej fjalë për mijëra ton, që bënin rrugë dhe ishte keq të ktheheshin pas. E treta nuk kishim etalone, përdorej përvoja e teknikës “montecarlo”. Pra u bë një kalkulim që bëri të mundur llogaritjen mes kampionëve të bimëve medicinale, me një kampion uji, kush ishte dallimi që mund të vinte prej përbërjes, dhe filluan matjet.
Filluan, por ishin të kufizuara në numër, sepse ishte një aparat i vetëm, për një kohë të gjatë matjeje, kështu që mund të bëje disa matje në ditë, ndërkohë anija kishte mijëra ton. Volum shumë i madh pune për t’u përballuar. Ishte shumë e vështirë. Këtu lindi ideja e krijimit të një grupi të dytë, të cilët, duke marrë një sasi materiali të matur saktë me këtë mënyrën e parë, me kampione të veçantë, arritën që të bëjnë matje në volume të mëdha. Ndërtuan disa thasë me bimë medicinale, të cilave ju njihej radio-aktiviteti dhe u përdorën si etalone, për të matur pastaj në mënyrë rifugio.
Matje kamioni, matej në vapor, e gjithë sasia. Kjo e lehtësoi shumë punën, e shpejtoi. Problemi megjithatë për ne mbetej, sa të sakta ishin matjet?! Pasi e kishim marrë një “goditje”, nga periudha e mëparshme, që patën disa diferenca. Në përfundim pas një muaji, erdhën rezultatet e para. Të gjithë vaporët u shkarkuan, dhe diferenca e matjeve tona me ato gjermane, ishte shumë e vogël, rreth 6 %. E mbaj mend shumë mirë, se ishte e vogël për matje të kësaj natyre. Nga kjo anë, mund të themi që aksidenti, ishte me përfitim ekonomik, sepse me sa mbaj mend, ishte një shifër disa miliona dollar, që u përfitua për shkak se konkurrentët humbën terren prej ndotjes së lartë që kishin, ndërsa ne përfituam nga kjo dhe matjet e sakta që kishim”, shprehet Prof. Dr. Përparim Fuga.
Eksperimenti pak i njohur shqiptar, për radio-aktivitetin në vitin 1987
Krahas monitorimeve të vazhdueshme të nivelit të radio-aktivitetit në vend, Shqipëria nuk u ndal në marrjen e masave parandaluese dhe menaxhuese për rrezatimin që kishte pasur, por i zhvilloi edhe më tej studimet. Edmond Panariti, tregon se ka udhëhequr një studim eksperimental, që ka nisur në fundin e vitit 1987 dhe përfundoi në vitin 1988.
“Instituti i Sigurisë Ushqimore, u ngarkua nga qeveria e asaj kohe që të ndërmerrej një studim eksperimental, për të parë se cili ishte fati i shpërndarjes së ndotjes radio-aktive në qumësht dhe në mish, në rastin e një ndotjeje radio-aktive. Ishte eksperimentale dhe mu ngarkua mua. Isha në krye të një grupi pune ekspertësh dhe importuam me leje lëndë radio-aktive, nga Centrali i Budapestit dhe punuam kryesisht me jod. Centrali atje ishte eksperimental dhe ne porositëm jod radio-aktiv dhe cezium. Por punuam kryesisht me Jod. Të punosh me Jod, është shumë e rrezikshme, ndaj ne kishim një sektor që kishte të gjitha masat për t’u mbrojtur dhe ne ishim të veshur si kozmonaut, që shmangnim ndotjen nga rrezatimi.
Po kështu kafshët mbaheshin izoluar. Unë kërkova të punoja edhe në lopë, por nuk më lejuan, sepse janë kafshë të mëdha, por më dhanë leje të punoja në dele dhe në dhi. Kemi krijuar eksperimente të ndotjes së simuluar, duke dhënë kapsula jodi përmes gojës, sikur ishin të ndotura nga një shpërthim bërthamor. Dhe më pas merrnim në mënyrë periodike mostra qumështi, urine dhe në sekuenca të caktuara, edhe mostra gjaku. Si përfundim, edhe i sakrifikuam delet, për të marrë nivelet e jodit në gjendrën teroide dhe indet e ndryshme dhe krijuam një ide të qartë për mekanizmin i transmetimit, sa qëndronte lënda në mish dhe qumësht, për masat që duheshin marrë dhe kufizimet në rast të një ekspozimi të mundshëm, të blegtorisë tonë”!
“Natyrisht pati studime të shumta në të gjithë botën, por ne e morëm me shpejtësi këtë histori sepse, qeveria e asaj kohe ishte në alarm. Ju e dini si ka qenë ajo fobia e asaj kohe nga një sulm prej imperialistëve, revizionistëve dhe donin që të ishin të përgatitur. Kjo ngjarje ishte një sinjal që kjo që ndodhi me centralin, mund të ndodhë me një sulm. Dhe ju e dini sa të përgatitur ishim ne, me bunkerë, etj.”, tregon Prof. Dr. Edmond Panariti.
Ndryshimi i sistemit politik dhe rënia e komunizmit, do të shoqërohej me harresën e shpejtë të asaj që kishte shkaktuar në Shqipëri, katastrofa më e madhe teknologjike në histori. Dhe në këtë kontekst, Shqipëria nuk ka monitoruar të dhëna se cilat kanë qenë pasojat reale, që shkaktoi shpërthimi i Çernobilit në Shqipëri?! “Praktikisht, ai nxori në pah domosdoshmërinë e institucioneve të kësaj natyre. Dhe në mënyrë të veçantë fuqizimin e rrjeteve të monitorimit. Këto rrjete erdhën duke u përmirësuar, deri në vitin ’96-’97, ndoshta diçka më vonë funksiononin, ndërsa aktualisht, nuk e di a funksionojnë apo jo. Por për mendimin tim, duhet të jenë dhe duan kujdesin e tyre”, shprehet Prof. Dr. Përparim Fuga
“Tani është vonë kanë kaluar aq vite, dhe nuk kemi të dhëna epidemiologjike për të përcaktuar, pasi nuk ka studime mbi popullatën që ishte e ekspozuar dhe çfarë ka ndodhur me të ndër vite. Sa ka qenë insidenca e keq-formimeve, e patologjive, kancereve, veçanërisht ai i tiroideve, në krahasim me pjesën tjetër të popullsisë, që nuk ishte shumë e ekspozuar. Vetëm nëse do kishim këto statistika, do mundeshim ta tregonim realisht efektin e këtij shpërthimi. Për sa kohë nuk i kemi, çdo hamendje do ishte një spekulim. Por ndotja ka qenë, se ishte e matur”, përfundon Prof. Dr. Edmond Panariti.
/a.d