Nga Ben Andoni
Ndërsa PS-ja dhe PD-ja, dy partitë e mëdha dhe kolegët e tyre në partitë e vogla, kanë nisur fushatën dhe madje po artikulojnë kandidaturat e para (disa janë vetëofruar), Tirana, qyteti ynë, vuan patetizmin dhe lakminë e shumë syreshëve që duan të lidhin karrierën e tyre me mbarëvajtjen e kryeqytetit. Në përgjithësi, të gjithë janë larg identikitit të profesionistit. Qytetit tonë i duhet një inxhinier dhe kjo është e dukshme.
Në listën e kryebashkiakëve të pas viteve ’90, të paktën, dy syresh ishin inxhinierë. Zoti Sali Kelmendi dhe Albert Brojka shërbyen në momentet më të vështira të qytetit, kur vendoste anarkia dhe fuqia politike. Edhe pse të dy kishin formim inxhinierik, drejtimi i tyre nuk kaloi pa vërejtje prej urbanistëve dhe publikut dhe, jo thjesht për vendimmarrjen. Argumenti që do trajtohet bie pak, po të mendosh se përvoja e Kelmendit dhe Brojkës tregon se formimi inxhinierik nuk mjaftoi për t’i dhënë qytetit zhvillimin e duhur urban. Në fakt, mbi shpatullat e tyre ishte buxheti i pakët, mungesa e kuadrit të duhur ligjor dhe, mbi të gjitha stabiliteti politik. Në këtë hulli, Kelmendi u fokusua më shumë tek privatizimi dhe i duhej të bënte zgjidhje emergjente sociale, kurse Brojka me brishtësinë e tij do ishte thellësisht i bllokuar mes tollovisë së vitit 1997 dhe sidomos përballjeve me qeverinë qendrore. Edi Rama që erdhi nga artet liberale (Artet e Bukura dhe Krijuese) arriti të vendoste koncepte estetike dhe përmirësoi imazhin e grihnajës së kryeqytetit. Ai u fiksua në memorie për zhdukjen e kaosit të kioskave, por do mbahet mënd po ashtu për lejet e tepruara të ndërtimit dhe tkurrjen në ekstrem të hapësirave të brendshme të pallateve. Ndërkohë që infrastruktura shoqëruese nuk përballej në të njëjtën gjatësi vale me rrjetin rrugor, nuk u mendua për vendet e parkimit, ngritjes së shkollave dhe kopshteve të reja. Vonesa e Planit të Përgjithshëm Rregullues, ishte një nga minuset e mëdha por që justifikohej me përplasjet me pushtetin qendror. Pasardhësi i tij, Lulëzim Basha, i laureuar për Drejtësi, kujtohet nga mbështetësit e pakët të thekur se arriti të ulë taksat vendore për biznesin e vogël, liberalizoi procedurat administrative dhe nisi punimet për Bulevardin e Ri dhe Lumin e Tiranës. Kritikët e tij të shumtë që vinë nga dy anët e spektrit politik e kritikojnë për flegmatizmin, mungesën e vizionit dhe bllokimin e zhvillimit urban të kryeqytetit. Mandati i tij u shoqërua me ndërprerjen e projekteve të nisura (Sheshi “Skënderbej”) dhe legjendën e Tramit. Investimet publike ishin të ulëta. Raportet e monitorimit të bashkisë në atë kohë, treguan se një pjesë e konsiderueshme e buxhetit të investimeve mbeti e pashpenzuar, ndërkohë që pati mungesë të veprave të reja të mëdha infrastrukturore, rrugëve të reja apo shkollave. Nuk po zgjatemi për përplasjet institucionale me Këshillin Bashkiak që pas vitit 2013 çuan në bllokimin e buxhetit dhe të disa projekteve strategjike. Nga ana tjetër, Basha arriti të miratonte Planin e Përgjithshëm Rregullues, ku mori kritika për lejimin e ndërtimeve të larta dhe rritjen e koeficienteve të shfrytëzimit të tokës në zona të ndjeshme, përfshirë zonën pranë Parkut të Liqenit Artificial dhe qendrës. Shumë la për të dëshiruar edhe Menaxhimi i mbetjeve dhe pastrimi. Nuk po flasim për Erion Veliajn, së pari për pozicionin që ka dhe e dyta për të respektuar mbylljen e mandatit të tij.
Sot, zgjedhja e profilit profesional të kryetarit të Bashkisë së Tiranës është një debat politik që më shumë lidhet me anën politike, pasi analistët dhe qytetarët që e besojnë shumë politikën kanë pikëpamje të ndryshme mbi atributet, të cilat duhen për drejtimin e kryeqytetit. E vërteta është se qyteti ynë gjendet në kushte të tjera nga emrat e cekur këtu. Mbrojtja e një kandidature si inxhinier duhet (mendim vetanak) pasi sfidat kryesore të Tiranës: Të tilla si urbanistika, menaxhimi i trafikut, furnizimi me ujë, infrastruktura dhe zhvillimi i qëndrueshëm i ndërtimeve, kërkojnë mirëfilli një drejtues me formim teknik që njeh projektet dhe zbatimin e tyre në terren. Sot, Tirana i përplas të gjitha flukset në qendër. Ndërkohë që përfundimi i Bypass-it të Tiranës (21 km) bashkë me lidhjet me akset e qytetit; zgjerimi i autostradës Tiranë–Durrës; si dhe ndërtimi i hyrjeve veriore e verilindore janë kritike për të shmangur trafikun tranzit. Transporti publik dhe korsitë e dedikuara i shikojmë se në çfarë gjendje janë. Auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), publikuar në tetor 2026, tregon se vetëm në 11% të rrugëve kryesore ekzistojnë korsitë e dedikuara për autobusët, ndërsa projekti për korridoret e shpejta të autobusëve elektrikë (BRT), me vlerë rreth 110 milionë euro, ka pësuar vonesa të ndjeshme në zbatim. Qyteti ndërkohë vuan kullat shumëkatëshe, vendosur ngado, të cilat kërkojnë standarde rigoroze në inxhinierinë strukturore, sizmike dhe të mbrojtjes nga zjarri. Një studim i Universitetit POLIS, ngre çështje sa i përket përmirësimit të infrastrukturës rrugore e nëntokësore në zonat periferike dhe informale të kryeqytetit që është jetik për funksionimin e të gjithë qytetit. Nuk po flasim për furnizimin me ujë 24 orë dhe humbjet e shumta në rrjet që kanë nxjerrë problematikat e tubacioneve të amortizuara. Specialistë të ndryshëm flasin për problemet e kanalizimeve të ujërave të bardha dhe të zeza që ka shtuar ngarkesën mbi kolektorët ekzistues. Rezultatin e ndjejmë edhe në shiun më intensitet më norma në qytet.
Andaj, kandidatura e një inxhinieri mund të transformojë mënyrën se si menaxhohen problemet kryesore në qytet, pasi sfidat e ujit dhe ndërtimeve në Tiranë janë një ndërthurje e zgjidhjeve teknike, buxhetit dhe nuk mohohet edhe vullnetit politik. Dijet e tij e bëjnë më të qasshëm me problemet e qytetit dhe më operativ të adresojnë çështje, ku ai\ajo has kufizime që kërkojnë mekanizma të tjerë.
Këtu mbyllen argumentet tona dhe i lihet vend kundështive, por një gjë e dimë mirë se në Shqipëri, shumë vendime të mëdha nuk varen vetëm nga Bashkia. Për shembull, lejet për ndërtimet e larta dhe komplekset e mëdha miratohen nga Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT) pranë qeverisë qendrore, ndërsa furnizimi me ujë është reformuar përmes agregimit të ndërmarrjeve në nivel kombëtar dhe bashkëpunimit me ministrinë përkatëse. Gjithsesi, ky sugjerim modest jepet për të ardhmen e qytetit, pa ngarkesën politike por me dëshirën e mirë qytetare. (Javanews)










