Delegacioni izraelit është parë duke lëvizur nëpër sallën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, duke kontrolluar dhe evidentuar se cilat delegacione ishin larguar gjatë fjalimit të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu.
Dhjetëra përfaqësues të vendeve të ndryshme u larguan nga salla pak pasi Netanyahu mori fjalën, në një veprim proteste ndaj politikave të Izraelit dhe zhvillimeve të luftës në Lindjen e Mesme. Largimi i delegacioneve u vu re menjëherë në sallën e Asamblesë së Përgjithshme, ndërsa Netanyahu vazhdoi fjalimin përpara përfaqësuesve, që qëndruan në vendet e tyre.
Në anën tjetër, anëtarët e delegacionit izraelit qëndruan në sallë gjatë gjithë fjalimit dhe duartrokitën disa prej deklaratave të kryeministrit. Ndërsa vuri re largimin e përfaqësuesve, Netanyahu iu referua drejtpërdrejt këtij veprimi gjatë fjalimit të tij.
“Nëse ka ndonjë frikacak tjetër në këtë sallë, ju lutem largohuni tani”, tha Netanyahu, duke iu drejtuar delegacioneve që kishin mbetur në sallë.
Largimet ndodhën menjëherë pasi kryeministri izraelit nisi fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Përfaqësuesit palestinezë kishin bërë më herët thirrje për një protestë të përbashkët gjatë fjalimit të kreut të qeverisë izraelite.
Pamjet nga salla treguan gjithashtu anëtarë të delegacionit izraelit duke vëzhguar vendet e boshatisura dhe duke mbajtur shënime, lidhur me delegacionet që mungonin. Sipas raportimeve izraelite, zyrtarët e Izraelit evidentuan dhjetëra delegacione që nuk ishin të pranishme ose që u larguan gjatë fjalimit.
Veprimi i delegacioneve u shndërrua në një nga momentet më të dukshme në Nju York, duke reflektuar përplasjet e forta diplomatike rreth luftës dhe politikave të Izraelit ndaj palestinezëve.











