Nga Bajram Peçi
Lakonia, një krahinë e lashtë e Spartës, duke iu referuar mënyrës së të folurit shkurt, të përmbledhur, e shkruara dhe e folura e tyre zuri vend në letërsi nën emërtimin “lakonik”, në mënyrë lakonike, me të cilën nënkuptohej e folura me fjalë të pakta e të thata, të flasësh pak e të përgjigjesh në mënyrë të qartë. Prej asaj lashtësie janë trashëguar e kujtohen një mori thënjesh, që me raste aktualizohen. Le të dëgjojmë Herodotin për një prej tyre: “Nëse hyj në Spartë, s’do lë gur në këmbë”-i tha Filipi i Maqedonisë ambasadorit spartan. “Po”, iu përgjigj ambasadori, “Nëse…!”
Nëse vij në pushtet…shoqërohet me premtime! Në imagjinatën e turmave zgjedhore premtimet e partive, shkaqet shihen të jenë abstrakte e të pakuptueshme, të pabesueshme po që po, madje dhe prozaike. Kryetarë që se kanë luajtur prapanicën nga poltroni i ulur prej tre dhjetëvjeçarësh, si Berisha, premtimet i bëjnë ngase e dinë që turmat dëshirojnë emocion. Bëhen apo s’bëhen, piqen apo s’piqen çka u premtua, nuk ka shumë rëndësi, aq sa patën rëndësi shfaqjet e primareve!?
Nga endjet në fjalime para turmave dhe takime me përkrahës të tij, shpresoj se nuk do ju lodhim- i nderuar lexonjës- po t’ju ndërmendim disa nga premtimet e Sali Berishës, pjesë e programit që do bindin popullin për t’i çuar drejt pushtetit:
-Do shkrij institucioni SPAK.
Nëse…, gjë që ska gjasa të ndodhë se kërkon vota të cilësuara! Thjesht është një gënjeshtër.
-U premton rikthimin gjyqtarëve dhe prokurorëve të shkarkuar nga reforma në drejtësi si dhe policëve të shkarkuar.
“Nëse…!”, por nuk do ndodhi as sot e as mot. Ky ushqim i karakterit ligjor që u hidhet të shkarkuarve, ai e di mirë se janë në dorë vetëm të institucioneve kushtetuese parlamentare e jo të qeverisë.
-Do fal gjobat për biznesin e vogël. “Nëse…!”; do fal kamat-vonesat e pagesave ujë dhe korent. “Nëse…!”
Te këto premtime vazhdon rrumpalla e antishtetit, si pjesë përbërëse e jetës së tij politike, ku premtimet mbajnë vulën e meskinitetit dhe pabesive ndaj popullit atdhetar. Me pak fjalë, ai kërkon likujdimin e institucioneve dhe normave demokratike. Jepini votën dhe do ta shihni po se bëri lëmsh!?
-Do ta zhbëjë platformën digjitale e-Albania. “Nëse…!”, gjë që s’ka gjasa të ndodhi se është përpos se një anakronizëm që s’meriton kurrfarë vëmendje.
-Do ta bëjë pagën mesatare x euro; do rrisi fuqinë blerëse do ta bëj dividentin aq e kaq (si kujtohet sa); ulje taksash për të gjithë dhe në garën “Kush mund të gënjejë e të peshkojë sa më shumë pensionistët”, do i kalojë të gjitha partitë e tjera, do u japi ku e ku më shumë!?
Mjerimi i premtimit zbulohet sapo premtuesit t’i kërkohet të na thotë se sa është ritmi i rritjes ekonomike e financiare të shtetit, ku ju me gjasa i mbështesni premtimet? Deri ku, ju me mulërat dhe nokët do i lartësoni këto ritme? Ju më mirë pranoni të vdisni (qoftëlarg), se sa të pranoni që Shqipëria, ku Edi Rama bën kryeministrin, ka ngjitje në ritmin e rritjes dhe kurba tabelore shënjon veç ngritje.
-Qeveria, shteti do rrisi fëmijët e çdo familjeje deri në moshën 23 vjeç; personat me aftësi ndryshe do jenë të punësuar në administratë…hahaha, dëngla e bobla të tilla, që i servirin rronxhobonxhot afër tij. Në botën jo të përkryer ku na ka qëlluar të jetojmë, nga këto shtresa synojnë ndonjë votë më tepër, por askush nuk beson se ti je i aftë t’i bësh. E ke patur shumë gjatë pushtetin dhe mundësinë që të bëje gjëkafshë dhe ajo që bëre ishte një shifër baras me zero!
-Premton se shteti do përballojë 80% të interesit të kredive që do të marrin bujqit.
Sa mirë do ishte nëse…!” A është ky premtim (në erë) më i favorshëm se aplikimi në Skemën Kombëtare të Subvencioneve në Bujqësi, që sipas mundësive jep mbështetje me naftë për punimet e mekanizuara në ferma, mbështetje për fermat organike, për bazën e matrikulluar të gjedhëve dhe të të imtave, për mbarështrimin e bletarisë, për farat e fidanët, për kultivimin e bimëve mjekësore aromatike, etj?!
Çfarë shihni “demokratike” në tërësinë e këtyre premtimeve?
Ngelet për të prekur plotësisht rikthimin në të shkuarën e errët të kohës së tij, përpos se premtimi ende i pabërë (dikush duhet t’ja kujtojë) që do hiqet kufizimi i pirjes së duhanit në ambientet publike. Ai mund të gjejë plot prova se vendimi ka qenë një shkelje e lirisë së individit dhe demokracisë. Shqiptarët e tij do kenë të drejtë ta pinë duhanin ku të duan dhe të urinojë atje ku u vjen për ta bërë.
Berisha nuk i beson as vetë këto që premton! Megjithatë ai këmbëngul me retoriken utopike, me bindjen se dikush, disa, mund ta besojnë. Ta hajë kush ta hajë!
Drejtuesit me mend në kokë përpiqen herë-herë ta shohin botën e të vërtetën me sytë e kundërshtarit. Të ndihmojnë shpesh për këtë këndvështrim edhe ndihmësit pranë, që Berishës i mungojnë. S’ka tani dhe s’ka mbajtur pranë vetes ndihmës, por nuk ka duruar dot afër as personalitete të spikatur, të pjekuar për të dhënë mdihmë e mendim, të cilët milituan me shumicë në PD e fillimit! Njerëzit që i kanë mbetur rrotull janë një grumbull pa trajtë, do thoja dhe pa ngjyrë, ndonëse mbajnë triskën PD.
Orientimi në premtime kah ekstremeve politike, përbëjnë faktin më domethënës të partisë që e ka në krye. Ja ka imponuar zotëria e tij këtë orientim, që me gjasa i vjen nga shpresa se demokracisë liberale po i mbaron epoka, ndaj dhe fushatës ju vu emri qesharak “Madhështorja”.
Qëllimi i njëmendtë i tij mbetet lakmia për pushtet, jo mirëqenja, jo dinjiteti i popullit dhe shtetit, jo Bashkimi Europian, pohim të cilin nuk patën aspak turp ta bëjnë publik.
Nëse hallua to na kish koqe, to quheçë xhaxha.
Nëse tezja to na kish koqe, to ishte dajo.
Në se Saliu mbetet me barrë, e ka hak të bënet kryeminister, dhe SPAK to i mbillë dosjen.
Prandaja, rroftë “nëse-ja”….