Armët bërthamore janë konfirmuar se ekzistojnë në nëntë shtete. Më konkretisht këtë armatim të shkatërrimit masiv e zotërojnë SHBA, Rusia, Britania e Madhe, Franca, Kina, Koreja e Veriut, India, Pakistani dhe Izraeli. Rusia dhe SHBA kanë 93 përqind të mbushjeve bërthamore në botë.
Dy superfuqitë e kanë zvogëluar numrin e mbushjeve bërthamore duke nisur që në vitet ’70, me marrëveshjet START.
Rusia është fuqia më e madhe bërthamore, me 7500 mbushje, ndërsa Koreja më e vogla, me më pak se dhjetë.
Zotërimi i fuqisë bërthamore nga Koreja është vënë në dyshim, por vendi komunist deklaroi pak ditë më parë se realizoi me sukses testin e bombës me hidrogjen.
Vetëm pesë vende zotërojnë ligjërisht armë bërthamore: Kina, Franca, Rusia, Britania e Madhe dhe SHBA.
SHBA ishte vendi i parë që zhvilloi armët bërthamore, më 1945, duke i vënë në përdorim në Hiroshima e Nagasaki të Japonisë, për t’i dhënë fund Luftës së Dytë Botërore.
Bashkimi Sovjetik shpalli prodhimin e bombës atomike katër vjet më pas, më 1949.
Me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, një pjesë e mbushjeve mbetën në Republikën e Ukrainës, por kjo hoqi dorë, me traktatin e vitit 1993, duke marrë nga Rusia garanci se nuk do të kishte pretendime territoriale, të cilat u shkelën nga presidenti Vladimir Putin me aneksimin e gadishullit të Krimesë.