Negociatat me Greqinë për paktin detar dhe çështjet e tjera të mbetura pezull rrezikojnë të dështojnë. Për këtë arsye ministri i Jashtëm grek Nikos Kotzias ka mbërritur në një vizitë disaorëshe në Tiranë. Kotzias është pritur nga homologu shqiptar Ditmir Bushati në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme.
Pak para takimit me homologun grek ministri Bushati u shpreh se është një takim i radhës. “Në disa fusha është bërë progres, kemi fusha të tjera ku besoj ditët në vijim do kemi rastin të deklaroj progres, e kam fjalën për patentat. Presidenti ka lëshuar autorizimin, unë kam firmosur plotfuqishmërinë për ekipin negociator që është duke punuar. Besoj se do biem dakord me misnitrin Kotzias edhe për kalendarin e punës, dhe po punojmë për takimin e nivelit të lartë, takimin e dy kryeministrave”, u shpreh Bushati.
Për shkak të vështirësive në negociata, kryeministri Aleksis Tsipras anuloi vizitën në Shqipëri e planifikuar në fillim të prillit. Sipas një njoftimi për mediat të shpërndarë nga Ministria e Jashtme greke, të dy ministrat, Bushati dhe Kotzias do të shqyrtojnë gjatë takimit të sotëm në Tiranë, hapat e ardhshëm, në kuadrin e dialogut të vazhdueshëm për zgjidhjen e çështjeve dypalëshe të pazgjidhura.
Fillimisht ishte planifikuar që Tiranën ta vizitonte kryeministri grek Aleksis Tsipras për të firmosur me kreun e qeverisë shqiptare Edi Rama marrëveshjen e detit dhe një sërë çështjesh të tjera për të cilat fillimisht u duk se kishte dakordësi mes Tiranës dhe Athinës.
Por sipas mediave greke, hezitimi i Tiranës zyrtare për nisjes e negociatave, pasi Presidenti i Republikës Ilir Meta vonoi dhënien e autorizimit për lëshimin e plotfuqisë nga ministri i Jashtëm Bushati, bëri që Tsipras të anulojë vizitën dhe të dërgojë në Shqipëri Kotzias. Bushati dhe Kotzias kanë zhvilluar edhe dy takime të mëparshme në Kretë në nëntor 2017 dhe në Korçë vetëm dy muaj më parë.



ma.me











