Shënjestra e Operacionit Forca e Ligjit është ngritur lart sot, ku formulari për gjetjen e burimit të pasurisë shkon tek Ferdinand Durda dhe Arben Bërballa. Dy shqiptarët e parë, që arritën të trafikonin sasi rekord të kokainës nga Venezuela drejt Evropës. Durda dhe Bërballa ishin në krye të grupit “Kokaina”, e bashkë me ta bashkëpunonin edhe zyrtarë të lartë, ku u arrestua edhe ish-shefi i Policisë Gjyqësore, Sokol Koçiu.
Durda, në dosjen hetimore që e risjell sot, Dosja.al, akuzohej se kishte udhëtuar deri në Kolumbi ku kishte vendosur kontakte me kartelin Medelin të Pablo Eskobar. Hetuesit madje kishin zbuluar se Durda kishte gjetur edhe bashkëshorte në këtë vend, dhe me të kishte edhe një fëmijë. Ata deklaruan para gjykatës se disponojnë foto të Durdës në bordet e helikopterëve privatë, apo pranë vilave dhe kuajve te racës ne Kolumbi. Roli i Durdës ishte kyç në këtë linjë të trafikut.
Ai iu kishte premtuar menaxhimin e tonelatave me drogë, që do të nisnin rrugëtimin nga Kolumbia në Venezuelë, për të përfunduar në Spanjë, e madje kishte planifikuar ndërtimin e një laboratori në Shqipëri.
Më 2 shkurt 2001, u zhvillua operacioni “Italia Journey”, ku u vunë në pranga 21 persona në 7 shtete. 7 fletë arreste u prenë në Shqipëri. Frederik Durda, Arben Berballa, Sokol Kociu, Din Gjonaj, Vebi Hysa dhe Alfred Nanaj, u dënuan vetëm me 66 vite burg në total.
Pas shumë seancash gjyqësore, grupi kriminal mori dënime të rënda, edhe pse asnjë nuk e bëri burgun të plotë, sepse makinacionet ligjore edhe në këtë rast bënë punën e tyre. Sokol Koçiu u dënua me 15 vjet burg, nga të cilat bëri vetëm 10. Ndërsa Frederik Durda u dënua në vitin 2001 me 16 vjet, por në 2010 doli i lirë. Po kështu edhe Arben Bërballa në 2009 fitoi lirinë. Fati i keq ishte vetëm për Vehbi Hysin, që pak muaj para se të linte burgun gjeti vdekjen në qeli, ndërsa u tha se ndodhi për shkak të moshës.
Grupi Kokaina është i vetmi grup i shkatërruar i trafikut të kokainës, e më tej edhe i dënuar. Durda kishte njohje të vjetra me Bërballën, njohje të cilat kanë lindur mbi bazën e një lidhjeje familjare, por që më pas u konsolidua mes tyre edhe nga emigracioni në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Bërballa dhe shefi i Policisë, Sokol Koçiu ishin takuar më herët në Mirditë ku kishin punuar në sektorë të ndryshëm. Bërballa rezultoi të ishte “kumbari” që takoi ish-oficerin e policisë, Sokol Koçiu me Frederik Durdën. Ndërsa Din Gjonaj lidhej me ish-shefin e policisë Koçiu, njohjen fillestare dhe më të fortë e ka me Durdën, një aktivitet në fushën e inerteve. Durda dhe Bërballa pas vitit 1997 ishin rikthyer në Shqipëri dhe kishin krijuar disa shoqëri për të nisur aktivitetin tregtar. Ata morën një një vilë në “Rrugën e Dibrës” për ta përdorur si “vatrën” e takimeve dhe kontakteve.
Pengu kolumbian në Shqipëri, dhe dy “ushtarët” që u përdorën si garanci për mallin, ‘Medelin’ dërgoi ‘mekanikun’ e anijes
Për të garantuar që kokaina do të shkonte në destinacion, sipas marrëveshjes, shqiptarët duhet të dërgonin 2 pengje në Kolumbi, të cilët njiheshin si të afërt me ta. Nga ana tjetër, edhe kolumbianët do të dërgonin një person, të tyre, i cili do të monitoronte punën në Shqipëri, mbërritjen e kokainës me anijen “Privilege”. Kolumbianët dërguan Pedro Joze, ndërsa shqiptarët, dërguan si pengje Alfred Nanajn dhe Vehbi Hysën. Hysa dhe Nanaj, janë përcjellë drejt Rinasit, kanë udhëtuar në Itali e më tej në Kolumbi ku edhe kanë qëndruar për një kohë të gjatë.
Durda dhe ëndrra kolumbiane me anijen ‘Privilege’, thasët e bardhë që do shkriheshin në autobote…
Ferdinand Durda, asokohe 42 vjeç, i arratisur gjatë diktaturës komuniste, në vitin 1976 nga Shqipëria drejt SHBA, ëndërronte se do të arrinte të trafikonte më shumë se 8 ton kokainë… Duhej një rrugë dhe grupi mendoi që transporti i kokainës me rrugë detare do ishte perfekt.
Në dosje thuhet: “Nga ana e të pandehurve Durda dhe Bërballa me elementët dhe eksponentët kolumbiane të trafikut të drogës është biseduar për mënyrat dhe rrugët sesi do të realizohej transportimi i lëndëve narkotike. Si rruga më e mirë dhe më e sigurt për ta është parë ajo e transportit detar. Për këtë ato i janë përveshur punës dhe kështu me dt. 27.09.1999 të pandehurit Frederik Durda dhe Arben Bërballa, janë paraqitur në Maltë, duke autorizuar me prokurë avokatin e tyre me emrat fiktivë Nikolla Papa dhe Arben Balla, ku kanë themeluar shoqërinë “Privillege Maritime “ L.T.D. në dt. 07.10.1999, pra as edhe një muaj më vonë nga momenti i krijimit të shoqërisë në Maltë, të pandehurit Frederik Durda dhe Arben Bërballa kanë realizuar blerjen e anijes “Privilegje”, anije e cila më vonë do të destinohej për transportimin e sasive të mëdha të kokainës nga Shtetet e Amerikës Latine në drejtim të Europës”. Të pandehurit nuk sollën asnjë provë bindëse sesi ishte blerë anija me vlerë më shumë se 1 milion dollarë, ndaj edhe prokuroria theksoi se “kjo të forconte idenë se karteli kolumbian i drogës mund ta kishte financuar”.
Në hartën e Interpolit, janë të shënjuara brigjet e gadishullit Iberik, por edhe ujrat e Holandës si vendet ku zbarkohet droga që niset nga Amerika Latine. Durda ëndërronte që ta zgjeronte këtë hartë… përmes anijes “Privilege”, ai do të ngarkohej me kokainë, e cila do të fshihej në këtë anije shqiptare, që lundronte me flamurin e Maltës, ndërsa Shqipëria do të ishte një stacion i ri për ngarkesat e ‘bardha’. Nga atje, do të zbriste në Vlorë, ku ishte Sokol Koçiu. Më pas, nga anija, droga do të shkarkohej si kokainë e lëngët në autobote, e do të deklarohej si çimento, një pjesë e të cilës do të jepej tek mafia italia, e tjera nëpër rrugët e Ballkanit me maune.
Fundosja e ‘Privilege’
Sapo la Adriatikun për të shkuar në Spanjë e për t’u ngarkuar me lëndë ndërtimi, anija “Privilege” ishte nën vëzhgim. Pasi ka pritur për shumë kohë në ujërat spanjolle, ngarkesa nga Kolumbia nuk ka mbërritur. Në këto kushte, ekuipazhi është urdhëruar të rikthehet. Sapo është nisur, forcat spanjolle ushtruan kontroll ku gjetën një shtresë të dyfishtë, por pa kokainë. Për 6 muaj nga shtatori, grupi u mbajt në përgjim, dhe natën e 2 shkurtit, në 7 shtete u arrestuan 21 vetë.