Nga Leonard Veizi
Në tërësinë e tij leximi, por ai i librit artistik në veçanti, mbetet një problem.
Konvejeri i propagandës, të mbush mendjen se lexuesit po shtohen. Ndërsa në realitet njerëzit kanë nxjerrë në shitje bibliotekat, sepse nuk kanë ç’u duhen më. Bukinistët e rrugës kanë ulur çmimet, por pakkush ndalon tek ta.
Deri dje, gara ishte të mbushje një bibliotekë me libra, qoftë dhe në dukje apo për të rregulluar performancën e apartamentit, por mjaft të dukeshe si i lexuar. Sot bibliotekat po zbrazen. Etazherët prej tallashi të presuar po hidhen tek mbeturinat dhe hapësirat në dhomë po zgjerohen.
Me shumë gjasa letra dhe boja e shtypshkronjës, për shkak të kimikateve, e kanë ndotur mjedisin e banimit. Ndaj duke e çliruar nga barra e tepërt duket sikur është bërë më shumë e jetueshme. Edhe pse tanimë vendin e mbetur bosh e zë një televizor për dhomë, një kompjuter portativ si dhe nga një telefon dore, që të gjitha punojnë me wi-fi, por që me shumë gjasa trupi merr impulse negative nga rrezatimi shumë më tepër se sa nga kimikatet e bojës së shkrimit.
Shitja e bibliotekave, – që duket se prej kohësh është futur në modë, – mund të jetë një hap i drejtë e i duhur. Sepse mund të blesh libra me kosto më të ulët në internet, duke i shkarkuar në spartfon dhe të lexosh kur të mundesh, duke e pasur gjithmonë me vete një bibliotekë me 200 apo 300 ttituj në inventar.
Por meqë i përkas një brez i mësuar fort me librin fizik, vazhdoj të jem nostalgjik, po aq sa dhe shumë të tjerë, të cilët në kushtet e reja edhe mund të kenë rënë në dilemë.
Jemi në prill. Dhe mes të tjerash prilli mbahet mend edhe për datën 23 e cila është “Dita ndërkombëtare e librit”. Dhe e dini pse? Sepse në një ditë të tillë në 23 prill 1616, u ndanë nga jeta Shekspiri dhe Servantesi. Pra botës i ikën dy dy shkrimtarë të jashtëzakonshëm brenda një harku kohor prej disa orësh, por me largësi të konsiderueshme: njëri në Londër e tjetri në Madrid. Dhe po në këtë ditë, pra më 23 prill, por në vite të ndryshme, u lindën disa të tjerë që më pas u bënë shkrimtarë, por që ndoshta nuk janë të jashtëzakonshëm, por gjithsesi mbeten shkrimtarë. Pra një rastësi e pazakontë, për një datë që nuk të thoshte gjë aq sa për t’u mbajtur mend.
400 vite më pas, pikërisht në 15 nëntor të vitit 1995 pas një rezolute të UNESCO-s u vendos që 23 Prilli të ishte Dita Botërore e Librit. Sepse kemi dhe Ditë Botërore të Poezisë, Ditë Botërore të Shkrimtarëve. Kjo është thjesht: e librit.
Atëherë vijmë sërish në fillim të ngritjes së problemit, dhe duket sikur po përsërisim: Ku jemi me librin sot? Sepse është një temë që vazhdimisht ngacmon.
Në një bisedë informale, me një mikun tim botues fort të njohur, nuk arrinin të gjenim dot kleçkën, se ku qëndronte problemi linear e kardinal, që shqiptarët nuk ishin të interesuar të tërhiqnin nga raftet e librarive, botime nga më të njohurat në botë. Sepse realisht në vendet e zhvilluara të hemisferës tonë, rënia e interesit për librin, – për shkak të vërshimit të Hi Tech-ut, i cili alarmoi qarqet letrare disa vite më parë, – cilësohet si problem i ezauruar, dhe lexuesit i janë rikthyer përsëri leximit në faqen print. Madje dhe printimi i gazetave nuk e ndali hapin për shkak të kësaj vështirësie. Në Shqipëri efekti Hi Tech me sa duket është më i ndjeshëm.
-Epo punë shqiptarësh, – do të thoshim në ndonjë rast tjetër.
Por në këtë rast, jo. Sepse tendenca për të ironizuar veten dhe racën tënde në të shumtën e rasteve të kthehet në bumerang.
Padyshim tregu i librit artistik ka hyrë në një fazë të re krize, ndërkohë që dukshëm kriza kishte vite që kishte nisur. Dhe kjo nuk ka të bëjë me mungesën e prurjeve e të rrudhjeve letrare. Përkundrazi, vitet e fundit ato i kemi me shumicë, pasi statistikat thonë që vendet me nivel të ulët jetese kanë tendencë të prodhojnë shumë më tepër poetë e prozatorë se sa ata që e kanë krijuar konsolidimin prej shumë kohësh. Kjo mund të jetë dhe një legjendë urbane, por jo se nuk është e besueshme. Sepse po të shohësh raportin e aspirantëve në rrjetet sociale, do të gjesh më shumë poetë se lexues.
Pra, në rastin konkret, – larg legjendës urbane tanimë, – ne vuajmë për lexues.
Kjo do të thotë se problemi është zhvendosur nga prodhuesi tek konsumuesi, tek mundësia për të rekrutuar lexues të rinj dhe për të mbajtur në llogore lexuesin e vjetër e ndonjëherë të kalcifikuar. Sepse tituj të spikatur të letërsisë botërore tanimë i ke në çdo raft librarie.
Në tregun botëror, një libër që përshtatet edhe për ekranin e kinemasë përkthehet në shitje të mëdha kopjesh. Gjë që nuk ndodh në realitetin shqiptar. Padyshim, kinemaja është fort e shtrenjtë dhe artdashësit që presin një biletë nuk i justifikojnë shpenzimin buxhetor. Dhe kështu mbetemi sërish rob të formateve televizive.
Natyrisht, po që se ushqimi më i shpejtë, po aq sa një sanduiç e hamburger është edhe një spektakël dramash sentimentale, ku loja e aktorëve amatorë ngrihet në kult, kjo do të rëndojë mbi letërsinë. Sepse për të blerë një libër një mesatare prej 1200 lekësh, do të të duhen dhe disa pasdite stërmundimi derisa t’i nxjerrësh fundit.
Edhe në këtë rast libri mbetet i mundur në fushën e betejës.
Sepse në të njëjtën kohë, edhe pultin e televizorit e ke në dorën e djathtë, ku një sy, ai më vigjilenti kalon në skaner të rejat e fundit nga bota rozë dhe ato me shumë ngjyra që të kujtojnë ylberin.
Ndoshta e kemi ne gabim, sepse jemi peng i së shkuarës tonë. Dhe ndoshta vërtet koha e Gutenbergut ka marrë fund. Sepse në ditët e sotme imazhi është gjithçka.
Megjithatë, përpjekja e mësuesve në shkollat e cikleve parauniversitarë, për t’i detyruar në një farë mënyrë nxënësit të lexojnë letërsi, – qoftë dhe nëpërmjet kurikulave, – është nga mënyrat më të mirat e mundshme për përfituar lexues të rinj. Përndryshe fëmijët e sotëm – e që i përkasin që ardhmes, – do të marrin një bazë kulturore të përciptë vetëm nga imazhet dhe short videot që shfaqen në smartfon.