Plot 487.271 shtetas të huaj hynë në Shqipëri në tremujorin e parë 2015, me rritje 1,3%, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2014-tës, ndërsa daljet e shtetasve shqiptarë u rritën me 1,9%, në totalin 870.066 shtetas.
Numri i vizitorëve të huaj që hynë për pushime dhe vizita ditore në këtë tremujor arriti në 47.646 vizitorë, nga 58.893 që ishin në të njëjtin tremujor të një viti më parë.
Në tremujorin e parë 2015, peshën kryesore me 84,4% e zunë hyrjet e vizitorëve të huaj në rrugë tokësore, në rrugë ajrore 12,9% dhe detare 2,7 %. Plot 98% e hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri ishin për qëllime personale, duke kapur numrin e 477.729 vizitorëve.
Pjesa kryesore e hyrjeve ishin vizitat për pushime, vizita tek të afërm dhe miq, vizita shëndetësore, fetare etj. Krahasuar me të njëjtën periudhë të 2014, numri i vizitorëve për qëllime personale në 3 muajt e parë të 2015-tës u rrit me 1,1 %. Ndërsa vizitorët për qëllime biznesi përbëjnë 2 % të numrit gjithsej të të huajve.
Në 3 muajt e parë Janar-Mars 2015 kryesoi numri i shtetasve të huaj që vizituan Shqipërinë nga rajoni i Evropës, 451.889 vizitorë, që zunë 92,7 % të numrit gjithsej të vizitorëve. Prej tyre, nga vendet e Evropës Perëndimore hynë 20.663 vizitorë, ose 26,3% më shumë krahasuar me tremujorin e parë 2014, ndërsa u ul me 3.4% numri i vizitorëve nga vendet e Evropës Jugore, që në total arriti në 402.459 vizitorë./