Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot seancë të jashtëzakonshme, ku do të shqyrtohet Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Seanca është parashikuar të nisë në ora 09:00, ndërsa projektligji për Specialen është pika e parë e rendit të ditës.
Para seancës, në ora 08:00, është mblidhur Komisioni për Legjislacion. Në këtë mbledhje do të shqyrtohet projektligji dhe aspektet juridike të tij, përfshirë përputhshmërinë me Kushtetutën, legjislacionin në fuqi dhe procedurat e Kuvendit.
Projektligji parashikon ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Qeveria e Kosovës të premten i hapi rrugë procedimit të nismës për ndryshimin e këtij ligji. Ekzekutivi konstatoi se nuk ka pengesa ligjore për procedimin e projektligjit në Kuvend.
Nisma për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara është propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës.











