Një projektligj që po shqyrtohet në komisionet parlamentare dhe që pritet të miratohet së shpejti në Kuvend krijon menjëherë 775 vende të lira në Policinë e Shtetit. Nisma për disa ndryshime në ligjin për Policinë e Shtetit parashikon 315 vende vakante për pozicionin nënkomisar si dhe 360 vende të lira për funksione të veçanta në Policinë e Shtetit. Në të dy rastet, kandidatët duhet të pranohen fillimisht në Akademinë e Sigurisë dhe të përfundojnë me sukses kualifikimin përkatës. Nisma parashikon që të gjithë personat që kanë mbaruar arsimin e lartë mund të konkurrojnë për t’u pranuar në Akademinë e Sigurisë, të cilët më pas emërohen në detyrë dhe marrin menjëherë gradën nënkomisar. “Për nevoja të Policisë së Shtetit, pranohen në Akademinë e Sigurisë shtetas që kanë përfunduar ciklin e dytë të studimeve të arsimit të lartë dhe plotësojnë kriteret e përcaktuara në pikën 2, të këtij neni.
Kandidati që përfundon me sukses kualifikimin përkatës pranohet në Policinë e Shtetit dhe i jepet grada policore “Nënkomisar”, thuhet në projektligj. Gjithashtu, projektligji zgjeron numrin e personave që pranohen në Akademinë e Sigurisë dhe më pas emërohen në Policinë e Shtetit, për funksione të veçanta në polici, ku kërkohen njohuri specifike. Ligji në fuqi parashikon që numri i këtyre personave të pranuar, nuk mund të jetë më shumë se 1 për qind e limitit të përgjithshëm organik të Policisë së Shtetit. Projektligji parashikon që ky numër mund të jetë deri në 3 për qind e limitit të përgjithshëm organik të Policisë së Shtetit. Ky ndryshim e çon numrin e pranimeve të personave të profesioneve të ndryshme në 360.
Në të dy rastet kandidatët nuk duhen të jenë dënuar me vendim gjykate për kryerjen e një krimi, duhet të jetë në gjendje të mirë shëndetësore, të ketë dëshmi të aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit B etj. Ndërkaq, për kandidatët që do të rekrutohen për funksione të veçanta në Policinë e Shtetit duhet të kenë përvojë pune jo më pak se 5 vjet në fushën përkatëse. Personi që shpallet fitues pranohet në këto funksione pas përfundimit të kualifikimit në Akademinë e Sigurisë dhe i jepet grada që i korrespondon funksionit ku do të emërohet.
Policia hap dyert për ushtarakët
Ndryshimi më i rëndësishëm në ligjin për Policinë e Shtetit është krijimi i mundësisë që ushtarakët të bëhen pjesë e policisë. Projektligji parashikon që “për plotësimin e nevojave të veçanta, mund të pranohen në Policinë e Shtetit ushtarakë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, të cilët plotësojnë kriteret e përcaktuara në pikën 2, të nenit 38, të këtij ligji”. Për ushtarakët e shërbimit të përkohshëm të Forcave të Armatosura, pranimi realizohet me pëlqimin e ushtarakut dhe mbi bazë marrëveshjeje dypalëshe, ndërmjet Ministrit të Mbrojtjes dhe ministrit përgjegjës për çështjet e rendit dhe të sigurisë publike, ku përcaktohen kuotat, strukturat dhe funksionet e veçanta nga ku do të pranohen. Në çdo rast, pranimi bëhet pas nxjerrjes në lirim nga Forcat e Armatosura të ushtarakëve nga autoritetet kompetente të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi.
Vendet e lira
Një projektligj që po shqyrtohet në komisionet parlamentare dhe që pritet të miratohet së shpejti në Kuvend krijon menjëherë 775 vende të lira në Policinë e Shtetit.
Ushtarakët
Ndryshimi më i rëndësishëm në ligjin për Policinë e Shtetit është krijimi i mundësisë që ushtarakët të bëhen pjesë e policisë, pas nxjerrjes në lirim nga Forcat e Armatosura.
Kriteret për t’u pranuar në Akademi për t’u bërë nënkomisar
- Të jetë shtetas shqiptar;
- Të mos jetë i përjashtuar nga Policia e Shtetit, strukturat e tjera të sigurisë kombëtare, apo të jetë larguar nga shërbimi civil;
- Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
- Të jetë në gjendje të mirë shëndetësore dhe i aftë fizikisht për të kryer detyrën;
- Të kenë përfunduar ciklin e dytë të studimeve të arsimit të lartë
- Të zotërojë gjuhën shqipe të shkruar dhe të folur;
- Të mos jetë i dënuar me vendim gjykate, të formës së prerë, për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje;
- Të ketë dëshmi të aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit B;
- Të jetë pajisur me vërtetimin e besueshmërisë.
- Të plotësojë standardet dhe kriteret e tjera të veçanta, mbi bazën e konkurrimit, të përcaktuara nga Akademia e Sigurisë dhe të miratuara nga ministri i Brendshëm.
Kriteret për t’u pranuar në Akademi për funksione të veçanta të policisë
Të jetë shtetas shqiptar;
Të mos jetë i përjashtuar nga policia ose të jetë larguar nga shërbimi civil;
Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
Të jetë në gjendje të mirë shëndetësore dhe i aftë fizikisht për të kryer detyrën;
Të ketë përfunduar arsimin e lartë përkatës;
Të ketë përvojë pune jo më pak se 5 vjet në fushën përkatëse;
Të mos jetë i dënuar me vendim gjykate, të formës së prerë, për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje;
Të ketë dëshmi të aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit B.
Si bëhet pranimi i ushtarakëve në Policinë e Shtetit
1. Për plotësimin e nevojave të veçanta, mund të pranohen në Policinë e Shtetit ushtarakë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, të cilët plotësojnë kriteret e përcaktuara në pikën 2, të nenit 38, të këtij ligji.
2. Për ushtarakët e shërbimit të përkohshëm të Forcave të Armatosura, pranimi realizohet me pëlqimin e ushtarakut dhe mbi bazë marrëveshjeje dypalëshe, ndërmjet Ministrit të Mbrojtjes dhe ministrit përgjegjës për çështjet e rendit dhe të sigurisë publike, ku përcaktohen kuotat, strukturat dhe funksionet e veçanta nga ku do të pranohen.
3. Në çdo rast, pranimi sipas pikës 1, të këtij neni, bëhet pas nxjerrjes në lirim nga Forcat e Armatosura të ushtarakëve nga autoritetet kompetente të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi.
4. Pranimi realizohet mbi baza konkurrimi, procedurat e të cilit përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për çështjet e rendit dhe të sigurisë publike.
5. Kalimi nga strukturat e Forcave të Armatosura te Policia e Shtetit realizohet duke njohur ruajtur vjetërsinë e shërbimit.
6. Këshilli i Ministrave, me propozim të ministrit të Mbrojtjes dhe të ministrit përgjegjës për çështjet e rendit dhe të sigurisë publike, miraton ekuivalentimin e gradave të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë me gradat e Policisë së Shtetit.”.
7. Pranimi nga radhët e ushtarakëve të shërbimit të përkohshëm të Forcave të Armatosura duhet të bëhet në respektim të parimeve të organizimit dhe funksionimit të Forcave të Armatosura./shqiptarja
a.çupaj