Kryetarja e komisionit parlamentar për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm, Anila Denaj, analizoi sfidat ekonomike me të cilat po përballet Shqipëria si pasojë e konfliktit në Lindjen e Mesme. Gjatë emisionit “Trialog“ në RTSH, Denaj theksoi se qeveria shqiptare ka dëshmuar vullnetin për të mbrojtur konsumatorin dhe stabilitetin makroekonomik, ashtu siç bëri gjatë pandemisë dhe luftës në Ukrainë.
Sipas saj, përvoja e viteve të fundit ka treguar se krizat globale kërkojnë ndërhyrje të matura që nuk cenojnë strukturën e buxhetit të shtetit.
Mësimet nga krizat e kaluara
Denaj solli në vëmendje vitin 2020 dhe fillimin e luftës në Ukrainë si momente ku qeverisë iu desh të vepronte në kushte pasigurie totale.
“Edhe në 2020 asnjë nuk e llogariti se do mbyllej vendi për 3 muaj. Patëm problem edhe gjatë luftës në Ukrainë, ku u dëshmua rritje të çmimit të energjisë dhe karburanteve. Qeveria mori masa, duke mos rritur çmimin e energjisë, madje duke e ulur,” u shpreh ajo, duke nënvizuar se pavarësisht krizave, vendi shënoi rritje të të ardhurave.
Masat aktuale për konfliktin në Lindjen e Mesme
Lidhur me situatën e re të krijuar nga lufta në Iran dhe bllokimet në Lindjen e Mesme, Denaj konfirmoi se hapat e parë ligjorë tashmë janë ndërmarrë duke nisur nga ulja e akcizës.
„Akti normativ ka hyrë në fuqi dhe parashikon uljen me 20% të akcizës për një tavan të caktuar. Bordi i Transparencës: Është ringritur ky mekanizëm për të monitoruar çmimet pa ndërhyrë dhunshëm në tregun e lirë.“, tha ajo.
Stabiliteti i buxhetit dhe paketa fiskale
Kryetarja e komisionit u shfaq e prerë kundër kërkesave për ndryshime rrënjësore në paketën fiskale, duke mbrojtur qëndrueshmërinë e financave publike.
“Është e lehtë të thuhet që të ndërhyhet në paketën fiskale, por nuk është aq e lehtë. Ka 20 vite që është kjo strukturë dhe të ndërhysh është e gabuar. Duhet parë stabiliteti makroekonomik i vendit,” argumentoi Denaj. Ajo shtoi se buxheti i shtetit nuk mund të ndryshojë strukturë për çdo krizë që shfaqet, pasi kjo do të rrezikonte të ardhmen financiare të vendit.
Në mbyllje, Denaj pranoi se shenjat e para të rritjes së çmimeve janë ndjerë, por siguroi se qeveria po monitoron situatën hap pas hapi. “Nëse do të ketë nevojë për ndërhyrje të tjera do të bëhen, por nuk mund të parashikohen të gjitha masat menjëherë,” përfundoi ajo.











