Këngëtarja e njohur Bonnie Tyler, e cila u bë e famshme në mbarë botën me hite si “Total Eclipse of the Heart”, ka ndërruar jetë në moshën 75-vjeçare.
Sipas informacionit të publikuar, artistja kishte kaluar një ndërhyrje urgjente në zorrë gjatë muajit maj në Portugali, pas së cilës ishte vendosur në koma të induktuar. Muajin e kaluar, zëdhënësi i saj kishte njoftuar se ajo kishte dalë nga koma, por vazhdonte të ishte në gjendje të rëndë shëndetësore dhe nën kujdes intensiv.
Në një deklaratë të publikuar në faqen zyrtare të këngëtares thuhet se Bonnie Tyler ndërroi jetë papritur mbrëmjen e kaluar në një spital në Portugali, si pasojë e sëmundjes për të cilën po trajtohej.
“Familja dhe ekipi i Bonnie-s me hidhërim të thellë njoftojnë se Bonnie ndërroi jetë papritur mbrëmë në spital në Portugali si pasojë e sëmundjes për të cilën po kurohej. Do të lëshojmë një deklaratë të mëtejshme së shpejti, por për momentin kërkojmë privatësi për t’u përballur me këtë tragjedi”, thuhet në deklaratë.
Bonnie Tyler, emri i vërtetë i së cilës është Gaynor Hopkins, lindi më 8 qershor 1951 në Uells. Ajo u bë një nga zërat më të njohur të muzikës rock dhe pop falë vokalit të saj karakteristik, i cili u kthye në identitetin e karrierës së saj.
Fama ndërkombëtare erdhi në fund të viteve 1970 dhe fillim të viteve 1980 me një sërë hitesh që mbeten të njohura edhe sot. Mes këngëve më të suksesshme të saj janë “Total Eclipse of the Heart”, “Holding Out for a Hero”, “It’s a Heartache”, “Lost in France”, “If You Were a Woman (And I Was a Man)” dhe “Faster Than the Speed of Night”.
Albumi Faster Than the Speed of Night (1983) e bëri Bonnie Tyler artisten e parë britanike që kryesoi klasifikimin e albumeve në Mbretërinë e Bashkuar. Ndërkohë, “Total Eclipse of the Heart” u shndërrua në një hit global, duke kryesuar toplistat në disa vende dhe duke mbetur një nga baladat më të suksesshme në historinë e muzikës.











