Nga Gdansk, Ben Andoni
Nëse do të shijosh një qytet, që ka histori, është mirë të pyesësh fillimisht ose të lexosh për njerëzit, që kanë jetuar dhe kontribuar aty. Në këtë rast, shkurton përsiatjet patetike, por edhe ngjitesh në shpatulla të larta, nga ku mund të gjykosh për qytetin. Në këtë rast, kur po flasim, për Gdanskun, je i humbur! Arsyeja është se, njerëzit që kanë lënë gjurmë këtu dhe për të cilët mund të lexosh, gjenden të shpërndarë shekujve dhe janë të profesioneve të ndryshme. Më të fundit: artistë, inxhinierë, sportistë, bukuroshe, por edhe vetë Tusk, presidenti i Këshillit të Evropës. Të mëparshmit, i gjej në librat e Gdanskut…Konrad Letzkau, 1412, bashkiak, ekzekutuar nga Kalorësit Teutonë; Tiedeman Gise-kryepeshkop më 1480; Kaspar Shultz (Vdiq më 1594 në Dancing) historian prusian; Bartolomëus Kekerman 1571 – 1608, shkrimtar dhe teolog Kalvinist; Andreas Shlyter, 1660, arkitekt dhe skulptor; Jakob Teodor Klein, 1685, jurist, historian, botanist, matematicien dhe diplomat; Daniel Gabriel Fahrenheit, 1686-1736, fizikan dhe inxhinier; Sër Trevor Kori (1724–1780) Baron i Polonisë dhe diplomat britanik, që ka shërbyer madje në qytetin e tij; Adam Kazimierz Cartoriski, 1734, princ; Michał Jerzy Poniatovski, 1736, primati i Polonisë; Artur Shopenhauer, 1788, filozof; Maks Halbe, 1865, shkrimtar; Gynter Grass, i lindur këtu më 1927, shkrimtar; Jolanta Kwasniewska, e lindur më 1955, ish zonja e parë; Donald Tusk, i lindur më 1957, President i Këshillit Evropian, gazetar dhe historian, Marek Kaminski, i lindur më 1964, udhëtar…
…
Janë dhe tre-katër dyzina emrash të tjerë, por nëse do t’i vendosnim, atëherë shkrimi ynë do t’i ngjante më shumë një përmbledhje shënimesh almanaku. Në këtë tollovi emrash dhe në një diskurs krenarie, që nuk e mbaroj dot me një shoqëruese polake, më në fund, i kërkoj të më tregojë ndërtesën më të vjetër në qytet. Më çon te posta. Fytyra ime ka marrë e gjitha kuptimin e pikë-çuditëses. Sepse kjo është një nga zyrat më të vjetra aktive, më thotë duke më zgjidhur rebusin, teksa futemi në mjedisin e saj, i denjë për një mizanskenë të viteve 1800. “E ka përjetësuar Gynter Grass te ‘Daullet…’. E ke lexuar?-më pyet me pak ironi të fshehur”. Po. Është një kujtim i bukur teksa njerëzit e postës mbrojnë veten në luftë. Godina ka mbetur si dikur me një shesh interesant përpara. Brenda disa turistë patetikë që shkruajnë. Një japonez ia ka filluar karaktereve të veta. Nga lart poshtë. Më qesh. I qesh.
Qyteti
Kur pas 10 minutash gjendemi në Dlugi Targ, jam totalisht i “lodhur”. Sesi në një sipërfaqe jo kaq të madhe, mund të gjesh stile, detaje dhe qytete të ndryshme: Manierizmin holandez të detajuar, elementë simbolikë mesjetarë, tek-tuk Renesansa italiane, më shumë ajo e Flandrës, gotiku “i frikshëm” i kishës më të lartë në botë, ndërtuar me tulla, baroku i vjetër, kudo mesjeta, spiranca, hane, ndërtime druri, anije, velore, afreska shumëllojshe, kapitel, balkonada, modele anijesh dhe gjithë Amsterdamin, Hamburgun dhe Mesjetën Evropiane. Ka një uniformitet të jashtëzakonshëm kjo udhë, që zëvendëson sheshin e qytetit, pasi Gdansk nuk ka shesh. Dlugi Targ (në shqip Tregu i gjatë) shkon nga Targ Weglowy (Sheshi i qymyrit) drejt kanaleve. Në Gdansk të duket vetja edhe si në Barcelonë, Kopenhagen dhe pa asnjë mëdyshje në Amsterdam. Që kur është ndërtuar nga Mesjeta, kjo udhë s’ka ndryshuar, kuptohet vetëm kur u prish nga nazistët. Në këtë të ashtuquajtur rrugë mbretërore më jepet një informacion kaq i shpejtë, saqë e gjitha më përzihet, pa mundur ta ruaj diku. Ka qenë e detyruar që dritaret të ishin me përmasa të caktuara, qyteti i parë me banjo brenda, i dekoruar në çdo fasadë dhe sfida ishte se cili e bënte më bukur. Gruaja vazhdon: Rruga që nis prej Targ Weglowy vazhdon deri Zlota Brama (Porta e Artë). Ajo u ngrit më 1612 dhe është projektuar nga arkitekti holandez Abraham van Blocke. Ja kjo ura, ku janë bravat. Kemi dhe ne si në Paris. Biseda ime mbetet para Fontanës së Neptunit, që daton prej 1633, shatrivanit, ngritur nga Këshilli i qytetit të Gdansk, me paratë nga bashkia e asokohe. Gruaja më tregon imazhet e ndryshme të Neptunit, në një metaforë sesi sillet me qytetin, në orë të ndryshme të ditës, por vallë ç’mund të më tregojë. Që këtu ka jetuar Shopenhauer apo Fahrenheit. Ky i fundit ka vetëm një mekanizëm simpatik, që përcakton, temperaturën, por me logjikën e vet. Shumë Amsterdam? “Po pjesa më e madhe ishin holandezë”, më thotë dhe më tregon se Neptuni është projektuar nga Abraham van den Blocke. Marr kaq shumë informacion sa nuk di ku ta çoj. Dhe mrekullia? Po rivijnë sërish gjermanët dhe po detyrohen të rregullojnë këtë mrekulli që e prishën vetë. Ja dhe… “Porta e Gjelbër daton nga shekulli i 12-të, kur ai ishte një nga portat kryesore të vijës së ujit. Ky është pallati. U ndërtua për mbretërit polakë, por asnjë mbret s’arriti të qëndrojë ndonjëherë gjatë natës në kështjellë, pasi ata s’donin të përfshiheshin me lokalët kur vizitonin Gdansk. E di ç’ i bënë njërit syresh? I kërkuan para, por statuetën e vet mbi një vend (ma tregon) dhe e bën zbathur. I mrekulluar ai i dha paratë.
Gruaja s’është vetëm krenare, por edhe shumë e gojës, një karakteristikë, që të jesh në këtë qytet është e vetëvetishme. Ç’të thuash më parë. Ia bëj me shenjë. Do këqyr në internet, por jemi afruar në Mariacka. Nuk më lë ajo. “Kjo është udhëza më e bukur në historinë e Polonisë”. Po e tepron pak, i them. Kjo është një udhëz e ngushtë me kalldrëm dhe ndërtesat tre katëshe, vend atraksioni i pafund turistësh, por edhe butafori e gjallë për artistët. Dhe, pak në një cep, ti këqyr kishën e madhe, ndoshta më të madhen në botë, bërë me tulla. “Kujdes se do kalojmë nga burgu!” Katownia, burgu mesjetar, përdorur njëkohësisht, si sallë gjyqi, burg dhe vend ekzekutimi, tani është vend atraksioni. Edhe kjo?-i them për një shtyllë ndëshkimi, vendosur përballë burgut. Dhe, kjo. Zbrojownia është një si biçim kulle, që u ngrit, kur u rrit kërcënimi prej suedezëve. Ajo u ndërtua me tulla të kuqe holandeze, zbukuruar me shifrat e praruara në krye. Kuptohet se gjermanëve nuk iu dhimb dhe ajo është djegur në vitin 1945, e për fat u ri-ndërtua në stil origjinal pas luftës. Guida, si të gjithë guidat, flet pafund dhe në çdo moment do të kapë se çfarë interesohem realisht për qytetin. “Nuk kam qenë ndonjëherë në Gdansk dhe ajo e vetmja gjë është se këtu ka lindur Shopenhauer, se porti shqiptar i Durrësit ka pasur marrëdhënie me portin e Gdanskut dhe se më parë quhej Dansing”. E mangët, si kulturë për qytetin tim, më thotë krenare dhe befas qesh. Çiltër. Një mikja ime gjermane në Berlin më ka thënë se duhet t’u ruhem polakeve. Në fakt, nuk i ruhem shumë, kësaj gruaje, që mëton se nga truri i saj, do më nxjerrë të gjithë Gdanskun. “Hera e parë?-më thotë. Bash e para, por dua të pushoj. Jam zgjuar që në pikë të mëngjesit, pasi këtu në verë agon rreth orës 04.00 në mos gaboj. E shikoj double.
…
Rikthehemi dhe njëherë dhe lëvizim në mënyrë kaotike nëpër qytet. Nga ajo porta, që diku ishte burg. Brama Wyzynna drejt Portës së Artë ..Këtu është një foto e vjetër, që tregon se çfarë i bën gjermanët Gdanskut, Dancingut të tyre. E pyes gruan, teksa blej një suvenir tek dy gra që flasin në katër anët, gjermanisht-anglisht-polonisht, sepse përfundoi kështu qyteti. Përballë fytyra ime mesdhetare i ngatërron dhe më plasin një gjermanisht të rëndë. “Shiko si ka qenë Gdansku!” Gdansku në atë foto është krejt i djegur me shpatet e këtyre ndërtesave të bukura, që i kam para vetes, të prishura.
Modern, jo duam traditën?
Ky imazh ishte i gjallë te dinjitarët e qytetit fill pas lufte. Si do e ndërtojmë qytetin tonë, për të cilën derdhën aq energji polakët, holandezët, gjermanët, italianët etj? Kjo pyetje ishte mjaft e rëndësishme gjatë rindërtimit të Gdanskut pas vitit 1945 dhe në debat morën pjesë shumë njerëz. Gruaja bëhet patetike. Tashmë ishin urbanistët e rinj që donin Gdanskun ta bënin qyet socialist, kurse një pjesë luftonte që qyteti të ishte si më parë. Argumenti që përdorën konservatorët ishte bindës: Gdansku u prish sepse gjermanët donin të shkatërronin identitetin polak. Por ndërsa ky diskurs filozofiko-urban që shtrohej në Gdansk, mund të quhej elitar; në Ëarshavën e dëmtuar mbi 80% ishte jetik, ashtu si në Drezden, Minsk, Berlin e kudo. Përgjigjet që dhanë këta njerëz për qytetet sot përbëjnë identitetet e tyre. Njerëzit e Gdanskut ngjallën sërish Brama Wyzynna dhe të gjithë udhën drejt Portës së Artë apo Portës së Blertë. U rindërtua krejt Długi Targ. Pallati, i cili është projektuar fillimisht për të shërbyer si një vendbanim për mbretërit polakë, por asnjë mbret polak qëndruar ndonjëherë gjatë natës në pallatin. Paçka se sot aty qëndron legjendari Walesa, me të cilin do stërhallem shumë në një takim, që në fund nuk realizohet. Njerëzit e Gdanskut vendosën për traditën sepse ajo i çonte te modernja e vërtetë dhe jo te kinse-modernja e socialistëve, që donin t’i venin dërrmën gjithçkaje, në emër të filozofisë së re. Rreth vitit 1956, polakët arritën që të përfundojnë rindërtimin e qytetit historik…
Dhe, kantieri
Historinë e Gdanskut ne e njohim thjesht përmes anijeve dhe portit, që në socializëm ishte një ndjenjë krenarie për të gjithë kombin. Simbol socialist i qytetit filloi funksionimin vetëm pas Luftës së Dytë Botërore në zonën, që më parë përdorej si kantier detar gjerman, dhe ai shpejt u bë për polakët pasqyra e ringjalljes së Polonisë. Gdansku, nën zhvillimin komunist, arriti që të ketë një nga kantieret më të mëdha të botës, pasi ka ndërtuar një numër të madh të llojeve të ndryshme të anijeve, nga anijet e mallrave dhe peshkarexha, deri tragete dhe jahte, dhe në këtë mënyrë u bë krenaria polake. Rëndësia e saj strategjike për vendin lidhej edhe me faktin sepse ajo mbante lidhjet me botën, sillte valutë të huaj dhe e bëri Poloninë, që të ishte e vlefshme në treg. Nga ky vend ndodhën dhe përplasjet më të mëdha me qeverinë në vitet 1970, kur njësitë ushtarake iu kundërvunë. Greva në vitin 1980 ishte përshkruar në filmin e jashtëzakonshme Iron Man, nga Andrzej Wajda në 1981.Dhjetë vjet më vonë, punëtorët nën udhëheqjen e elektricistit Lech Valesa pushtuan anijet dhe fituan të drejtën për të formuar sindikata, që nuk do kontrolloheshin më nga qeveria. Por, kjo lule e parë në Bllokun socialist nuk zgjati, sepse në fuqi erdhi gjeneral Jaruzelski, që e ktheu gjithçka nga fillimi, por pa zbehur shpirtin e madh të Gdanskut rebel që u përhap në formë kapilare në të gjithë Poloninë. Epilogu ndodhi në ndryshimet demokratike në vitin 1989. Në një muze të mrekullueshëm, që ka imituar një anije të vjetër, por që tashmë shërben si qendër edukimi me frymën e dikurshme të Solidarnost, e marr të gjithë historinë e përmbledhur…
…
Nga mijëra kilometra më tutje kujtoj vendin tim dhe atë përpjekje binjakëzimi të pafat që bëri Durrësi me Gdanskun dhe shpesh jam çuditur sepse ajo nuk vazhdoi. Ata nuk ishin korrektë, mbaj mend fjalën e një zyrtari. E kuptoj kur shikoj diku afër portit dhe sesi ka rënë në ditët tona, porti i famshëm. Por kaq. Gruaja, më tërheq te mrekullitë e Gdanskut. Te mbretërit, tregtarët, gildët, që vërtetë e bënë qytetin, gjermanët, turistët. Mes tyre hallakatem dhe unë dhe bëj një foto të fundit te memoriali i Fahrenheit, që ka një mekanizëm të çuditshëm, që i shkon emrit të të zotit. “Do jetë shumë vapë”, këto ditë ma bën polakja dhe vazhdon rrëfimin e saj monoton me një buzëqeshje që nuk i braktis fytyrën. Iki, mbase aty, ku dikur lëvizte Gynter Grass. Dhe ndalem. Nuk di jam në Mesjetë apo në korrikun 2015. Dy vajza veshur me rroba mesjetare më buzëqeshin. Iki.