NATO po sinjalizon se do të ndërmarrë hapa për të forcuar sigurinë në Arktik, pasi administrata Trump ka pohuar se kërcënimet nga Rusia dhe Kina janë ndër arsyet pse qeveria amerikane kërkon të pushtojë Groenlandën.
Shefi i NATO-s, Mark Rutte, tha të hënën se aleanca e mbrojtjes po punonte për “hapat e mëtejshëm” për të mbrojtur sigurinë e Arktikut, pasi administrata Trump pretendon se Shtetet e Bashkuara duhet t’ia sekuestrojnë Groenlandën Danimarkës për të shmangur kërcënimet nga Rusia dhe Kina.
“Të gjithë aleatët bien dakord për rëndësinë e Arktikut dhe sigurisë së Arktikut, sepse e dimë se me hapjen e rrugëve detare ekziston rreziku që rusët dhe kinezët të jenë më aktivë”, tha Rutte.
“Aktualisht po diskutojmë hapin tjetër drejt kësaj, si të sigurohemi që të japim vazhdimësi praktike të këtyre diskutimeve”, tha ai.
Diplomatët e NATO-s thanë se nuk kishte propozime konkrete në tryezë, por disa anëtarë kanë hedhur ide, duke përfshirë nisjen e një misioni të ri në rajon, raportoi agjencia e lajmeve AFP.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka tronditur aleancën mbrojtëse prej 32 anëtarësh duke ripërtërirë kërcënimet për të pushtuar Groenlandën.
Trump ka pohuar se vetëm një prani ushtarake amerikane nuk është e mjaftueshme për ta penguar këtë dhe ka këmbëngulur që SHBA-të duhet të zotërojnë Groenlandën.
Të dielën, Trump paralajmëroi se nëse SHBA-të nuk e marrin Groenlandën, “do ta bëjnë Rusia ose Kina, dhe unë nuk do ta lejoj që kjo të ndodhë”.
“Në një mënyrë ose në një tjetër, do ta kemi Groenlandën”, tha Trump. Shtëpia e Bardhë nuk e ka përjashtuar përdorimin e forcës ushtarake, megjithëse administrata Trump ka thënë se blerja e ishullit do të ishte e preferueshme .
Ishulli Arktik është një pjesë autonome e Mbretërisë së Danimarkës dhe anëtar i NATO-s. Në një moment gjatë Luftës së Ftohtë, Groenlanda priti dhjetëra baza ushtarake amerikane, përpara se këto të tërhiqeshin. Aktualisht, SHBA- të operojnë vetëm një bazë në Groenlandë , Bazën Hapësinore Pituffik, e quajtur më parë Baza Ajrore Thule.
Evropa mblidhet rreth Danimarkës
Vendet evropiane po mbledhin mbështetje politike për Danimarkën dhe Groenlandën, me një deklaratë të përbashkët të nënshkruar javën e kaluar nga disa vende evropiane që thekson se “Groenlanda i përket popullit të saj”, ndërsa thekson se SHBA-të janë një “partner thelbësor” në sigurimin e sigurisë së Arktikut.
Të hënën, kancelari gjerman Friedrich Merz tha se “ne ndajmë shqetësimet e SHBA-së se kjo pjesë e Danimarkës ka nevojë për mbrojtje më të mirë”.
“Ne thjesht duam ta përmirësojmë së bashku situatën e sigurisë në Groenlandë. Dhe supozoj se edhe amerikanët do të marrin pjesë në këtë”, tha ai gjatë një vizite në Indi.
Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul ndodhet aktualisht në Uashington për bisedime me homologun e tij amerikan, Marco Rubio. Ministrat e jashtëm të Danimarkës dhe Groenlandës pritet gjithashtu të zhvillojnë bisedime këtë javë me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio.
Qeveria e Groenlandës lëshoi një deklaratë të hënën, duke nënvizuar se të gjitha shtetet e NATO-s, përfshirë SHBA-në, kanë një interes të përbashkët në përmirësimin e mbrojtjes strategjike në Groenlandë dhe se e ardhmja e kësaj mbrojtjeje është pjesë e aleancës mbrojtëse të NATO-s. Në deklaratë thuhej se qeveria synon të zhvillojë mbrojtjen e ishullit sipas një kuadri të NATO-s.
Megjithatë, koalicioni qeverisës tha se nuk do ta pranonte dëshirën e SHBA-së për të marrë Groenlandën “në asnjë rrethanë”.
Groenlanda e lakmuar e Trump është ‘më e madhja’ pa SHBA-në
Pushtimi i Grenlandës nga SHBA-të, ‘fundi i NATO-s’
Komisioneri Evropian për Mbrojtjen dhe Hapësirën, Andrius Kubilius, tha të hënën se BE dhe NATO janë të gatshme të bëjnë më shumë për mbrojtjen e Groenlandës dhe vuri në pikëpyetje logjikën e pushtimit me forcë të Groenlandës nga SHBA-të.
Kubilius tha se sipas kërkesës së Danimarkës, BE-ja mund të ofrojë më shumë siguri për Groenlandën, duke përfshirë trupa dhe infrastrukturë ushtarake, siç janë anijet luftarake dhe aftësitë kundër dronëve.
“Kjo është detyrë e ushtarakëve të thonë se çfarë i duhet mbrojtjes së Groenlandës ose Arktikut. Gjithçka është e mundur”, i tha ai agjencisë së lajmeve Reuters.
Kubilius mbështeti një deklaratë të kryeministres daneze Mette Frederiksen javën e kaluar se marrja e Groenlandës me forcë nga SHBA-të do të përmbyste aleancën transatlantike të mbrojtjes .
“Pajtohem me kryeministrin danez se ky do të jetë fundi i NATO-s”, tha ai.











