NATO ka përgatitur një plan të ri për mbrojtjen e krahut lindor të Aleancës nga një sulm i mundshëm rus. Dokumenti mban emrin “Teoria e Fitores” dhe pritet të prezantohet më 12 tetor në Poloni nga komandanti suprem i Forcave të NATO-s në Europë, gjenerali amerikan Alexus Grynkewich.
Sipas të dhënave të publikuara nga “Bloomberg”, plani parashikon një skenar të mundshëm përgjigjeje ushtarake ndaj një sulmi rus në krahun lindor të NATO-s, nga Finlanda dhe vendet baltike, përmes Polonisë deri në Bullgari.
Pas zmbrapsjes së sulmit, NATO do të kalonte në kundërofensivë. Sipas planit, synimi do të ishte shkatërrimi i qendrave të komandimit ruse dhe goditja e forcave në terren, në mënyrë të shpejtë dhe të fuqishme.
Shqetësimi për përshkallëzimin është shtuar edhe pas deklaratave të presidentit rus Vladimir Putin, i cili më 1 tetor përsëriti kërcënimin për përdorimin e armëve bërthamore në rast të një konflikti me NATO-n. Plani i NATO-s vjen në një periudhë kur situata e sigurisë në Europë mbetet e tensionuar dhe përpjekjet diplomatike nuk kanë sjellë rezultate të rëndësishme.
Ndërkohë, edhe Bashkimi Europian po diskuton një mekanizëm të ri për reagimin ndaj kërcënimeve të jashtme. Ministrat e Mbrojtjes të BE-së nisën diskutimin për këtë çështje më 28 shtator në Bruksel.
Mekanizmi, i quajtur “Emergency Security Protocol”, do të mundësonte konsultime dhe koordinim më të madh mes 27 vendeve në rast sabotimesh, sulmesh kibernetike, zjarrvëniesh të qëllimshme apo shkeljesh të hapësirës ajrore. Synimi është që vendet anëtare të shkëmbejnë më shpejt informacion dhe të bien dakord për masa të përbashkëta, duke plotësuar sistemet e alarmit të NATO-s.











