Nathalie Clayer
Si u ngrit shteti i brishtë shqiptar në shekullin XX!?
Znj. Clayer, historiania dhe studiuesja e njohur e çështjeve ballkanike dhe nacionalizmit shqiptar, ka ardhur me një botim të jashtëzakonshëm të “Përpjekjes” për aspekte të ndryshme të zhvillimit të shtetit tonë në dekadat e para të shekullit XX. Në këtë logjikë përfshihen shoqëria, ekonomia, arsimi, marrëdhëniet e pushtetit dhe praktikat administrative të gjitha të shenjuara nga transformime, të cilat po ndiqnin asokohe fundin e epokës osmane
Intervistoi Ben Andoni

Botimi i fundit i Nathalie Clayer “Një vështrim multifokal i Historisë së Shqipërisë” shënon një cak të lartë të studiueses së njohur, lidhur me shtetformimin tonë në dekadat e para të shekullit XX. Falë një metodologjie interesante dhe konceptesh të ndryshme të përdorura në këtë libër, ne njihemi me periudhat që korrespondojnë me vitet ‘20 dhe ‘30, ku dinamikat e konsolidimit të shtetit të brishtë shqiptar bashkëjetuan me dinamikat e dobësimit të sovranitetit kombëtar. Në këtë intervistë kupton se Ideologjitë e reja që qarkullonin në Evropë dhe Mesdhe gjatë viteve 1920 dhe 1930 ishin të pranishme edhe në Shqipëri: komunizmi, fashizmi, por edhe modelet kemaliste dhe naziste. Në vitin 1939, situata kulmoi me aneksimin e vendit nga Italia fashiste. Ndërkohë që edhe aktorë të njohur ndërkombëtarë pranë hapësirës sonë, qoftë në nivel kombëtar dhe madje edhe lokal, sfiduan, konkurruan ose e anashkaluan sovranitetin e riafirmuar të shtetit të ri, siç ishte njohur në vitet 1913-1914. Megjithë perceptimin dhe klishetë që kemi në përgjithësi për vendin tonë, autorja thekson se: Duhet të kemi kujdes pasi Shqipëria në vitet ’20 nuk ndryshon shumë nga rajone të tjera të Evropës Perëndimore, të tilla si: Italia Jugore, pjesë të Spanjës dhe Portugalisë, madje edhe Franca, të cilat ishin madje të krahasueshme në aspektin ekonomik dhe social. Nga ana tjetër, kjo periudhë identifikohet edhe me një karakter të fortë rural, varfëri të përhapur dhe, mbi të gjitha, për një shoqëri që sapo kishte dalë nga pothuajse një dekadë luftërash dhe pushtimesh, me të gjitha kufizimet dhe shkatërrimet që përfshinin ngjarjet, përgjigjet studiuesja në këtë intervistë. Ndër faktorët që e formësuan idenë e shtetit kombëtar shqiptar, sipas Clayer, dallohen dinamikat që rrjedhin nga periudhat e mëparshme, “veçanërisht që nga fundi i epokës osmane; prandaj këta janë faktorë diakronikë”, shprehet autorja në këtë botim të ri të ‘Përpjekjes’.
Le ta fillojmë nga sqarimi i metodologjisë dhe i disa koncepteve që ju përdorni në libër. Nëntitulli i librit tuaj titulluar “Një vështrim multifokal i Historisë së Shqipërisë” është “Me, përtej dhe nën shtetin”. Nga ana tjetër ju përdorni konceptet “temporalitet”, “hapësirë” dhe “trajektore”. Cili është qëllimi i kësaj qasje metodologjike dhe përdorimit të këtyre koncepteve?
“Kur diskutohet formimi i shtetit, fokusi shpesh është te institucionet, themelimi i tyre, evolucioni i tyre dhe, sigurisht, te jeta politike. E gjithë kjo shihet kryesisht nga qendra, domethënë nga kryeqyteti dhe, shpesh konsiderohet nga një pikënisje që korrespondon me ndryshimin e regjimit. Kjo lloj qasjeje është sigurisht interesante, por nuk ndriçon si duhet shumë gjëra, pasi tenton t’i konsiderojë shtetin dhe institucionet shtetërore si entitete monolitike, të përcaktuara nga tekste ose vendime, dhe, mbi të gjitha, duke e bërë nivelin shtetëror dhe kombëtar nivelin parësor të analizës. Në realitet, formimi i shtetit, zbatimi i politikave të tij, kundërshtimi/mospranimi i këtyre politikave, ose dhe anashkalimi i tyre, përfshijnë aktorë të shumtë, pavarësisht nëse punojnë për shtetin apo jo, dhe pavarësisht nëse jetojnë në vend apo jo. Për të kuptuar këto procese, është e rëndësishme t’i shqyrtojmë ato në nivel kombëtar, por edhe në nivel lokal nga njëra anë, dhe në nivel mbikombëtar nga ana tjetër. Kjo nënkupton zhvendosjen e fokusit tonë, si të thuash, dhe ndjekjen e procesit të përgjithshëm, si në një lëvizje të kameras së operatorit kur xhiron pamjet e një filmi, duke u afruar ose duke u larguar më shumë për të parë aspekte që zakonisht nuk janë të dukshme. E përdor këtë metaforë për të justifikuar renditjen e kapitujve në libër, të cilët së pari shqyrtojnë përkohshmërinë e mobilizimeve dhe politikave publike, pastaj çështjen e hapësirës siç kuptohet në lidhje me pohimin e sovranitetit shtetëror dhe së fundmi trajektoret individuale ose familjare. Sepse, për shembull, përmes trajektoreve të individëve mund të shohim se si shteti i ri është një hapësirë kuptimi, qarkullimi, kufizimesh dhe mundësish”.

A ishin të mjaftueshme vitet ‘20 që shoqëria shumë e prapambetur shqiptare të formësonte si duhej sovranitetin e shtetit të saj?
“Së pari, nuk do ta përdor termin ‘i prapambetur’. Në vitet ‘20, rajone të tjera të Evropës Perëndimore, si Italia Jugore, pjesë të Spanjës dhe Portugalisë, madje edhe Franca, ishin të krahasueshme në aspektin ekonomik dhe social. Mund të flitet për një karakter të fortë rural, varfëri të përhapur dhe, mbi të gjitha, për një shoqëri që sapo kishte dalë nga pothuajse një dekadë luftërash dhe pushtimesh, me të gjitha kufizimet dhe shkatërrimet që përfshinin. Në këtë situatë, aktorë të caktuar në nivel ndërkombëtar (Italia, Greqia, Jugosllavia), por edhe në nivel kombëtar dhe madje edhe lokal, sfiduan, konkurruan ose anashkaluan sovranitetin e riafirmuar të shtetit të ri, siç ishte njohur në vitet 1913-1914. Prandaj, ishte një sovranitet i brishtë, ndonjëherë duke marrë formën e një sistemi të shtresuar, ku disa autoritete ushtronin pushtetin e tyre së bashku me atë të shtetit shqiptar, siç ishte rasti gjatë Perandorisë Osmane, kur për shembull kur autoritetet konsullore të huaja ose autoritetet fetare kishin prerogativa në lidhje me të drejtën tregtare, të drejtën familjare etj. Për më tepër, në vitet ‘20 dhe ‘30, dinamikat e konsolidimit bashkëjetuan me dinamikat e dobësimit të sovranitetit. Në vitin 1939, e para mbizotëroi me aneksimin e vendit nga Italia fashiste”.
Gjatë periudhës 1920-1940, nacionalizmi shqiptar iu përkushtua ndërtimit të shtetit dhe mbijetesës, ndërkohë që përballet me paragjykime dhe përçarje të brendshme politike të mëdha. A mendoni se nga këtu nis gjeneza e problematikave që iu mveshën ndër vite formacioneve politike shqiptare?
“Kjo periudhë është padyshim një periudhë themelore për shtetin shqiptar; sigurisht, duhet të marrim në konsideratë edhe periudhën 1913-1914, gjatë së cilës një shtet embrional mori formë nën autoritetin e një Komisioni Ndërkombëtar të Kontrollit, dhe madje, në njëfarë mënyre, edhe periudhën e Luftës së Parë Botërore, gjatë së cilës u krijuan institucione në zonat e ndryshme të pushtimit. Por është nga viti 1920 e tutje që shteti shqiptar mori formë dhe u organizua brenda territorit që njohim sot. Nëse mendojmë në terma të hapësirës shoqërore dhe politike, është në këtë pikë që u krijuan dinamikat e pushtetit dhe u ndërtuan luftërat për pushtet në nivele të ndryshme (lokal, rajonal, kombëtar dhe mbikombëtar) në një bashkëveprim midis këtyre niveleve të ndryshme, në lidhje me këtë territor. Këto balanca dhe tensione sigurisht që rrjedhin nga dinamikat që ekzistonin para vitit 1920, por është nga kjo pikë që aktorët e integruan këtë horizont kombëtar (edhe nëse e kontestuan atë)”.

Cilët ishin faktorët që e mbrujtën në këtë periudhë idenë shtetërore-kombëtare të shqiptarëve sipas jush?
“Faktorët që e formësuan idenë e shtetit kombëtar shqiptar janë shumë të larmishëm. Ajo që më intereson më shumë në libër janë dinamikat që formësuan vetë formimin e shtetit kombëtar. Midis tyre janë dinamikat që rrjedhin nga periudhat e mëparshme. Shoqëria, ekonomia, marrëdhëniet e pushtetit dhe praktikat administrative janë të gjitha të shenjuara nga transformime, veçanërisht që nga fundi i epokës osmane; prandaj këta janë faktorë diakronikë. Për të marrë një shembull, në një nga kapitujt e parë, unë tregoj se si mobilizimet klandestine ishin shumë të rëndësishme në formimin e shtetit dhe të peizazhit politik në fillim të viteve ‘20, sepse ky lloj mobilizimi ishte zhvilluar në Perandorinë Osmane, dhe veçanërisht në Ballkan, rreth çështjes maqedonase. Në vitet ‘20, shumica e tyre nëpunësve civilë, gjyqtarëve, etj., u trajnuan gjatë epokës osmane, qoftë brenda Perandorisë Osmane apo diku tjetër. Por ekzistojnë edhe dinamika sinkronike, për shkak të qarkullimit të ideve, njerëzve dhe mallrave.
Procesi i miratimit të Kodit Civil që studioj në një nga kapitujt tregon tensionet që rezultojnë midis idesë së miratimit të Kodit Zviceran (sepse ai është miratuar tashmë nga Turqia) dhe idesë së miratimit të Kodit Francez, i cili është më afër Kodit Italian”.

A ishte e fortë inercia perandorake osmane ndër shqiptarë dhe si e neutralizuan ndër vite atë pesha e Perandorisë Austro-Hungareze dhe sidomos asaj italiane duke nisur nga fundvitet ’20 deri në pushtim?
“Po, siç e përmenda, dinamikat post-imperiale ishin shumë të rëndësishme. Ato nuk kufizoheshin vetëm në Perandorinë Osmane, pasi imperializmi austro-hungarez dhe ai italian ishin gjithashtu vendimtar në pohimin e ekzistencës së një kombi shqiptar dhe në krijimin e një shteti shqiptar pas Luftës së Parë Ballkanike. Për shembull, ishte nëpërmjet rrjeteve të krijuara në fillim të shekullit të 20-të që administrata shqiptare i kërkoi një specialisti austriak, Carl Patsch, të ngrinte një muze kombëtar. Kur shqyrtojmë historinë e këtij muzeu dhe të arkeologjisë në përgjithësi, shohim se dinamikat e gjeneruara nga imperializmi i ri italian do të kishin më pas një ndikim më të madh në këtë fushë, si dhe në sferat ekonomike dhe politike”.
A mund të themi që një nga paradigmat më të mëdha historike të shqiptarëve mbetet emigracioni?
“Po, patjetër, emigracioni është një faktor qendror ne shoqërinë shqiptar ne atë kohë, si edhe para 1920 ose mbas 1939, e deri sot. Natyrisht për çdo periudhën ka karakteristika te ndryshme (rëndësia, drejtime, …). Kjo është gjithashtu një arsye pse duhet të marrim në konsideratë dinamikat përtej shtetit”.
Si ndërthuren sipas jush procesi i forcimit të idesë shtetërore kombëtare dhe ajo e ideologjive të reja që u futën në vend gjatë viteve ‘20, si ato komuniste, fashiste etj?
“Ideologjitë e reja që qarkullonin në Evropë dhe Mesdhe gjatë viteve 1920 dhe 1930 ishin të pranishme në Shqipëri: komunizmi, fashizmi, por edhe modelet kemaliste dhe naziste. Paradoksalisht, komunizmi e forcoi aparatin shtetëror, pasi udhëheqësve dhe administratorëve politikë u dukej si një rrezik, një kërcënim; këtu mund të marruim si shembull masat që ndërmerren për të rifutur fenë në shkolla, që është ngjashme me atë që ndodhi në Francë, një fakt që nganjëherë harrohet. Për të rinjtë, komunizmi, ndaj të cilit ishin ekspozuar në Shqipëri, Itali, Turqi ose gjetkë, ishte një mjet mobilizimi. Modelet e tjera mund të ishin mjete proteste. Por ato ishin më shpesh modele qeverisjeje, për shembull, në lidhje me idenë e ‘diktaturës’, por edhe të kontrollit të të rinjve”.

A ndikoi “Shqiptarizmi shekullar” për të mbyllur ndarjet e thella fetare (myslimane, ortodokse, katolike) dhe ato rajonale/fisnore (veri-jug, gegë-toskë)?
“Kujdes! Ndarjet fetare, rajonale ose klanore nuk duhen parë si të fiksuara dhe të përhershme; para periudhës në studim, ato ndërtoheshin me kalimin e kohës përmes marrëdhënieve shoqërore dhe politike; ato mund të jenë shumë të ndryshueshme, prandaj, nuk duhen parë si të ngurta. Për shembull, kishte aleanca midis myslimanëve dhe të krishterëve, edhe pse ekzistonin konflikte mes tyre. Në teori, narrativa mbizotëruese tentonte të zhdukte dallimet e brendshme; por në praktikë, rastet e studiuara në libër tregojnë se, në nivel lokal, zhvillimet varen nga dinamikat e pushtetit midis figurave të ndryshme që ushtronin autoritet. Edhe në nivel kombëtar, shteti laik shqiptar në vitet ‘30 përdori ndërtimin e xhamive për të pohuar territorin e tij kundrejt Greqisë. Për më tepër, transformimi i marrëdhënieve fetare nuk është vetëm për shkak të përhapjes së shqiptarizmit laik; është gjithashtu rezultat i dinamikave që burojnë brenda shoqërisë, siç është përhapja e gjerë transnacionale e rrymave të mendimit që sapo përmendëm».
Pse pati aq luftë ndaj shkollave të huaja në Shqipëri dhe a e shikoni të arsyeshme, vendimin e atëhershëm të autoriteteve shqiptare për mbylljen e tyre?
« Lufta kundër shkollave ‘të huaja’ synonte kryesisht shkollat greke, nga njëra anë, dhe shkollat italiane, nga ana tjetër. Për disa, qëllimi ishte të kufizohej ‘ndikimi grek’ ose helenizmi, edhe pse disa nga këta aktorë mund t’i dërgonin fëmijët e tyre në shkolla të tilla sepse i konsideronin më cilësore. Një vështrim më i afërt zbulon gjithashtu se jo të gjithë aktorët shtetërorë bien dakord domosdoshmërisht për këtë çështje: Ministria e Arsimit shpesh kishte një perspektivë të ndryshme nga Ministria e Brendshme, ose edhe brenda rrethit të ngushtë të Zogut, ku ruajtja e rendit kishte përparësi mbi promovimin e një identiteti laik shqiptar; administratorët vendas gjithashtu e shihnin situatën shumë ndryshe nga ata që ishin përgjegjës në Tiranë. Nga ana tjetër, çështja e marrëdhënieve me vendet fqinje, në këtë rast Greqinë dhe Italinë, si dhe përdorimi i organeve ndërkombëtare, mund të jenë gjithashtu faktorë që shtyjnë drejt një vendosmërie më të madhe ose, anasjelltas, një lloj lirie. Për më tepër, kjo çështje e shkollave të huaja u lidh me atë të shkollave të besimit fetar, veçanërisht shkollave katolike dhe ortodokse të krishtera, dhe në përgjithësi me marrëdhënien midis fesë dhe arsimit. Përmes kësaj çështjeje, shohim masën në të cilën formimi i shtetit dhe zbatimi i politikave të tij negociohen në nivele të ndryshme, nga ai lokal në atë ndërkombëtar, dhe se këto negociata janë shenjuar nga përparime dhe pengesa. Për shembull, ndërkohë që arsimi ishte shtetëzuar në vitin 1933, në gjysmën e dytë të viteve ‘30 dhe pas shqyrtimit që i bëri çështjes Këshilli i Lidhjes së Kombeve dhe vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, ‘shkollat e pakicave’ greke u autorizuan përsëri të vepronin. Po kështu, në saje të ndërhyrjes italiane, kleri katolik mori të drejtën për të rihapur ‘shkollat e autorizuara‘. Prandaj, proceset janë larg të qenit lineare… ».
Mendoni se Autoritarizmi në rritje i Zogut siguroi stabilitetin dhe institucionet por privoi liritë demokratike dhe ngjalli frikën dhe besimin e munguar ndaj shtetit?
« Në njëfarë mënyre, po; shohim se në vitet ‘30, me vendosjen e një regjimi autoritar, hapësira e manovrimit të aktorëve ishte më e kufizuar dhe sjellja e tyre zbuloi frikë, ose të paktën mosbesim, ndaj regjimit, madje edhe një dëshirë për të provuar ta përmbysnin atë, edhe nëse të tjerët e lavdëronin ‘diktaturën’, të cilën e konsideronin të ndriçuar. Ndër trajektoret që studioj në libër, shohim pikërisht trajektore të tilla kundërshtuese si ajo e Hafiz Abdullah Zëmblakut, një imam që u përpoq të zhvillonte arsimin për vajzat dhe të modernizonte Islamin dhe shoqërinë, por jo në mënyrën që Shteti ose institucionet myslimane dëshironin ta bënin; dhe pavarësisht masave të internimit, ai vazhdoi punën e tij, e cila përfshinte edhe shpërndarjen e librave. Rasti i Nexhmie Zaimit, një vajzë e re nga shtresa e mesme që mbështeste regjimin, hedh dritë gjithashtu mbi kontradiktat e regjimit autoritar modernizues. Gjendja e gruas shqiptare evoluon me vështirësi, madje edhe në ato ambiente ku ato tani mund të studiojnë. Ndërkohë që kanë mundësi të studiojnë, ato ende detyrohen të mbajnë vello ose, të paktën, të përballen me kufizime shumë të forta sociale. Nexhmie Zaimi mundi t’i shpëtojë kësaj vetëm duke arritur të largohet për në Shtetet e Bashkuara, falë rrjetit të saj të të njohurve në shkollën amerikane në Kavajë ku studioi. Duke studiuar trajektoren e familjes Shtëpani nga Shëngjergji, shohim se si riformësohet fraksionizmi rajonal midis mbështetësve dhe kundërshtarëve të regjimit; por edhe se si, si përmes marrëdhënieve ‘miqësore’, ashtu edhe mekanizmave të rinj racionalizues, kundërshtarët mund të integrohen pjesërisht në shtet, por edhe të integrohen në grupe opozitare jashtë rajonit të tyre të origjinës, të nxitur nga ideologji të reja si komunizmi ».
A ju duket se Fraksionizmi i Brendshëm me bejlerët që zotëronin tokat dhe tregtarët që i kundërshtonin, shtuar me prijësit e klaneve e trandën asokohe vendin?
« Rasti që shqyrtoj në libër, lidhur me veprimet e një nënprefekti, përkatësisht Tafil Boletini, i cili la pas kujtime, tregon se jo vetëm që çështja e territorit ishte e rëndësishme për administratorët, veçanërisht në zonat kufitare, por edhe se çështja e tokës ishte qendrore në jetën e përditshme në rajone të caktuara. Përveç zonave malore, toka ishte ende kryesisht në pronësi të pronarëve të mëdhenj të tokave, bejlerëve; prandaj administrata duhej të përballej me pushtetin e tyre në nivel lokal dhe rajonal. Në rajone të tjera, disa administratorë përballeshin me figura të tjera të fuqishme. Nuk i kam studiuar trajektoret e tregtarëve, gjë që sigurisht duhet bërë. Megjithatë, nëpërmjet rastit të disa sipërmarrësve italianë dhe vetë Zogut, lidhur me çështjen e shfrytëzimit të lëndës drusore dhe pyjeve, unë tregoj se si interesat private dhe shtetërore mund të jenë thellësisht të ndërthurura”.
Megjithëse flasim për nacionalizëm, pse nuk zuri vend, sipas jush, përpjekja e Komitetit të Kosovës, që kërkoi bashkimin me forcë të tokave të banuara nga shqiptarët dhe kundërshtoi fuqimisht politikat e Zogut ndaj Jugosllavisë?
“Në këtë punim nuk jam marrë me këtë çështje. Anëtarët e Komitetit të Kosovës u detyruan të largoheshin nga vendi pas kthimit të Zogut nga Jugosllavia në fund të vitit 1924. Më pas, ndoshta paradoksalisht, më duket se ishin ambiciet imperialiste të Italisë që çuan në vendosjen e Kosovës nën sovranitetin e Shqipërisë, së pari teorikisht (me shpalljen e Zogut si ‘Mbret i Shqiptarëve’ dhe jo i Shqipërisë, ose kur një prefekturë u emërua ‘Prefektura e Kosovës’ në verilindje të vendit), dhe më pas praktikisht, në vitin 1941, kur një pjesë e Kosovës dhe e Maqedonisë iu aneksuan mbretërisë. Megjithatë, duhet theksuar se një rrjet kosovarësh ishin të afërt me Zogun dhe i shërbyen shtetit shqiptar në vitet ‘20 dhe ‘30, siç ishin Tafil Boletini, i përmendur më parë, dhe Sali Vuçiterni, i cili mbajti disa poste ministrore edhe është përmendur disa here ne librin tim”.

Cili është projekti juaj i ardhshëm?
“Jam duke punuar për Sami Frashërin. Do të jetë një libër. Jo saktësisht një biografi por një studim që ndjek tema të ndërlidhura për të kuptuar më mirë kompleksitetin e kësaj figure edhe të shoqërisë osmane ne shekullin 19. Për shembull, marrëdhëniet e tij shoqërore, konceptet e tij për hapësirën, angazhimi i tij, praktikat e tij si përkthimi ose tipografi, etj”.











