Çmimet e naftës u rritën përsëri mbi 100 dollarë për fuçi teksa tregjet e energjisë u rihapën në Azi këtë të hënë, pasi bisedimet mes SHBA-ve dhe Iranit përfunduan pa një marrëveshje të re dhe presidenti Donald Trump tha se do të bllokojë portet iraniane.
BBC shkruan se çmimi i naftës Brent, u rrit me 7.3% në 102.30 dollarë, ndërsa West Texas Intermediate u rrit me 8.7% në 104.94 dollarë.
Dështimi i negociatave gjatë fundjavës ka shtuar shqetësimet se kriza globale e energjisë do të thellohet.
Çmimi i naftës ra ndjeshëm nën 100 dollarë të mërkurën e kaluar pasi Uashingtoni dhe Teherani ranë dakord për një armëpushim dyjavor me kushte, që përfshinte hapjen e ngushticës së Hormuzit, rrugë ujore kyçe e tregtisë.
Ngushtica, përmes së cilës kalon një e pesta e furnizimeve energjetike botërore, është bërë një pikë e nxehtë e luftës në Iran pasi Teherani u kundërpërgjigj ndaj sulmeve SHBA-Izrael duke kërcënuar se do të sulmojë anijet që përpiqen ta përdorin.
Transportet kanë qenë kryesisht të bllokuara që nga fillimi i konfliktit më 28 shkurt, megjithëse disa vende si India dhe Malajzia kanë negociuar kalim të sigurt për anijet e tyre.
Kjo ndërprerje ka çuar në rritje të çmimeve të energjisë në mbarë botën.
Ekonomisti Chua Yeow Hwee nga Universiteti Teknologjik Nanyang në Singapor tha se bisedimet SHBA-Iran u ndoqën nga afër për shenja se ndërprerjet e transportit të naftës përmes ngushticës së Hormuzit do të lehtësoheshin së shpejti.
“Çmimet e naftës ka gjasa të mbeten të larta sepse pritshmëritë tani varen nga zbatimi i plotë i bllokadës, nga përhapja e ndërprerjeve të transportit dhe nga rifillimi i diplomacisë,” tha ai.
Vendet aziatike janë goditur veçanërisht rëndë nga pasojat e luftës në Iran pasi varen shumë nga nafta e Lindjes së Mesme. Edhe kontratat e së ardhmes për aksionet amerikane treguan një hapje më të ulët për Wall Street.
Çmimet e energjisë dhe tregjet financiare në mbarë botën kanë parë luhatje të mëdha javët e fundit teksa investitorët reagojnë ndaj zhvillimeve të konfliktit.











