Nënkryetarja e bashkisë së Tiranës e sapozgjedhur në detyrë, Anisa Ruseti foli për projektet më të reja në 4 vitet e ardhshme.
Ruseti foli për kreditë e buta të cilat do të ofrohen nga bashkia për familjet në nevojë duke zbuluar edhe kriteret të cilat do të zbatohen për dhënien e tyre. Kriteri bazë- tha Ruseti- do të jetë mospasja e një apartamenti ose banese tjetër. Ndërsa shtoi se kriter do të jetë edhe niveli i të ardhurave.
“Këtë vit, qeveria është përgjigjur pozitivisht kërkesës tonë për të rritur numrin e përfituesve dhe besojmë se gjatë vjeshtës do të kemi një thirrje të re për të gjithë qytetarët e Tiranës për të aplikuar për kredi të butë”, -tha nënkryetarja e bashkisë.
Më tej, ajo shtoi se “ne jemi duke diskutuar pavarësisht periudhës së pushimit, jemi duke diskutuar me ministrinë në lidhje me këtë program, në lidhje me kriteret dhe numrin në total që do të kemi në dispozicion si bashki Tiranë. Ndryshe nga herët e tjera, ky do të jetë një thirrje për të gjitha bashkitë pra edhe bashkitë e tjera do të mund të aplikojnë për këtë thirrje, kështu që jemi duke diskutuar dhe shumë shpejt në vjeshtë do të jemi gati që të gjithë qytetarët ti drejtohen sporteleve të bashkisë së Tiranë për të plotësuar dokumentacionin e nevojshëm”.
Ruseti preku edhe çështjen e mësimit me dy turne, që sipas saj do t’i jepet fund brenda mandatit 4 vjeçar ndërsa aktualisht janë ndërtuar 5 shkollat e para.
“Më lejoni të them që në këtë mandat ne kemi ndërtuar 5 shkolla të reja që më lejoni të them që tani për momentin janë ato që janë më të suksesshme. Ndërkohë që bashkia Tiranë është fokusuar në rritjen e infrastrukturës dhe plotësimin e standardeve më të larta në infrastrukturë në lidhje me shkollat. Drejtoria Arsimore dhe ministria e Arsimit ka bërë të mundur që mësuesit më të mirë të mund të atashohen dhe kjo ka bërë kombinimin e duhur që fëmijët që frekuentojnë këto shkolla të jenë të parët në Olimpiada, të jenë pjesëmarrës në disa nga konkurset siç kemi organizuar gjatë gjithë këtij 4 vjeçari dhe të bëhen ato dhe të bëhen përtej çështjes së shkollës, një qender e vërtetë komunitare duke qenë se bashkia e Tiranës zbaton edhe projektin shkollat si qender komunitare. Shkolla Kosova”, “Betim Muço”, “Ardian Klosi” e cila më përpara gjykohej se do të ishte tek bregu i lumit ndërkohë që ndërmarrja jonë e punëtorëve nr.3 sigurisht bënë një punë shumë të mirë në lidhje me rikonstruksionin e të gjitha shkollave në Tiranë derisa ne të kemi mundësi që me ndërtimin e 17 shkollave të reja në fund të këtij 4 vjeçari të mund të eliminojmë difinitisht kohët me dy turne. Në fund të këtij mandati. 5 nga shkollat e para kanë filluar të ndërtohen. Ishte mënyra më e mirë sesi ne mund të fitonim godina të reja dhe shkolla të reja në një periudhë më të shkurtër kohore duke qenë se fluksi i nxënësve që regjistrohen çdo ditë shkollat tona i kalonte standardin dhe klasat ishin bërë nga standardi 30-32 fëmijë, tashmë kemi klasa me 40 ose 45. Kjo jo vetëm që nuk ndikon pozitivisht në standardin e mësimit por edhe i bën ato të pa menaxhueshme kështu që vizioni i bashkisë dhe kryetarit të bashkisë së Tiranës ishte ndërtimi i menjëhershëm i 17 shkollave të reja, aty ku është nevoja më e madhe. Kështu që në fund të 4 viteve do të kemi definitivisht reduktimin përfundimtar të shkollave me dy turne”, -sqaroi ajo. Gratë dhe vajzat do të kenë një fokus të veçantë në këtë mandat të dytë të Veliajt. Për këtë, Ruseti tha se do të mbështeten idetë e tyre për biznes përmes granteve që kapin shifrat e 5 milion lekëve.
“I kemi dhënë fokus të veçantë vajzave dhe grave kjo për faktin që mendojmë që është nga kategoritë që ka pak më shumë nevojë për ndihmën dhe lehtësimin e bashkisë Tiranë. Financimi që jepet është në formën e grantit, pra nuk ka nevojë që ky buxhet të kthehet mbrapsht. Vlera e grantit shkon deri në 5 milion lekë dhe ne kemi gjykuar që për një start-up në Tiranë është një vlerë e mjaftueshme, që i jep një dorë shumë të mirë një zonje jo vetëm për të hapur një biznes të vetin por edhe për të ndihmuar një zonjë tjetër për ta punësuar. Ne e monitorojmë këtë projekt përgjatë 2 viteve, e mentorojmë gjatë gjithë kohës sesi është mënyra më e mirë për t’u zgjeruar në treg, për të krijuar marrëdhenie me biznese të tjera dhe na ka rezultuar e suksesshme sepse në këtë mënyrë gratë fuqizojnë gra të tjera dhe në këtë mënyrë rrisim punësimin e tyre si një aset shumë i madh në fuqizimin e zonjave”.
Nënkryetarja komentoi edhe vendimin Veliajt për dy zonjat që do të drejtojnë Tiranën në 4 vite.
“Vendimi i kryetarit të bashkisë për të pasur dy zonja nënkryetare sigurisht është një vlerësim shumë i madh dhe një nder i madh si për mua edhe për kolegen time, zonjën Anuela Ristani. Ne do të mbulojmë dy fusha të ndryshme por unë besoj se në thelb të dyja do të orientohemi për mbështetje për zonjat dhe zonjushat e Tiranës, për më shumë mbështetje, por edhe më shumë politika që i shkojnë mbrojtjes së familjes dhe fuqizimit të saj, duke qenë se zonjat janë ato që i japin më shumë shtysë fuqizimit të familjes. Unë besoj se bashkia Tiranë ka treguar se gjatë gjithë këtij 4 vjeçari, drejtimin e qytetit në një farë mënyrë ja ka lënë zonjave dhe një pjesë e madhe e drejtuesve tona, të institucioneve të varësisë së përgjithshme janë në drejtimin e zonjave. Ky është një tjetër 4 vjeçar për t’i dhënë më shumë fokus në nivel politik zonjave dhe mbështetjes që kryetari i bashkisë i ka dhënë kësaj kategorie”, -përfundoi ndër të tjera ajo. / ATA