Nga Mirela Kumbaro
Tek punoja në këto muaj përgatitjeje për Muzeun e ri të Artit Mesjetar, kërkoja shënime, shkrime, komente në vitet e shkuara për koleksionin e ikonave të Korces. Më dhembnin sytë nga titujt e kronikave që e trajtonin koleksionin si “të pastrehë”, të harruar pranë të zotit, të palarë anës lumit, e të paparë anës dritës.
Të thuash që Koleksioni i këtij Muzeu që hapim sot, është i veçantë është shumë pak.
Ikonat, objektet prej guri, koleksioni i objekteve prej metalesh të çmuara, druri të gdhendur, tekstili, letre etj., janë shembuj të një pasurie e larmie vlerash të paçmuara.
Në veçanti, koleksioni ikonografik që ky muze mbart, është një nga më të mëdhenjtë në numër dhe po aq i bukur e i krahasueshëm me gjithë artin tjetër bizantin e pasbizantin të krijuar në territoret fqinje të inkuadruara në ish Perandorinë Bizantine.
Por rrallë ndodh që këto objekte të jenë të gjitha bashkë. Rrallë ndodh që ato të jenë në një koleksion publik. Rrallë ndodh që një vlerë e tillë e jashtëzakonshme kulturore të vijë si pasojë e një batërdie antikulturore siç vetëm diktaturat mund të prodhojnë.
Në kohërat më të errta të diktaturës, këtij populli iu mor jo vetëm liria, por edhe besimi. U mbyllën vendet e kultit dhe u dëmtuan jo pak nga trashëgimia jonë kulturore në një vend ku të gjitha fetë, si në çdo vend të qytetëruar prodhuan jo vetëm besim por edhe art e letërsi.
Por përtej regjimeve dhe luftrave, Shqipëria jonë ka nxjerrë, gjithmonë njerëz që kanë ruajtur vlerat, dhe diku ka patur një Frymë që ndriçonte mendjet për të mos u varrosur përfundimisht nga çbërja. Insititucionet e kultit ranë, por arti mbeti, besimi u ndalua por koleksioni shpëtoi.
Vetëm se, duket sikur nganjëherë Perëndia na ruan më shumë se ç’ruajmë ne veten.
Një vit më parë organizuam, bashkë me Ambasadën Franceze rikthimin e një ikone të vogël por të vyer , që koloneli i Ushtrisë së Orientit, francezi André Ordioni e kishte marrë në një nga kishat e Voskopojës në kohën kur Luftrat Ballkanike ishin dhe drama dhe jeta e përditshme e këtyre trojeve.
Ai la trashëgim ikonën dhe kujtimet e tij. Ikonën e riktheu bujarisht në atdhe mbesa e tij. Ndërsa kujtimeve të tij u rikthehemi ne për të kuptuar më mirë vetëveten e një kohe ku s’kishim kohë të shkruanim se ishim ende në shpërgënj të një shekulli rilindjeje që do të vononte pa të vinte në Shqipëri.
Më 18 tetor 1925, koloneli francez i shkruan të shoqes:
“E shtrenjta ime Monik,
Pas pak do t’i hipi anijes për të ardhur përsëri në Perëndim… Sido që të jetë, do doja t’i dërgoja lamtumira të tjera Shqipërisë, sikur të mos kthehesha më.
Duke lënë këtë tokë të shqiptarëve u uroj atyre paqe e begati. Duke luftuar për pavarësinë e saj më 1918, duke kontribuar në përcaktimin e kufijve dhe për pasojë në krijimin e një shteti të lirë e të pavarur, unë do të interesohem gjithnjë për fatin e saj: do të duartrokas sukseset e saj dhe do të vuaj për hallet e saj.
Duke e lënë Shqipërinë, bindja ime është se ky vend i ka të gjitha burimet natyrore për t’u bërë një vend i begatë. Po të punohet me mençuri, Iliria e re mund të bëhej Zvicra e Ballkanit, duke hyrë në Lidhjen e Kombeve dhe duke qenë pak a shumë si bija e saj… Asgjë nuk i mungon këtij vendi piktoresk, ose në fakt i mungon diçka dhe ky do të jetë konkluzioni im: i mungojnë njerëzit, njerëz të aftë që të dinë të vlerësojnë. Dhe në këtë anë ka shumë për të bërë: veç dy kolegjeve franceze në Korçë dhe në Gjirokastër, përfshi edhe përpjekjet e katolikëve të veriut, duhet të paktën edhe një gjeneratë tjetër që të mund të ketë njerëz të kultivuar, të aftë për të administruar e qeverisur me drejtësi.
(…) Inteligjenca është diçka e përhapur në Shqipëri. Kudo pikas guximin dhe njerëzit e ditur do të vijnë në kohën e vet. Kjo është dëshira ime e fundit. Atëherë kur njerëzit e drejtë, të ndërgjegjshëm e të ndershëm do të marrin në dorë fatet e Shqipërisë, vendi i shqiptarëve do të bëhet një vend i kërkuar për natyrën e tij tërheqëse, vendet e virgjëra, panoramat e panjohura, për rrafshnaltat dhe mikpritjen e madhe”.
Pa bërë asnjë paralelizëm nuk i rezistova dot tundimit për ta ndarë këtë lexim me ju. Por tani t’i kthehemi muzeut të ri që do të shpalosë jo më 150 ikona si në strehën e vjetër, e cila duhet falenderuar që i mbajti me dashamirësinë dhe mirëkuptimin e Mitropolisë së Korçës, por plot 400 të tilla, nga të cilat 250 i prezantohen publikut për herë të parë.
Muzeu i ri nuk do të groposë në pluhura e në zgjëqe rreth 8000 objekte nga të cilat 6500 janë ikona, por do të arkivojë, ruajë, pastrojë, restaurojë e promovojë në kushte të teknologjisë më të mirë të kohës thesaret e Artit Mesjetar, të cilat deri më sot I kanë rezistuar kohës falë kujdesit njerëzor të një grushti specialistësh që kanë punuar aty.
Sot ndërtesa e re e Muzeut siguron infrastrukturë në paramentra bashkëkohore teknike, teknologjike, sigurie, konservimi dhe ruajtjeje.
Ështe kryer për herë të parë në kushte bashkëkohore procesi i dezinfektimit përmes instalimit të nje pajisje te paramentrave moderne, unike ne sistemin e trashëgimisë në Shqipëri, dhe që nga sot do t’i shërbejë jo vetëm këtij Muzeu por të gjitha fondeve të ikonografisë dhe objekteve të artit të trashëgimisë kulturore në Shqipëri.
Ngritja e një laboratori restaurimi i cili do të ofrojë shërbime bashkëkohore jo vetëm për Korcën por edhe për sistemin kombëtar të trashëgimisë kulturore.
Sikurse Roma nuk u ndërtua në një ditë, Muzeu ynë nuk filloi dje për t’u hapur sot.
Korca është një nga shembujt ekselentë kur bashkimi bën fuqinë.
Në bashkëpunim me Ambasadën Franceze, hartuam ndërkohë Programin 2014 – 2016 të “Restaurimit përmes një programi të integruar të konservimit parandalues” me Institutin Kombëtar të Trashëgimisë në Francë
I cili mundësoi rritjen e kapaciteteve profesionale të stafit të sistemit të trashëgimisë dhe vlerësimin i gjendjes konservuese të ikonave dhe evidentimi i neovojave emergjente për ndërhyrje konservuese, restauruese për lëvizjen dhe zhvendosjen e fondit në godinën e re.
Me Bashkinë e Korces e nisëm këtë punë në 2014.
Bashkia vetë nuk kishte arritur ta mbyllte dot punën e nisur ne 2007, me mbështetje të qeverisë greke, për çka dua ta falenderoj këtu nëpërmjet ambasadores së Greqisë sot, sepse nuk është e rastëssishme që një vend lindur prej kulturës si Greqia, i gjen me vend mbështetjet në kulturë në Shqipëri, si me këtë muze, ashtu edhe me fondin për Teatrin Kombëtar.
Greqinë e zuri kriza ekonomike por qeveria shqiptare asokohe, aspak në krizë ekonomike, por në krizë vlerash, fatkeqësisht, nuk e kishte prioritet Muzeun, ndonëse Muzeu nuk ishte i Bashkisë së Niko Peleshit, por Muze Kombëtar. Ajo nuk e kishte prioritet muzeun sic nuk e kishte fare prioritet kulturën, – ca gjëra duhen thënë, sic janë!
E rinisëm projektin nga e para me një investim prej 97 milionë lekë të reja. E ndërtuam me konceptin modern të Peter Ëillson. Nuk patëm dilemë për këtë zgjidhje që vetëm e ndriçon më shumë Mesjetën dhe na bën të kuptojmë vazhdimësinë.
Sot dua t’jua kursej përshkrimin e gjendjes së mjeruar në të cilën e gjetëm thesarin se s’dua t’jua prish shijen e së bukurës, por në ditët në vijim nuk do ngurrojmë t’i përcjellim imazhet që dhembin sepse mirë është që të kuptojmë se ç’domethënë rrënim i vlerave e ç’domethënë rilindje e kulturës.
Mirë është të kuptojmë që ka ikur koha kur barbarët e trashëgimisë kulturore përfundonin në drejtim të paditur që e dinin të gjithe dhe ka ardhur koha kur Kultura është kthyer në motorin tonë të zhvillimit.
Mirë është të mos harrojmë gabimet që të dimë të mbrojmë e të përparojmë.
Jemi këtu për të provuar që bëmë punën e duhur, në kohën e duhur, dhe zgjedhjen e duhur me “Sallën e Artë”, me “Labirintin e Zi”, “Sallonin e Kuq”, “Dhomën e Bardhë”, “Ballkonin Soditës”, të gjitha për t’u vizituar qysh sot.
Por sidomos jemi të lumtur sepse jo vetëm shpëtuam Thesarin, por ndriçuam një Dritare të rëndësishme të kulturës shqiptare
Kjo është thjesht koha e Shqipërisë së Brezit Tjetër.
/a.m.