Jari ka 6 muaj që ka kërkuar leje për të ndërtuar një mur rrethues në oborrin e shtëpisë së vet, të cilën e ka ndërtuar 15 vjet më parë me leje e hipotekë në truallin e katragjyshërve të tij. (Nuk bëhet fjalë këtu për Presidentin e Republikës, por për një Jar të thjeshtë tiranas). Sa herë e përsërit kërkesën për lejen, Jarit i vjen një përgjigje nga bashkia, në të cilën shkruhet pak a shumë kështu:
“Ashtu siç ju kemi sqaruar në shkresën aq e kaq, të datës aq, ka hyrë në fuqi ligji aq e kaq, në datën kaq, si dhe rregullorja aq e kaq e datës aq. Gjithashtu sipas pikës a të nenit kaq e aq të VKM-së kaq e aq të datës kaq, rrethimet, si punime me vëllim të kufizuar ose ndikim të ulët mjedisor, kanë nevojë për leje me procedurë të përshpejtuar.
Bazuar në sa më lart, autoriteti vendor do të përcaktojë rregullat në rregulloren blah, blah, blah, sipas nenit kaq e aq të VKM-së kaq e aq të datës aq (të ndryshuar). Pra, sa më sipër, jemi në pamundësi të shqyrtimit të kërkesës suaj”.
Ndërkohë që Jari bën kërkesa dhe merr përgjigje blah, blah, blah, si kjo e mësipërmja, Gon muratori (fqinji i Jarit), pret të ndërtojë murin rrethues të oborrit të Jarit, që të fitojë ndonjë lek, për të blerë diçka më tepër tek Visi, dyqanxhiu i lagjes. Gjithashtu, Blendi, pret që t’i shesë Gonit blloqet e betonit për murin e Jarit (që edhe ai të blejë diçka më tepër tek dyqani i lagjes). Por asgjë nga këto nuk do të ndodhë derisa të rrëzohet Muri që Edi Rama ka ngritur nëpërmjet Ligjit kaq e aq (të ndryshuar), Rregullores kaq e aq (të ndryshuar) dhe VKM-së kaq e aq, që pritet të pasohet me VKM-në kaq e aq.
Jari nuk don të ndërtojë një qiellgërvishtës 40-katësh – ai thjesht don të rrethojë me mur oborrin e shtëpisë modeste që ka ndërtuar me leje e hipotekë në truallin e katragjyshërve të tij. Si Jari mund të ketë me mijëra Jarë në Shqipëri – dikush don të ndërtojë një mur, një tjetër një ballkon, e një tjetër një aneks. Si Gon muratori mund të ketë me mijëra muratorë në Shqipëri që presin të ndërtojnë muret e Jarëve, që të fitojë ndonjë lek, për të blerë diçka më tepër tek Visat, dyqanxhijtë e lagjeve. Si Blend bllokprodhuesi mund të ketë dhjetra Blendë, që presin t’u shesin Gonëve blloqet e betonit për muret e Jarëve (që edhe ata të blejë diçka më tepër tek dyqanet e lagjeve).
Dhe të gjithë këta presin të rrëzohet Muri që Edi Rama ka ngritur nëpërmjet Ligjit kaq e aq (të ndryshuar), Rregullores kaq e aq (të ndryshuar) dhe VKM-së kaq e aq, që pritet të pasohet me VKM-në kaq e aq.
Përkthyer në përqindje të Prodhimit të Brendshëm Bruto, muri i Edi Ramës ndoshta pengon një shtesë 0.5% rritje në vit. Gjë që do të thotë se rritja e PBB-së mund të arrijë nivelin 3.8% dhe jo 3.3%, në qoftë se bie muri i Ramës, i cili pengon ngritjen e mureve të Jarëve…
Respublica