Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Petrit Selimi, po qëndron në një vizitë pune me në Helsinki me ftesë të Presidentit Martti Ahtisari. Presidenti Ahtisari, i cili drejton Nismën për Menaxhimin e Krizave (CMI) dhe është aktiv në misione paqebërëse në botë, shprehi interesim për zhvillimet e fundit në Kosovës, procesin e integrimeve evropiane si dhe procesin e anëtarësimit të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën (UNESCO) dhe në organizata të tjera ndërkombëtare.
Sipas një komunikate të Ministrisë së Punëve të Jashtme, zëvendësministri Selimi njoftoi Presidentin Ahtisari dhe stafin e tij për qasjen strategjike të Kosovës, procesin e lobimit dhe zhvillimet e fundit rreth procesit të votimit për anëtarësim në UNESCO që pritet të ndodhë në nëntor.









