Gjatë ditës së sotme, vendi ynë pritet të përfshihet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme, me kthjellime dhe vranësira mesatare deri të dendura, kryesisht pas orëve të mesditës.
Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, reshjet e shiut do të bëhen prezente prej mesditës, fillimisht në jug të vendit dhe më pas do të shtrihen gradualisht në të gjithë territorin. Ato pritet të jenë me intensitet të ulët, ndërsa në jug dhe pjesërisht në zonën qendrore nuk do të mungojnë shtrëngatat afatshkurtra, të shoqëruara me shkarkesa elektrike.
Mjegull e dendur dhe mjegullinë parashikohen gjithashtu në orët e mëngjesit, si dhe gjatë episodeve me reshje shiu.
Sa i përket kushteve të erës, ajo do të fryjë nga drejtimi verilindje-juglindje, me shpejtësi mesatare rreth 9 m/s. Në vijën bregdetare dhe zonat luginore, era pritet të forcohet, duke arritur shpejtësinë deri në 19 m/s.
Ndërkohë, në det parashikohet valëzim me forcë 3-5 ballë.










