Presidenti amerikan Joe Biden ka shpallur gjendje të katastrofës së madhe në Teksas, për të mundësuar ndarjen e më shumë fondeve federale si ndihmë për këtë shtet.
Biden ka thënë se do të vizitojë Teksasin nëse prezenca e tij nuk është barrë, ndërkohë që po bëhen përpjekje për ndihmë.
Në gjithë Shtetet e Bashkuara është raportuar për gati 60 persona të vdekur si pasojë e motit të ftohtë.
Presidenti Biden ka qenë në kontakt edhe me kryetarët e disa prej qyteteve më të mëdha në Teksas, si Hjuston, Austin dhe Dallas, për t’u siguruar se ata kanë qasje në burime qeveritare, ka thënë një zyrtar i administratës.
Shumë shtete tjera jugore janë goditur po ashtu nga bora dhe stuhia e akulltë këtë javë, çka ka rezultuar me mungesa të ujit.
Përgjatë jugut të Shteteve të Bashkuara, rajon që nuk është mësuar me temperatura kaq të ulëta dhe ku rezervuarët e ujit janë ngrirë, banorët kanë shkrirë borën për të fituar ujë.