Një adoleshent nga Massachusetts vdiq pasi mori pjesë në një trend viral të mediave sociale të njohur si “One Chip Challenge”, për të cilin familja e adoleshentit beson se kontribuoi në vdekjen e tij të parakohshme.
Nëna e 14-vjeçarit Harris Wolobah, tha se familja e adoleshentit beson që ai vdiq si rezultat i sfidës pasi hëngri një patatinë jashtëzakonisht pikante Paqui në shkollë dhe më pas u sëmur.
Ngjarja ndodhi të premten, ku pasi hëngri patatinën, 14-vjeçari i cili ishte në vitin e dytë të shkollës së mesme Doherty Memorial në Worcester u ndje keq dhe u mor nga familja e tij nga shkolla.
Ndërkohë priten rezultatet e autopsisë, pasi shkaku i vdekjes nuk është konfirmuar ende.
Pas vdekjes së tij, Shkollat Publike Worcester po ofrojnë këshillim dhe mbështetje emocionale për studentët dhe anëtarët e stafit.
Sfida Paqui, e cila promovohet në faqen e internetit të kompanisë, teston aftësinë e një individi për të ngrënë patatina. Faqja e internetit e prodhuesit të patatinave paralajmëron gjithashtu për efektet e padëshiruara mjekësore pas ngrënies dhe këmbëngul se duhet të hahet vetëm nga të rriturit.
Përveç kësaj, Paqui këshillon ata që hanë patatina, që të kërkojnë kujdes mjekësor nëse përjetojnë “vështirësi në frymëmarrje, të fikët ose të përziera të zgjatura”.
“Pas prekjes së patatinës, lani duart me sapun dhe mos prekni sytë apo zona të tjera të ndjeshme”, tha marka në internet.