• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Monday, October 5, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Opinion

Monologu i një numëruesi

by Thoma Gëllçi
29/06/2026 08:13
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Thoma Gëllçi

Quhem Nesti Angoni dhe kam një zanat që shumë njerëz nuk e kuptojnë. Mendojnë se numërimi është punë e lehtë. Nuk është. Të numërosh është përgjegjësi. Një numër i vogël mund të prishë humorin e një ministri. Një numër i madh mund t’ia zbukurojë gjithë javën.

Karrierën e nisa me rrjetet sociale. Çdo mëngjes hapja kompjuterin dhe filloja kontrollin. Sa pëlqime kishte marrë ministri i Turizmit? Sa herë ishte shpërndarë postimi i Ministrisë së Infrastrukturës? Kush nga kryetarët e bashkive kishte bërë “share” menjëherë dhe kush ishte treguar i plogësht?

Mos qeshni. Këto janë gjëra serioze. Në kohët moderne nuk maten më kilometrat e asfaltit. Matet me sa “like” merr një postim.

Kam parë ministra që kontrollonin telefonin çdo pesë minuta. Kam parë kryetarë bashkish që fshinin postimin dhe e hidhnin përsëri, vetëm se fotografia nuk kishte marrë pëlqimet që prisnin. Disa prej tyre më buzëqeshnin sapo më shihnin. Disa të tjerë ndryshonin trotuar. Kishte edhe nga ata që më përshëndesnin dy herë në ditë, nga frika se mos shkruaja ndonjë letër për ta. E shihja frikën në sytë e tyre.

Nuk kam bërë kurrë raporte me emër. Nuk ishte nevoja. Në administratë një thashethem i besueshëm udhëton më shpejt se një shkresë me vulë. Mjaftonte të përhapej fjala se Nesti Angoni nuk ishte i kënaqur me performancën tënde në rrjetet sociale dhe të nesërmen fillonin postimet çdo orë.

Pastaj erdhi koha e turizmit.

Atë ditë e ndjeva se më në fund do të bëja një punë të dobishme për vendin. Shqipëria po mbushej me të huaj. Vinin nga gjithë Europa. Fotografonin malet, detin, qytetet e vjetra, hanin byrek, pinin raki, ankoheshin për rrugët dhe largoheshin të lumtur. Dikush duhej t’i numëronte.

Këtë detyrë e mora me pasion.

Kam ecur më shumë se çdo guidë turistike. Kam pirë kafe në çdo aeroport, port e shëtitore. Kam mësuar të dalloj suedezin nga holandezi vetëm nga mënyra si ecën me sandale. Kam zhvilluar një sy që nuk gabon. Mjafton të shoh një burrë me çorape të bardha deri te gjuri në mes të korrikut dhe e kuptoj menjëherë se është turist.

Më pëlqente sidomos mbrëmja. Ulesha në një kafene buzë detit, por nuk shijoja perëndimin si gjithë të tjerët. Unë shijoja numrat. Sa shihja katër turistë të ulur në një tavolinë, përnjëherësh i shumëzoja me tre. Çdo tavolinë me të huaj më dukej si një fitore personale. Në fund të ditës kthehesha në shtëpi me bindjen se edhe unë kisha dhënë një kontribut modest në zhvillimin e vendit.

Nuk e mohoj. Kur dëgjoja në televizor se kishte ardhur turisti i dhjetëmiliontë, ndihesha krenar. Edhe unë kisha një pjesë të vogël në atë sukses.

Pastaj nisën protestat.

Që atë ditë fillova të mos fle rehat.

Problemi nuk ishte protesta. Problemi ishin llogaritë.

Për turistët kisha një rregull të thjeshtë: një bëheshin tre. Mjaftonte ta shihja një herë në aeroport, një herë në plazh dhe një herë në një restorant, dhe ndihesha se i kisha bërë një shërbim statistikës kombëtare. Turizmi duhej të rritej dhe unë e ndihmoja të rritej.

Për protestuesit rregulli ishte po aq i thjeshtë, vetëm se në drejtim të kundërt: tre bëheshin një. Sa më e madhe turma, aq më shumë punë kërkonte. Duhej gjetur këndi i duhur, fotografia e duhur dhe, mbi të gjitha, përpjesëtimi i duhur.

Derisa erdhën kosovarët.

Aty më iku qetësia.

Si turistë ishin bekim. Sa më shumë kosovarë të hynin në Shqipëri, aq më mirë për statistikat. Në raportet e mia ishin turistë model. Patriotë. Vizitorë besnikë. Njerëz që zgjidhnin Shqipërinë për pushime. Çdo makinë me targa të Kosovës më dukej si një fitore personale.

Por mbrëmja më prishte gjithë llogaritë.

Shumë prej tyre, pasi ktheheshin nga plazhi i Durrësit ose i Golemit, kalonin nga Tirana dhe bashkoheshin me protestën.

Dhe aty fillonte makthi im profesional.

Paradite i kisha regjistruar si turistë shembullorë që ndihmonin ekonominë shqiptare. Në mbrëmje i shihja në rrugë me pankarta dhe, sapo hapja rrjetet sociale, zbuloja se nuk ishin më turistë. Brenda pak minutash shndërroheshin në “falanga të Albin Kurtit”, “destabilizues”, “të financuar nga Irani” ose çfarëdo etikete që ishte në modë atë javë.

Nuk arrija t’i ndiqja.

I njëjti njeri, me të njëjtat sandale, të njëjtën kapele dhe të njëjtën fytyrë, paradite ishte një hero i sezonit turistik. Në darkë ishte rrezik për rendin publik.

Asnjeri nuk e di se sa e vështirë është kjo punë. Është sakrificë. Të shumëzosh një njeri paradite dhe ta pjesëtosh po atë njeri në darkë kërkon nerva të forta. Ka net që nuk më zë gjumi. Rri me kalkulator në dorë dhe pyes veten nëse ai kosovari që e bëra gjashtë turistë në drekë duhet të mbetet një e treta e protestuesit në darkë. Por nuk ankohem. E bëj për vendin. Secili e ka një kryq për të mbajtur.

Vetëm një merak kam: a do t’ia çojë njeri në vesh Bajramit se çfarë po heq unë për këtë Shqipëri? Nuk kërkoj shumë. Një dekoratë të vogël e kam fituar me djersën e ballit. Nëse ka medalje për trimëri në numërim, mendoj se më takon mua. Vetëm kaq dua.

Next Post
Nxirren edhe dy turistët e tjerë të bllokuar në kanionin e Gjipesë

Nxirren edhe dy turistët e tjerë të bllokuar në kanionin e Gjipesë

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Vera zgjatet në Shqipëri, raporti: Deri në 25 ditë më shumë me temperaturë mbi 25°C

Vera zgjatet në Shqipëri, raporti: Deri në 25 ditë më shumë me temperaturë mbi 25°C

October 5, 2026
E vërteta e dhimbshme e Sylvester Stallone/ Pse fitorja e “Rocky-it” në Çmimet Oscar i la plagë në zemër

E vërteta e dhimbshme e Sylvester Stallone/ Pse fitorja e “Rocky-it” në Çmimet Oscar i la plagë në zemër

October 5, 2026
Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, në rend dite çështjet e zgjedhësve

Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, në rend dite çështjet e zgjedhësve

October 5, 2026
“Braktisen” shkencat ekzakte, ende pak studentë të regjistruar në degët Fizikë, Kimi dhe Matematikë

Nis viti i ri akademik, 120 mijë studentë në auditorët e universiteteve të Shqipërisë

October 5, 2026
Trafik i rënduar në aksin Elbasan-Tiranë, kolona kilometrike automjetesh te Bradasheshi!

Trafik i rënduar në aksin Elbasan-Tiranë, kolona kilometrike automjetesh te Bradasheshi!

October 4, 2026
Shqipëria në BE në 2027? Hofreiter: E mundur, por korrupsioni mbetet sfida kryesore

Shqipëria në BE në 2027? Hofreiter: E mundur, por korrupsioni mbetet sfida kryesore

October 4, 2026
Trazira në Francë! 500 shkolla mbyllen, përleshje me policinë dhe dhjetëra të plagosur

Trazira në Francë! 500 shkolla mbyllen, përleshje me policinë dhe dhjetëra të plagosur

October 4, 2026
Plani rus për dimrin? Zelensky: Të shkëputen qytetet strategjike të Ukrainës

Plani rus për dimrin? Zelensky: Të shkëputen qytetet strategjike të Ukrainës

October 4, 2026
Kosova ndalet në fund nga Austria

Kosova ndalet në fund nga Austria

October 4, 2026
Panik në një kopsht në Korçë, 6 fëmijë përfundojnë në spital! Ja dyshimet e para

Motori del nga rruga në Ksamil, plagoset drejtuesi

October 4, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com