Një nga themeluesit kryesorë të Partisë Socialiste në këto ditë që përkojnë me themelimin e këtij formacioni ka folur për JAVAnews. Si e shikon ai politikën e saj të viteve të fundit, pse është larguar ajo gjithnjë e më shumë nga elektorati i vet tradicional, por edhe problematikën e saj, që ai e sheh të ngërthyer me atë të partive të Majta simotra evropiane…
Nga Ben Andoni
PS-ja është ende partia më e madhe në vend, e megjithë ndarjet e kohës, formacioni që drejton aktualisht me aleatët e saj formën qeverisëse të vendit. Formacioni politik i ardhur nga PPSH ka kaluar në shumë sfida, por më e madhja ishte e atyre intelektualëve që morën përsipër shndërrimin e këtij formacioni gërdallë dhe të kalcifikuar në një parti moderne. Për hir të së vërtetës, nismëtarëve u duhej të përballeshin veç të tjerave edhe me stigmën e popullatës dhe kundërshtinë masive ndaj pasuesve të PPSH-së. E megjithatë, një grup intelektualësh arritën të krijonin dhe të mbanin një formacion, që e përmirësuan në vitet e para ’92-‘96, falë debateve të gjëra por edhe me vendim-marrjet korrekte të të gjithë strukturave të zgjedhura.
Dr. Moikom Zeqo do të jetë një nga këto figura, që kontribuoi pa asnjë paragjykim, por dhe nga më të përfolurit për qëndrimin e tij të hapur në kongresin e Partisë së Punës, që bëri ndryshimin e madh. Sot, 25 vjet më vonë, ai dhe i gjithë ky grup nismëtarësh janë jo vetëm jashtë, por edhe të nëpërkëmbur disi nga kolegët e tyre më të ri pa përfshirë atyre bashkëkohës, që janë treguar tejet mosmirënjohës me ta.
“Sot, pas 25 viteve mund të gjykojmë për historinë e re dhe atë që përfaqëson prurja jonë, por pjesa më e suksesshme e formacionit tonë socialist është ajo e kaluar në katër vitet e para të ekzistencës së PS-së dhe pikërisht në vitet 1992-1996, kohë e cila mund të shërbejë si referencë e kësaj lëvizje politike, apo si edhe një koncept për nivelin e përfaqësimit politik të së Majtës. Pa asnjë mëdyshje e them se në katër vitet e para, përfaqësimi i socialistëve ka qenë më idealist, më intelektual, më i kultivuar dhe shumë më vizionar”.
Por, ndërsa socialistët e asokohe përballeshin me forcën më të madhe në vend, Partinë Demokratike të asaj kohe, që ishte gati një front politik, do të fillonin turbulencat e para. Ato do të ngriheshin me konturet e para të fraksioneve, siç kanë shkruar disa nga analistët e saj. Grupi që erdhi në pushtet pas vitit ‘97, pa ndonjë kulturë politike të spikatur por me shumë ambicie, do të konkurronin fuqimisht për egon e tyre. Inercia e këtij qëndrimi bëri që ende të respektohej tradita e mirë e krijuar kurse formimi i mirë i shumicës së anëtarëve vlerësoi kontributet dhe vlerat të ruheshin në PS. Sot, emrat e Fatos Nanos dhe Ilir Metës janë shumë të njohur në këtë forcë, edhe pse i dyti mbijetoi dhe sot është faktori më i rëndësishëm në zgjedhjet qendrore dhe lokale. Duket se fizionomia që lidhet me ardhjen e Edi Ramës e bëri një parti me njerëz të rinj, që përcjellin një frymë që si përket më aq shumë të Majtës ose ta themi më hapur, PS-ja e sotme është më shumë një parti e Qendrës sesa e Majtë.
“Përfaqësimi i sotëm, s’është fare përfaqësues me radhët e socialistëve dhe s’e ka tërheqjen e cilësive të dimensionit të përkushtimit. Ajo mbart thjesht idenë për të galvanizuar me moshën e re, një formë larg koncepteve të forcave të Majta. Dhe, kjo, shfaqet në mungesë të altruizmit, të dashurisë, vlerësimit, solidaritetit dhe institucionalizimit. Asnjëherë s’mund të ketë tema për një parti politike që përfaqësimi dhe investitura e saj të ngrihet në kushtet dhe të referohet në terma të moshës, kurse apelacioni i PS-së së gjeneratës tjetër më tepër të sjell në mëndje një formacion sipërfaqësor që nuk ka kuptimin e një grupi me substrakt politik”, shprehet Zeqo tejet kritik për partinë e tij.
PS, që me kohën e drejtimit të Fatos Nanos bëri një centralizim autokratik, që me atë që u arrit në vitin 2008, për t’i dhënë shumë pushtet liderave, konkludoi në ndërtimin e një grupi të vogël, që duket se ndan tashmë falë shpërndarjes së interesave që vijnë nga pushteti, drejtimin e vendit. Dhe, ndaj, kjo parti sot s’është me e Majtë por gati një parti e mbyllur, ku gjërat i vendos vetëm një grup afër kryetarit Rama, që mezi arriti të bënte dhe zgjedhjet normale në partinë e vet. Të mjafton të dëgjosh emisionin e Bashkim Hoxhës dhe të kuptosh se ky lloj organizimi partiak ka gjeneruar pasiguri e demotivim masiv të njerëzve të saj, mbase paradoksalisht edhe më shumë se paraardhësi i tij kryeministër, armik i hapur i të Majtës. Por Moikom Zeqo, pretendon se kjo frymë është edhe një përcjellje e frymës evropiane të së Majtës.
“Kriza e të majtës shqiptare është krejt evidente tani. Ajo është pjesë e integruar e krizës së të Majtës evropiane. Kjo e Majtë që është edhe në Francë dhe në Itali ka përfaqësime mediokre, ku ka përsëritje të koncepteve të kaluara politike dhe përmbajtje tipike e cila është në zbritje. Dhe, mund të themi pa asnjë dyshim, se kriza e të Majtës evropiane është krizë e koncepteve të liderëve, ndaj vlerësimit dhe rrugës së altruizmit përkundrejt babëzisë për të futur eksebicionizmin në politikën e Majtë.
Është e njëjtë situata në Shqipëri me të Majtën e saj, por në formë dhe ende jo në përmbajtje”.
Dhe humbja e formës ka bërë që të humbë dhe sensi i PS-së ndërsa devotshmëria e sotme reflektohet me ikjen e militantëve të partisë drejt formacioneve të tjera, zbehjen e interesave të tyre, si edhe me afrimin e figurave të përlyera dhe kandidimin e personazheve pa integritet. Kjo dukuri po e afron të Majtën shqiptare me një krizë të afërt, atë që kanë hasur sot edhe partitë e tjera të Majta në Evropë. A ka shpresë? Në vizionin e Zeqos, patjetër: “Ndryshime të tjera konceptesh pritet të ndodhin në të ardhmen. Dhe këto do ndodhin, siç kanë ngjarë deri më sot në Itali, Greqi, Spanjë por duket se ndryshimet në Shqipëri ndodhin me vonesë. Edhe në Shqipëri politika do të kërkojë koncepte të tjera”, përfundon ai për Javanews, i bindur se PS-ja do të mbetet forca kryesore politike në vend.