Komisioni i Posaçëm parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale ka miratuar kalendarin e punimeve, duke avancuar me planin e punës që përfshin raportin e vlerësuar të situatës aktuale të pushtetit vendor, konsultime në të gjitha bashkitë, zhvillimin e një sondazhi publik dhe publikimin e dokumentit politik deri në prill 2026.
Synimi është që deri në qershor 2026 projekt-propozimi t’i shkojë Kuvendit për diskutim.
Bashkëkryetari i komisionit, Arbjan Mazniku, theksoi se reforma duhet të përfundojë brenda korrikut 2026, në mënyrë që të kapet dritarja e vitit 2027 për realizimin e saj, sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias që sugjeron miratimin e reformave një vit para zgjedhjeve.
“Mazhoranca e ka shprehur në mënyrë sistematike vullnetin që ne të kapim vitin 2027. Kjo kërkon që ta mbyllim reformën një vit përpara zgjedhjeve të radhës”, u shpreh Mazniku, duke shtuar se ritmi i punës është vendimtar për të mos e shtyrë reformën në vitin 2031.
Ai nënvizoi se kalendari është ndërtuar duke ecur mbrapsht në kohë, nga korriku 2026, dhe se puna do të përfshijë tri faza dëgjesash publike: në terren, me ekspertët dhe pas prodhimit të akteve.
Mazniku ra dakord me bashkëkryetarin e opozitës, deputetin Luciano Boçi, për krijimin e një portali të posaçëm si nënfaqe e parlamentit, ku qytetarët dhe palët e interesuara mund të adresojnë pyetje, propozime dhe komente mbi ecurinë e reformës.
Nga ana tjetwr, bashkëkryetari nga opozita, Luciano Boçi, mohoi akuzat për sabotim, duke theksuar se kërkesa për më shumë kohë lidhet me nevojën për një reformë të qëndrueshme dhe afatgjatë.
Ai argumentoi se produkti final duhet të ketë ndikim për 30-40 vitet e ardhshme dhe jo të përsëritet situata e reformës së vitit 2015, e cila pas një dekade kërkon rishikim.
Boçi kërkoi dëgjesa të gjera me banorët e zonave të interesuara dhe propozoi ngritjen e një sekretariati teknik për organizimin e tyre, në mënyrë që procesi të jetë transparent dhe të shmanget konflikti i interesit nga bashkitë.
Ai theksoi se opozita nuk ka tendencë për të vonuar apo sabotuar reformën, por synon një produkt të konsoliduar që të mos kthehet në një proces të përsëritur çdo dhjetë vjet.
Kalendari i punimeve u miratua me votat e mazhorancës dhe opozitës, duke përfshirë një shënim se ai mbetet i ndryshueshëm sipas kërkesave të palëve.











