Vitet ’60 përfshijnë dekadën e shumë ndryshimeve dhe revolucioneve. Apollo 11 u bë anija e parë kozmike që zbriti në Hënë, Akti i të Drejtave Civile i vitit 1964 u bë ligj, Vietnami ziente nga lufta, Beatle-s kishin përfshirë të gjithë botën, pilulat kontraceptive goditën tregun, dhe një kult i ri rinor, i njohur me emrin “Youthquake” kishte marrë “kontrollin” e pothuajse të gjithë fushave të jetës. Në mes të këtyre ndryshimeve politike e kulturore kaq dramatike u shfaq dhe një prej ikonave më të diskutueshme të kohës: minifundi.
Çuditërisht ekzistues që në kohët e lashta, kjo pjesë e vogël e seksi e rrobave është mishërim i disa nga paradokseve më interesante të kohës sonë, duke sugjeruar njëkohësisht edhe fuqizimin edhe dobësinë, pavarësinë, dëshirën për t’u kënaqur, një përpjekje mes mbulimit dhe zbulimit, maturimit dhe lojës, çlirimit dhe shfrytëzimit. Vëmendja u kthye aty se çfarë fshihej pas minifundit – këmbët e një femre.
Në fillime…
Lart në male, në disa nga fshatrat më të vjetër të Europës, arkeologët kanë zbuluar lodra në formë njerëzish që datojnë mes viteve 5400-4700 para Lindjes së Krishtit. Ajo çka dallohet tek këto lodra nuk është vetëm mosha e tyre, por edhe mënyra se lodrat femra shfaqen të veshura bukur me minifunde jo shumë ndryshe nga minifundet në modë gjatë viteve ’60. Kjo shtyn disa dijetarë të besojnë se minifundet ishin të zakonshme gjatë civilizimeve të hershme.
Fundet e fillim shekullit 20 dhe “mbjellja e farës së ndryshimit”
Ndërsa minifundet kanë ekzistuar aq kohë sa ka ekzistuar dhe civilizimi, ndoshta vetëm kohët e fundit kjo ka shkaktuar implikime të fuqishme politike e kulturore. Në mesin e viteve 1800, femrat në Europë dhe Amerikë besohej të ishin gjinia më e dobët. Politika, biznesi dhe aktiviteti fizik mund të ishin të rrezikshme për femrat, dhe korsetë e ngushta me funde të gjata e kufizuese pasqyronin këto besime në përgjithësi.
Pas Luftës së Parë Botërore, emancipimi i gruas dhe arratisja nga realiteti i pasluftës çoi në një stil të ri jetese. Fundet e femrave u rritën deri nën gju gjatë Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht për shkak të racionimit të detyrueshëm të pëlhurës gjatë luftës.
Pas përfundimit të kufizimeve në rroba në periudhën e gjatë luftës, femrat ishin gati të tregonin elegancën dhe feminitetin e tyre, dhe industria e modës promovoi “Lukun e Ri” të mishëruar nga Christian Dior. “Luku i Ri” ishte i sofistikuar dhe me veshje luksoze. Ndërsa Luku i Ri reflektoi vitet më të mira të konsumizmit që pasuan Luftën e Dytë Botërore. Po kështu edhe brezi i të ashtuquajturve “teddy boys” në Britani mbollën farën e ndryshimit dramatik gjatë viteve ’60.
Vitet ’60 dhe politika e minifundeve
Adoleshentët krijuan hapësirën e tyre politike dhe të modës
Para viteve ‘60, vajzat e reja kishin tendencën të visheshin me stilin e mamave të tyre, që ishte i bazuar në modën pariziane. Katalogë të vitit 1962 tregojnë nënat dhe vajzat e tyre që vishnin fustane identike. Stilisti anglez Sally Tuffin thoshte: “Nuk kishte shumë rroba për të rejat atëherë. Visheshin si nënat e tyre”. Megjithatë, pas viteve ’60, protestat e të rinjve dhe kërkesat për shprehje individuale zbuluan se ata po fitonin një vetëdije për veten e tyre si një grup i veçantë e i bashkuar që ishte i aftë t’i përgjigjej ngjarjeve politike në mënyra që ishin të ndryshme nga ato të prindërve të tyre. Të rinjtë mendonin se nuk ishte më e nevojshme të ndiqnin rregullat e moralit dhe të sjelljes borgjeze, të cilën ata e shihnin si hipokrite dhe të bazuar në standarde të dyfishta. Ndërsa ky entitet i ri politik fitoi zë, ata krijuan një hapësirë për një modë të re dhe të veçantë që mishëronin pikëpamjet e tyre politike – dhe jo të prindërve të tyre.
Minifundi si shprehje e feminizmit në vitet ‘60
Rritja e ndërgjegjësimit të feminizmit gjithashtu hapi rrugën për një modë të re tek femrat. Për shembull në vitin 1963, Friedman publikoi The Feminine Mystique ku prishte mitin e shtëpiakeve të lumtura dhe shprehte dëshirën e femrave për të eksploruar rolin e tyre. Vitet ’60 panë një ndryshim drastik të femrave, të cilat më vonë filluan të bëheshin pjesë e fuqisë punëtore e të hynin nëpër universitete. Kjo dekadë gjithashtu pa të ndërmerreshin ligje të reja që mbronin femrat e martuara dhe të divorcuara. Ndoshta më e rëndësishmja ishte ardhja e pilulës kontraceptive, që hoqi frikën e shtatzanisë dhe ndihmoi në revolucionin seksual. Imazhi i gruas kishte filluar të zhvendosej në mënyrë dramatike, nga të qenit një bashkëshorte dhe një nënë, në një femër të re, të pavarur, krenare për gjininë e saj dhe me vetëbesim në fuqinë e saj. Minifundi, do të shërbente si mjet, për të rritur fuqinë e gruas.
Një klasë e re konsumatorizmi
Gjenerata e re po rritej me një stil të ri rebelizmi dhe me më shumë para seç kishin pasur më parë. Të rinjtë u bën një klasë e re e fuqishme konsumatorizmi që kërkon një modë që t’i përshtatej shpirtit rinor. E gjithë struktura e sistemit të modës ishte e sfiduar nga të rinjtë nëpër rrugë. Stilistët filluan të kujdesen për tregun e ri të të rinjve, të cilët tani mund të blinin çfarë të dëshironin, si dhe për gratë që tashmë kërkonin të dukeshin si vajzat e tyre.
Nëna e Minifundit: Mary Quant
Kur një stiliste e re britanike e quajtur Mary Quant hapi butikun e saj Bazaar në vitin 1955 në King’s Road, Londër, ajo solli një revolucion të modës. Pa një trajnim të vërtetë në modeling, por me një ide të modës së përditshme në rrugë, ajo përfaqësoi një revolucion të veçantë në modë. Ajo filloi të shiste rroba që reflektonin idetë e të rinjve në atë kohë dhe që nuk kishin aspak të bënin me shtëpitë e modës së Parisit. Kur ajo shkurtoi fundin e saj në vitin 1965 me disa centimetra sipër gjurit, lindi kështu ikona e Minifundit. E titulluar sipas makinës së saj të preferuar, Mini, minifundi ishte një sukses i kohës për Londrën në mesin e viteve ’60: e lirë, energjike, e re, revolucionare dhe e pazakontë.
Lordi i Minifundit: Andre Courreges
Quant ndoshta meriton kreditet primare, por jo ato ekskluzive për minifundin. Një stilist francez gjithashtu “kapi” shpirtin e asaj epoke dhe bëri për Francën atë që Quant bëri për Anglinë. Ai ishte Andre Courreges. Ndërsa filloi të eksperimentonte me veshjet në fillim të vitit 1961, Courregese nxori minifundet e ardhshme që vinin sipër gjurit në fund të vitit 1964. Ashtu si Quant, edhe Courreges shokoi botën e modës. Por ndryshe nga Quant, ai prodhoi fundet e tij me më shumë maturi dhe sofistikim. Ndërsa Courreges më vonë deklaroi se ishte ai që i shpiku minifundet, Quant hodhi poshtë pretendimin e tij duke thënë: “Nuk isha as unë, as Courreges që shpikëm minifundin, por vajzat në rrugë”. Por pavarësisht shumë diskutimeve, Quant dhe Courreges, të dy morën kredite për ndryshimin social që sollën përreth tyre.
Minifundet njihen ndërkombëtarisht
Pozita influencuese e Quant në Londër dhe e Courreges në Paris, bëri që moda e minifundeve të kthehej në trend ndërkombëtar. Pranimi ndërkombëtar i minifundit erdhi edhe kur një modele e njohur, Jean Shrimpton shkaktoi një trazirë ndërkombëtare në fund të vitit 1965 kur kishte veshur një minifund, por pa kapele apo doreza gjatë një eventi në Australi. Ajo foto krijonte një kontrast të madh. Pas një vajzë të re, të bukur e të pavarur qëndronin një grup grash të veshur sipas modës së tyre të vjetër.
Aksesorët e minifundeve
Nuk ishte vetëm zemërimi moral që ndoqi shpikjen e minifundeve, por edhe aksesorët e modës gjithashtu. Këto aksesorë përfshinin veshje apo sende të ndryshme, që shkonin sa më shumë me minifundin. Por në fund të viteve 1960, minifundet bëheshin nga pëlhura të tejdukshme dhe materiale të tjera të lirshme, gjë që bëri që edhe të brendshmet të ishin një aksesor i ri i modës po ashtu.
Pamja e “Lolitës”
Ironikisht, minifundi gjatë viteve ’60 ishte pjesë edhe e imazhit të “vajzave të shkollës”, dhe në Londër u bë i njohur për përdorimin më së shumti të vajzave midis 15-20 vjeç. Të gjitha modelet në pasarela apo revista mode përdornin këto minifunde. Pamja e Lolitës ishte pothuajse kudo, dhe gruaja moderne e viteve ’50 ishte zëvendësuar nga vajzat e reja të Londrës me format e tyre fëmijërore dhe me “këmbë të gjata”. Edhe vetë, bashkëshorti i Mary Quant, Alexander Plunket Greene thoshte atëherë se “ekzistonin disa lloj ndjenjash pedofilie në atë kohë”.
Rënia e minifundeve në fund të viteve ’60.
Mania e minifundeve zgjati deri në fund të dekadës. Pas kësaj kohe, stilistët krijuan variacione të reja. Por pavarësisht krijimtarisë së shumtë, minifundi po fillonte të dilte jashtë modës. Me rritjen e dëshpërimit politik, moda u bë më pak nostalgjike dhe fundet shkuan përsëri deri në kyçin e këmbës në vitin 1969 në stilin e quajtur “maxi”, që ishte fundi më i gjatë që nga viti 1914. Megjithatë minifundi tregoi potencialin e femrës për të qenë më e çliruar.
Fundi i viteve ’70: Ringjallja e minifundit
Në fund të viteve 1970, lëvizja ‘punk’ bëri që të ringjallej disi rënia drastike e përdorimit të minifundeve, falë femrave rrokere si Debbie Harry, të cilat e shihnin si të përshtatshme veshjen e minifundeve në skenë. Personat ‘punk’ ishin të motivuar nga anti-moda, dhe përpiqeshin të shmangnin tendencat e zakonshme.
Vitet 1980 dhe 1990
Vitet ’80 dhe ’90 bënë një kthim tek figura e gruas në kontrast me periudhën e adoleshenteve gjatë viteve ’60. Por në vend që të zhdukej, minifundi u përfshi në një stil të ri, më të përshtatshëm për gratë. Personazhe televizive si Carrie apo Heather Locklear shfaqeshin tepër seksi, e të zgjuara nën minifund. Ato nuk konsideroheshin më veshje për adoleshentet, por edhe një tregues sofistikimi për gratë, që ishin në kontroll total të jetës së tyre.
Minifundet nëpër botë
Minifundet janë pranuar në botën perëndimore, megjithatë jo të gjitha vendet apo kulturat i kanë përqafuar fundet e shkurtra. Në shumë vende afrikane, minifundi është parë si ndikuese korruptuese e botës moderne. Në Tanzani në vitin 1968 një femër u qëllua me gurë për shkak të shkurtësisë së fundit, madje politikanët e këtij vendi thanë se përhapja e AIDS-it do të ndalej nëse gratë nuk do të vishnin më minifunde. Po në të njëjtin vit, një baba fanatik mysliman punësoi një vrasës me pagesë për të vrarë vajzën e tij 21-vjeçare sepse refuzoi të ndalonte së veshuri minifunde.
Minifundet e shekullit 21
Ndërsa minifundi është pritur me mosmiratime, e madje edhe dhunë, fundet e shkurtra nuk shfaqin shenja zhdukjeje. Përkundrazi, minifundi shihet akoma si një veshje e rëndësishme e pasarelave perëndimore dhe revistave të modës, dhe shpesh është më i shkurtër se kurrë. Kompania e celularëve Samsung prezantoi një celular të ri në vitin 2008 të quajtur “Miniskirt Season 2”, i cili i drejtohej femrave që i pëlqen të flasin, luajnë e dashurojnë. Pas gjithë zërave e kontradiktave, minifundi ende provokon, sfidon e tërheq vëmendjen si të meshkujve ashtu dhe të femrave.