• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Sunday, November 8, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Aktualitet

Milan Shuflaj, e vërteta historike dhe martirizimi i lirisë akademike në Evropë

by Skënder Asani
19/02/2026 19:36
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Shndërrimi fondit arkivor të Milan Shuflajt  në trashëgimi të mbrojtur të trashëgimisë kulturore dhe dokumentare evropiane do të përbënte një akt me rëndësi të shumëfishtë shkencore, identitare dhe diplomatike. Një nismë e tillë do të materializonte respektin institucional ndaj kontributit të tij në argumentimin shkencor të vazhdimësisë historike shqiptare dhe në ndërtimin e urave akademike midis botës shqiptare dhe asaj kroate, duke reflektuar njëkohësisht miqësinë tradicionale me popullin e Kroat.

Nga Prof.dr Skender ASANI

Në historinë e mendimit historiografik evropian për Ballkanin, figura e Milan Šufflay përfaqëson një pikë kthese epistemologjike ku albanologjia, arkivat evropiane dhe historiografia kritike ndërthuren në një projekt të përbashkët shkencor. Kontributi i tij nuk kufizohet në studimin e mesjetës shqiptare, por shtrihet në krijimin e një paradigme kërkimore që e vendosi historinë shqiptare në qendër të dokumentacionit arkivor evropian, duke e zhvendosur atë nga interpretimet ideologjike drejt analizës së burimeve autentike. Në këtë mënyrë, albanologjia u konceptua si pjesë e dijes evropiane dhe jo si një disiplinë periferike e studimeve ballkanike.

Hulumtimi i fondit arkivor të Milan Šufflay, i ruajtur në Arkivin Shtetëror të Kroacisë, dëshmon për një univers të gjerë dokumentar dhe metodologjik. Dorëshkrimet, skedat paleografike, korrespondenca shkencore dhe projektet e papërfunduara zbulojnë një ndërmarrje të madhe intelektuale që synonte të ndërtonte historinë e Shqipërisë mbi bazën e dokumenteve të kancelarive mesjetare dhe të arkivave të Vjenës, Budapestit, Venecias, Dubrovnikut dhe Romës. Ky rrjet arkivor e vendosi historinë shqiptare brenda qarkullimit të qytetërimit evropian mesjetar dhe argumentoi vazhdimësinë historike të elementit shqiptar në hapësirën ballkanike. Për mua personalisht, hulumtimi shumëvjeçar i këtij fondi ka qenë një përjetim i veçantë intelektual dhe emocional: prekja e drejtpërdrejtë e materialeve burimore, hulumtimeve shkencore, letërkëmbimeve dhe relacioneve origjinale me Tirana zyrtare krijon një ndjesi afërsie me procesin e ndërtimit të dijes historike dhe me përpjekjen për ta argumentuar historinë shqiptare mbi bazën e dokumentit autentik dhe metodës shkencore.

Botimi i veprës monumentale Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia shënon një kthesë metodologjike në studimet albanologjike. Përmes publikimit kritik të dokumenteve mesjetare, Šufflay dhe bashkëpunëtorët e tij e zhvendosën debatin historiografik nga narrativat politike drejt analizës së burimeve primare. Kjo ndërhyrje shkencore krijoi një standard të ri kërkimor dhe një kundërpeshë të fuqishme ndaj interpretimeve që mohonin kontinuitetin historik iliro-arbëror-shqiptar. Qytetet shqiptare, institucionet kishtare, rrjetet tregtare dhe marrëdhëniet diplomatike shfaqen në studimet e tij si pjesë e një sistemi më të gjerë civilizues evropian, duke rrëzuar konceptin e izolimit historik të shqiptarëve.

Një dimension i rëndësishëm i veprimtarisë së tij është dialogu me elitën intelektuale shqiptare të kohës. Korrespondenca me institucionet shtetërore të Mbretërisë Shqiptare dhe me Lumo Skendo dëshmon për përfshirjen e tij në projektin e hartimit të një historie të plotë të popullit shqiptar. Në këtë ndërveprim midis arkivave evropiane dhe mendimit intelektual shqiptar, albanologjia merr dimensionin e diplomacisë kulturore dhe të vetëdijes historike kombëtare.

Në planin metodologjik, Šufflay përfaqëson modelin e historianit-arkivist që ndërton narrativën historike mbi analizën kritike të dokumentit. Përdorimi sistematik i paleografisë, diplomatikës, kronologjisë dhe historiografisë krahasuese krijoi një standard të ri për studimet ballkanike dhe e bëri punën e tij një pikë referimi për albanologjinë moderne. Në një kuptim më të gjerë, veprimtaria e tij mund të lexohet si rezistencë intelektuale ndaj instrumentalizimit politik të historisë në Ballkanin e fillimit të shekullit XX.

Konteksti memorial i përvjetorit të vrasjes së tij në Zagreb në vitin 1931 e rikthen figurën e Šufflay-t jo vetëm si studiues, por si simbol të lirisë akademike evropiane. Atentati ndaj tij u perceptua si një goditje kundër dijes dhe kritikës shkencore, duke shkaktuar reagime ndërkombëtare, ndër të cilat spikat reagimi i Albert Einstein, i cili e ngriti këtë ngjarje në nivelin e një shqetësimi për fatin e intelektualëve në Evropë. Kujtimi i këtij akti dhune mbart një dimension emocional dhe etik: ai rikujton se kërkimi shkencor dhe mbrojtja e së vërtetës historike shpesh kanë kërkuar guxim intelektual dhe sakrificë personale.

Përvjetorët e atentatit, të përkujtuar nga komuniteti shqiptar në Kroaci dhe nga qarqet akademike, e kanë shndërruar figurën e tij në simbol kulturor të marrëdhënieve shqiptaro-evropiane. Kjo kujtesë kolektive e lidh albanologjinë me përgjegjësinë morale të shkencës dhe me rolin e arkivave në mbrojtjen e identitetit historik. Në këtë dimension, figura e Milan Šufflay tejkalon kufijtë e historiografisë dhe bëhet pjesë e ndërgjegjes akademike evropiane. Në vitet e fundit, pata nderin të marr pjesë në shënimin e këtij përvjetori, në prani të diplomatëve dhe autoriteteve zyrtare kroate, ku theksova se populli shqiptar i ka një borxh historik kësaj figure për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në argumentimin shkencor të autoktonisë së pandërprerë të shqiptarëve në trojet e tyre etnike. Ky kontribut mori peshë të veçantë në një periudhë kur po hartoheshin projekte dhe plane që synonin jo vetëm zhbërjen e historisë, por edhe zhdukjen fizike të popullsisë shqiptare nga hapësira e saj etnike një qëndresë intelektuale që ai e pagoi me jetën e tij. Në këtë kuptim, përkujtimi i tij nuk është thjesht një akt ceremonial, por një rikthim i vazhdueshëm tek e vërteta historike dhe tek përgjegjësia e shkencës përballë sfidave të kohës.

Në kuadër të bashkëpunimit shkencor evropian dhe të afirmimit të kujtesës historike si pjesë e diplomacisë kulturore, fondi arkivor i Milan Šufflay paraqet një pasuri të jashtëzakonshme dokumentare që tejkalon kufijtë kombëtarë dhe i përket njëkohësisht historisë së albanologjisë, historiografisë kroate dhe studimeve ballkanike në përgjithësi; për këtë arsye, shndërrimi i këtij fondi në trashëgimi të mbrojtur të trashëgimisë kulturore dhe dokumentare evropiane do të përbënte një akt me rëndësi të shumëfishtë shkencore, identitare dhe diplomatike. Një nismë e tillë do të materializonte respektin institucional ndaj kontributit të tij në argumentimin shkencor të vazhdimësisë historike shqiptare dhe në ndërtimin e urave akademike midis botës shqiptare dhe asaj kroate, duke reflektuar njëkohësisht miqësinë tradicionale me popullin e Kroat. Në këtë kontekst, themelimi i instituteve kërkimore ose qendrave studimore me emrin e tij në Tiranë dhe Zagreb do të përfaqësonte një model të avancuar të institucionalizimit të kujtesës shkencore dhe të bashkëpunimit ndërakademik, duke krijuar një platformë të përhershme për studime albanologjike, historiografike dhe arkivore. Njëkohësisht, kjo do të shërbente si një investim strategjik në ruajtjen e trashëgimisë dokumentare, në promovimin e kërkimit të përbashkët dhe në konsolidimin e dialogut kulturor shqiptaro-kroat, duke e vendosur figurën e Šufflay-t në vendin që i takon në hartën e institucioneve shkencore të Evropës Juglindore dhe në kujtesën kolektive të dy popujve.

Shkup, 19 shkurt 2026

Next Post
Hapte dyert e dritaret me krik makinash, arrestohet në Itali “skifteri” shqiptar, autor i 80 grabitjeve

Hapte dyert e dritaret me krik makinash, arrestohet në Itali “skifteri” shqiptar, autor i 80 grabitjeve

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Drejtuesit politik të PS, Andoni: PD në Fier e ka të vështirë! Me kandidimin jashtë liste, Rama i dha një mësim opozitës

Etnografia absurde e komunikimit Rama-Berisha?!

November 7, 2026
Sherr mes dy grupeve në Vlorë, policia qëllon me armë në ajër për të ndaluar një prej tyre! Shoqërohen të gjithë në Komisariat, s’ka të lënduar

Sherr mes dy grupeve në Vlorë, policia qëllon me armë në ajër për të ndaluar një prej tyre! Shoqërohen të gjithë në Komisariat, s’ka të lënduar

November 7, 2026
Një skandal dhe kapërcim shumë i madh ligjor, etik dhe deantologjik nga prokurorët Dado dhe Dumani

Pa popull me vete dhe shih si zihen…

November 7, 2026
“Të bashkohemi pavarësisht kundërshtive”- Berisha thirrje partive opozitare: E keqja e ka emrin Rama! Studentët dhe qytetarët…

“Të bashkohemi pavarësisht kundërshtive”- Berisha thirrje partive opozitare: E keqja e ka emrin Rama! Studentët dhe qytetarët…

November 7, 2026
“Pesë persona në spital, u tremba se…”- Zjarri në Lezhë, administratori i pallatit: Flakët nisën nga kati i parë, zjarrfikësit erdhën në kohë!

“Pesë persona në spital, u tremba se…”- Zjarri në Lezhë, administratori i pallatit: Flakët nisën nga kati i parë, zjarrfikësit erdhën në kohë!

November 7, 2026
“Nuk ka krim më të shëmtuar, e la vendin pa opozitë”- Avokati Beqiri: Berisha po saboton hyrjen e Shqipërisë në BE!

“Nuk ka krim më të shëmtuar, e la vendin pa opozitë”- Avokati Beqiri: Berisha po saboton hyrjen e Shqipërisë në BE!

November 7, 2026
Superliga/ Tirana fitore në “frymën e fundit” ndaj Teutës!

Superliga/ Tirana fitore në “frymën e fundit” ndaj Teutës!

November 7, 2026
“PD është kthyer në sekt berishian”- Meçe: Nuk mbledh dot as 500 vetë për të protestuar! Agjentura ruse pas dhunës në shesh

“PD është kthyer në sekt berishian”- Meçe: Nuk mbledh dot as 500 vetë për të protestuar! Agjentura ruse pas dhunës në shesh

November 7, 2026
“Islami radikal po copëton Evropën”- Netanyahu sulmon partitë arabe: Një qeveri e varur nga mbështetësit e terrorizmit do shkatërrojë Izraelin

“Islami radikal po copëton Evropën”- Netanyahu sulmon partitë arabe: Një qeveri e varur nga mbështetësit e terrorizmit do shkatërrojë Izraelin

November 7, 2026
“Mbetet krenari”- U la jashtë listës së Kombëtares, reagon Anis Mehmeti: Dua të sqaroj disa gjëra të pavërteta!

“Mbetet krenari”- U la jashtë listës së Kombëtares, reagon Anis Mehmeti: Dua të sqaroj disa gjëra të pavërteta!

November 7, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In