-Pse e them këtë? Sepse kam jetuar midis veteranëve të teatrit tonë që nga viti 1959 e jam një nga dëshmitarët e kësaj “vdekjeje të pazhurmë e tinëzare” të Ajkës së Artit tonë Kombëtar, thuajse në gjysmën e moshës së tyre, si therori dhe flijë e kushteve antinjerëzore, kur “gatuhej” arti i tyre i madh.
*Miho Gjini është autor shqiptar i 22 librave, i disa dramave të vëna në skenë dhe regjisori i suksesshëm.
Me dhimbje kam ndjekur “mbylljen e portave” të Teatrit Kombëtar, si edhe debatin nëse duhet mbajtur apo shembur godina ekzistuese e “Dopolavoros” që ngritën përkohësisht italianet 80 vjet më parë, për dëfrimin e ushtarëve të tyre! Në këtë dilemë të madhe që më pas, doli nga suaza e aktorëve e u politizua deri në ekstremin e vet, kam anuar nga logjika e ftohtë qe te kemi po aty TEATRIN E RI Kombëtar. Është mallëngjyese ta mbash atë si kujtesë, po, nga ana tjetër , më përtej, artistët tanë, që e themeluan atë si institucion artistik dhe interpretuan qindra e qindra role, i kanë mjeruar aty brenda sëmundjet e lagështira e tmerrshme, e cila ua ka “brrejtur” kockat dhe shkatërruar mushkëritë ngadalë-ngadalë. Unë e di, si gjithkush, se si ua ka shkurtuar jetën “kosa” e vdekjes, njërin pas tjetrit.
Pse e them këtë? Sepse kam jetuar midis këtyre veteranëve të teatrit tonë që nga viti 1959 e jam një nga dëshmitarët e kësaj “vdekjeje të pazhurmë e tinëzare” të Ajkës së Artit tonë Kombëtar, thuajse në gjysmën e moshës së tyre, si therori dhe flijë e kushteve antinjerëzore, ku “gatuhej” arti i tyre i madh. Ishte vërtet e habitshme se si përbrenda një mizerabiliteti kushtesh me “një cipë lustre sipër, bojë pas boje”, para një publiku tmerrësisht të apasionuar që zinte radhën gjatë natës për t’i parë e ngazëllyer me magjinë e artit të tyre, ata u bënë ikonat e artit shqiptar. Të kundërtat afroheshin në një harmoni rrëqethëse, që do të mbaronte, për fatin e keq, me ikjen e tyre nga kjo botë, njeri pas tjetrit.
Mihal Popi, që një gazetar i njohur italian i viteve 30 e ka quajtur “Komiku i Kryeqytetit Shqiptar” vdiq i pari, në mjerimin më të madh, pasi luajti në skenë Fallstafin e Shekspirit, me sforcime fryme, duke i dhënë regjisori Kujtim Spahivogli shtysa inkurajimi e force! Shpejtova të shkruaja një libër për të, për të arritur që “të mos shuhej qiriri” para se ta mbyllja kapakun e jetës e të krijimtarise së tij. Befas ai zuri krevatin para kohe, në kulmin e karierës së tij; nuk delte më nga shtëpia,dhe unë do ta gjeja në një nga ato karakatinat e vjetra që mbaheshin si më te mirat në Pazarin e Vjetër, me një tufë femijësh që i vinin rrotull, të shtrirë në një krevat druri, me brazda rrudhash të parakohshme në fytyrën e tretur nga gjithfarë soj sëmundjesh…Pasi i lexoja faqet e ketij libri në dorëshkrim, dëgjova rënkimin e tij te thellë. Ai po qante! “Nga i ke m’sue tan k’to gjana, or Adashi em?! Due me e pas nji k’tu, ke koka, kët’libër, para se me dekë!”, – tha Ai tek ngashëreu thellë shpirtit të vet… Po fati tragjik qe kundra për të tre Mihalët… Per Mihal Gjinin (ky qe po e shkruan këtë shkrim, i njohur me emrin Miho Gjini) të cilin e eleminuan nga skena publike dhe ia hoqë të drejtën e botimit, fill pas shfaqjes “Njollat e Murrme” në Festivalin e parë Kombëtar të Teatrove Profesioniste, bashkë me Mihal Luarasin, po edhe për Mihal Popin që do ta merrte Perëndia, tok me varfërinë e tij të tejskajshme, dhe me të qeshurat e “hidhura” që u la spektatorëve që e donin deri në përgjërim!.
Naim Frashërin, Aktorin që erdhi nga Lufta, e kisha komshi, mik dhe pedagogun tim. E doja shumë e po kaq edhe ai, tek më “hapte zemrën” edhe për gjëra që në atë kohë thuheshin me zë të ulët! Qe nga të parët që u shpall “HERO”, aktori partizan, me shtatin e bukur e te lartë, me atë zë të mëndafshtë, me ata sy që ndrisnin prej emocionesh të thella që u ngjanin ujëvarave. Po ishte i pari edhe për regjisorin rus Sergei Jutkevic, kur do t’i thoshte gjatë xhirimeve të rolit të Palit në filmin “Skënderbeu”, se “Ti Naim do të vdesësh herët, me tërë këto emocione të papërmbajtura!”, Sepse Naimi nuk dinte të interpretonte ndryshe, pa dhënë të gjithë bagazhin e ndjenjave të veta, që tek “Hamleti” do të arrinin kulme të larta dhe, pas shfaqjeve, kur shkonte në kabinën e tij të ftohtë, prej pupuliti, mbulohej nga djersët, që akullnoheshin po aty. Unë student i tij, që në shfaqje lozja figurantin që i shpinte kupën e helmit me urdhërin e mbretit Klaud, i magjepsur prej energjive te tij interpretuese, do të shihja e do të ndjeja edhe atë lodhje të jashtëzakonshme të këtij njeriu e artisti të madh,i cili do të shuhej pas pak vitesh, në kulmet e karrieres së tij. Librin per Naimin do ta mbaroja pas vdekjes së tij, në ditët e vitet e vështira të burgimit tim e do ta botoja, sa fitova lirinë time, kur Naimi nuk ishte më midis të gjallëve…..
Ndërkohë kishin “ikur nga skena”njeri pas tjetrit Besim Levonja, Loro Kovaci, Pjetër Gjoka, Marie Lagoreci, Sandër Prosi, Violeta Manushi, Besa Imami, Ndrekë Shkjezi, Ndrekë Luca, Mihal Stefa e me radhë, të cilët mblidheshin në dimër që të ngroheshin pakëz përreth një mangalli, duke pritur që të ndërroheshin aktet e tablotë e të vinte radha e tyre për të hyrë nëpër role, në atë zgafellë skene që e përlante era nga të katër anët e sidomos nga mbrapa krahëve të tyre, nga Ateljeja e Dekoreve. Kur e “ngritën këtë bina” të bukur nga jashtë, italianët kishin parasysh që të jepeshin filma e keshtu edhe u quajt:”Kinema Nacional” e as që e memdonin “zgafellen mbrapa”ku do te ngujoheshin, të loznin shfaqje breza aktorësh në tetë dekada më mbrapa, nëpër sajesa të tjera!Po do të më mbetej në mëndje vetëm Mihal Stefa, Mjeshtri i Madh i roleve të vogëla, që e kaloi edhe jetën e vet, në një shtëpi prej qerpiçi, andejë nga Varri i Bamit, fillikat i vetëm, si eskimezët, në tmerrin e skamjes e të varfërisë. Po edhe Besim Levonja që do të ngutej të hynte nën skenë, fill sa mbaronte tablonë apo rolin e vet, tek shtrati i topit që rrotullonte skenën, për të shkruar komeditë e tij, me cigaret e njëpasnjëshme që ndizte e i shuheshin në buzë, në atë mjedis të nëndheshëm që gjatë dimrave të egër mbushej me ujë deri në gjysmën e vet, pikërisht deri aty ku arrinin këmbët e Kadri Roshit,-Suflerit të parë të teatrit, para se ta ftonte regjisori Sokrat Mio të zëvëndësonte një rol tek “Revizori” i Gogolit, për të mos zbritur më në “arkivolin” e suflerit, deri sa të mbaronte karrierën, deri në lavdine e vet, ndofta i vetmi në jetëgjatësinë qe i dha Perëndia!.
I them këto se kam brengë në shpirt. Afërmendsh, unë e di se fati a fatkeqësia e njeriut nuk varet prej tij, ka një mori aktorësh. Edhe sëmundjet, vdekjet. Por nuk rri pa thënë se kushtet e skenës së Teatrit Kombëtar kanë qenë fare të papërshtatshme dhe është diskriminuese për jetë e “shenjtë” të aktorëve, krenarive tona kombëtare. Në këtë sens, mos vallë pati një fatbardhësi në shëndetin e karrierën e tyre, brezi i dytë i artistëve, që mbaruan Shkollën e Lartë të Aktrimit?! I pari u largua nga jeta një nga aktorët më të talentuar të teatrit e të kinematografisë tonë të re, Bexhet Nelku, i cili ishte nga të parët qe u pranua në organikën e Teatrit Popullor dhe mbeti sa rrojti nëpër skutat e kësaj “binaje”, duke mësuar monologje të panumërta dhe që priste të mbaronte shfaqja e t’i interepretonte në skenën e zbrazur, deri sa u shtrua në spital dhe u shua si njeri tepër herët!
Një femijë i vogël që vinte këtu pas së ëmes aktore, Margarita Xhepës, për ta parë nëpër prova e nëpër shfaqjet e saj të panumërta e mbresëlënëse, Ndricim Xhepa, vazhdoi shkollën e lartë të aktorëve po këtu e mbeti po këtu, një nga aktorët e rinj që zëvëndësoi aktorët e parë të heronjve e të dashnorëve, në teatër e në kinematografi, me një notë mjeshtërie të re, bashkëkohëse, u prek edhe ky artist i mrekullueshm nga mushkeritë e u dërgua me urgjencë të kurohej jashtë shtetit. U mplakën në këtë skenë aktorët e plejades së dytë Robert Ndrenika, Reshat Arbana, Luiza Xhuvani, Yllka Muja, Viktor Zhusti, Bujar Asqeriu, Timo Flloko e shume te tjerë, që interpretuan me sukses përkrah themeluesve të këtij teatri, po a e keni parë vallë se si u pasqyrohet lodhja prej super emocioneve, streseve e ngërçeve të kohës, të politikës (të re e të vjetër, që prekën dhe teatrin, me ligje e pa ligje?!), gjatë një tranzicioni tmerrësisht të gjatë…
Desh ZOTI, i kemi akoma ata, po ku është Agim Qirjaqi, ky elegant i paparë i artit, që u shua nga sëmundja e alzajmerit, me merakun e madh për një teatër të ri; ku është Roland Trebicka, profili i të cilit ishte e mbeti i pazëvendësueshm në teatrin tonë, njëlloj si edhe Bujar Lako i përkryer si aktor, që më thoshte se vinte nga dera e Frashërllinjve edhe ai, me po atë fat të mbrapsht si dhe ajo e Naimit, ndërkohë që edhe kishim, edhe s’kishim një godinë teatri për të qenë. Ku janë aktorët e klasës sime, të parët që e hapën Shkollën e Larte ,po pranë këtij teatri?. Janë shuar para kohe: Pas Bexhetit, Serafin Fanko, Donika Barçi, Albert Verria, Viktor Bruçeti……Kaloi në pension pleqërie, e dërmuar nga jeta, gati e venitur Edi Luarasi, Aishe Stari, Mimika Luca, Mario Ashiku..
Jeta e teatrit e Jeta e Artistit do kushte të përshtatshme për ta, për shëndetin, klimën e krijimit artistik, konfortin dhe për gjithë arsenalin e gjërë qe i duhen rolit. E çdo aktor duhet të ketë kabinën e vet, me të gjithë garderobën e rolit , si edhe me një personel ndihmës që t’i rrijë sidomos aktorit që ka “barrën më të rëndë” në shfaqje, në këmbë, që ai, aktori, të merret vetëm me shpirtëzimin e pesonazhit e me qetësinë e vet krijuese. Ne Teatrin Kombëtar të Greqisë në Athinë (i ndërtuar para 200 vjetësh nga Mbreti Kostandin, me të gjitha kushtet, mjediset e anekset përkatëse, qysh atëhere), unë vizitova pas shfaqjes së dramës të Artur Milerit “Pamje nga Ura” aktorin kryesor, mikun tim Jorgos Qimulis, i cili sa kishte dalë nga roli i Edi Karbones , 4 orë në skenë dhe i dërmuar nga lodhja e tij fizike dhe emocionale. I shtrirë në kanapenë e tij , ai kishte një masazhere që i shkrifëtonte muskujt e këmbëve dhe një tjetër që i fshinte djersët që i kullonin çurk e po i vishte një Rob de Shambër,që të mos ftohej. E sa më pa, më pyeti për Timo Fllokon, që e kishte parë, pëlqyer dhe bërë mik , me Edi Karbonen e lozur në Tiranë…
O ZOT I MADH! Aktorët tanë që gjithsesi mbeten të mëdhenj e të magjishëm me artin e tyre, nuk i “mori në qafë” salla e spektatorëve qe dukej e bukur e tashmë kujtohet ende me nostalgjinë e vet, po katastrofa e gjysmës tjetër, vend-qëndrimi e vend-krijimi i magjisë së artit te tyre, e cila nuk mund të riparohej dot më, vec të prishej e të ribëhej nga e para , dy-tri herë më e madhe e më e bollshme për artistët sa edhe salla e spektatorëve, që të zhdukeshin njëherë e mirë ato kthina e qymeze vdekjeprurëse!
Po duhet edhe qetësi e bindje, duhet respekt i madh për ata që na ikën e nuk na vijnë më, respekt edhe për ata pak njerëz e artistë të nderuar që mendojne ndryshe e që duan ta mbajnë këtë karakatinë me njëfarë nostalgjie. Po le të “vrasim mëndjen” që TEATRI I RI që parashihet të ndërtohet po në këtë vend, le të krijojë mundësira për ruajtjen e kësaj nostalgjie, me muzeun e teatrit brenda, me pavionet e kostumeve të roleve më të ndritshme, me reliket e rekuiziten e tyre… Le ta ndjejë veten më mirë, më qetë, më rehatshëm në krijimtarinë skenike, brezi i tretë i aktoreve, qe tani është në një lulëzim të paparë e nuk duam të ketë të njëjtin fat.
E rëndësishme për mua nuk është dhe aq ndërtimi i një ndërtese teatrore të bukur, funksionale e të madhërishme, sesa krijimi i një mendimi ndryshe për teatrin nga qeveria e parlamenti, me buxhete favorizuese e me ligje të forta, njëqind përqind në favorin e artistëve, që te mos duken më si gjynahqarë e të shtrijne duart për lëmoshë, sa herë që kërkojnë të bëjnë një shfaqje, apo një rol të pavarur dhe , së fundi , të mos shuhen edhe këta si ata të plejadës së parë, që u shuan herët e të plejadës së dytë, e varfanjakëve mjeranë, një pjesë e të cilëve janë ngujuar tek kolltukët e sallës së spektatorëve, së toku me disa qytetarë që e duan teatrin me shpirt, pa u prishur i vjetri.
Shfaqa një mendimin tim në këtë sherr të pazakontë, si më ngjan mua më mire, ashtu skundër ngjau dikur me një sherr akoma më të madh, kur po bëhej Rruga e Kombit e kur qindra njerëz, madje edhe specialistë, me e pa parti, ishin kundra si dhe mijëra të tjerë që ishin të behej. Dhe, më në fund, kjo veper u krye. Ajoështë sot një fitore për të gjithë shqiptarët. Besoj se kështu do të ngjasë edhe me Teatrin Kombëtar. Gjithë këtë sherrnajë do ta harrojmë kur të shohim Teatrin e Ri, që do na ofrojë kushte të shkëlqyera për të shijuar artin, teatrin e bukur. E di se edhe aktorët nesër, kur të luajnë në skenat e tij, mund të thonë: Teatër i bukur, modern, që na jep mundësinë të interpretojmë role të mëdha. / Shqiptarja.com