Shqipëria dhe Kuvajti gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyera dypalëshe, në të gjitha fushat, parlamentare, kulturore, sociale dhe të tjera. Me përfundimin e misionit diplomatik 4-vjecar të Ambasadorit të Parë të Shtetit të Kuvajtit në Republikën e Shqipërisë, Z. Najeeb A. Al-Bader, këto marrëdhënie kanë dëshmuar një zhvillim të thellë.
Pikërisht, në shenjë mirënjohjeje përkundrejt kontributeve të Shtetit dhe Ambasadës së Kuvajtit në Shqipëri si edhe punës konstruktive të Ambasadorit Al-Bader, Këshilli Bashkiak i Tiranës, miratoi vendimin e njësisë bashkiake nr. 2 për emërtimin “Kuvajt” të segmentit rrugor ku ndodhet Ambasada e Kuvajtit në Tiranë.
Kjo rrugë u përurua ditën e sotme në një ceremoni nën kujdesin e Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, dhe me prezencë të Kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, Ministrit të Transportit, Edmond Haxhinasto, Zëvendëskryetarit të Kuvendit, Shpëtim Idrizi, Zëvendësministrit të Jashtëm, Selim Belortaja dhe një numër deputetësh, ambasadorë dhe përfaqësues të trupit diplomatik si edhe miq të Ambasadës së Kuvajtit në Tiranë.









