Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta prezantoi të shtunë në Shëngjin kandidatin e Aleancës për Shqipërinë Europiane për kryetar bashkie, Viktor Tusha.
Në fjalën e tij para banorëve, Meta ftoi lezhjanët të votojnë me mençuri me 21 qershor, për t’i hapur rrugë zhvillimit të integruar të këtij qyteti.
Qyteti i Shëngjinit, nënvizoi Meta, përfaqëson resurse të jashtëzakonshme, jo vetëm për të rritur mirëqënien e komunitetit këtu, por edhe për të kontribuuar për zhvillimin e të gjithë bashkisë së Lezhës.
Kreu i LSI-së,Meta iu bëri thirrje banorëve të zgjedhin kandidatin e ASHE-së, Viktor Tusha, në mënyrë që ai të marrë detyrën e kryebashkiakut të ri të bashkisë së re të Lezhës. “Besoj se Viktori është njeriu i duhur që i duhet bashkisë së re të Lezhës për të nisur punë menjëherë në 22 qershor, pasi kjo bashki e re ka nevojë për zhvillim të shpejtë dhe këtë e mundëson me eksperiencën e duhur për administrimin e problemeve z. Tusha”, tha kreu i LSI-së, Meta.
Meta u shpreh se drejtimi i Bashkisë së re të Lezësh, kërkon partneritet me qeverinë, sepse pa bashkëpunimin e ngushtë është shumë e vështirë për të realizuar atë progres të nevojshëm, për të garantuar shërbime cilësore e njëkohësisht për të mundësuar investimet që përmirësojnë jetën e qytetarëve, punësimin për të gjithë ata që kërkojnë të ndërtojnë të ardhmen këtu.
Duke u ndalur në projekte konkrete, Meta tha se zhvillimi i turizmit do të jetë një prioritet i mbështetur fuqimisht nga qeveria. Po ashtu, sipas Metës, rikonstruksioni dhe zhvillimi i Portit të Shëngjinit është objektiv i rëndësishëm. Për këtë, ai informoi se në ditët e ardhshme do të rivihet, pas gati 10 vitesh ndërprerjeje, linja e tragetit Brindizi-Shëngjin, ndërsa premtoi se do të vendosen edhe linja të tjera që do ta kthejnë Shëngjinin në një port të rëndësishëm, jo vetëm për mallrat por edhe për pasagjerët e gjithçka tjetër.









