Në kuadër të vizitës në Dyseldorf, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta zhvilloi takime me komisionet parlamentare të çështjeve evropiane e ndërkombëtare dhe komisionit të ekonomisë së Landit të Westfalisë së Renit të Veriut. Gjatë këtyre takimeve u diskutua për progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian, situata e sigurisë në rajon dhe Evropë, kriza e refugjatëve dhe fushat e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Landit të Westfalisë së Renit të Veriut, veçanërisht në fushën e teknologjisë, energjisë dhe arsimit profesional.
Meta tha se reformat që Shqipëria ka ndërmarrë, veçanërisht reforma në drejtësi, do të krijojnë një klimë më të sigurt juridike për investimet e huaja dhe ftoi kompanitë e Landit të investojnë në Shqipëri, si një vend që ofron mundësi të mëdha. Nga ana e tij kryetari komisionit për çështjet evropiane dhe ndërkombëtare në Parlamentin e Landit të Westfalisë së Renit të Veriut, Nicolaus Kern në një prononcim për mediat pas takimit tha se Shqipëria ofron mundësi të mëdha për investitorët, sidomos në sektorin energjetik.
Kern u shpreh se Shqipëria mund të përfitojë shumë nga përvoja që ka Gjermania në këtë sektor dhe se disa kompani gjermane janë të interesuara për të bashkëpunuar në sektorin energjetik.
“Shqipëria është një vend i bukur dhe ofron mundësi të mëdha për zhvillimin e turizmit, por punët janë me perspektiva është mirë edhe në drejtim të sektorit energjetik. Dhe përsa i përket Landit të Westfalisë së Renit të Veriut, ne kemi një përvojë të mirë në sektorin energjetik dhe kjo është diçka pozitive. Mendoj se Shqipëria mund të përfitojë shumë nga përvoja që ka Landi ynë në këtë sektor”, – tha Kern, i cili u shpreh i gatshëm për të vizituar Shqipërinë vitin e ardhshëm.









