Presidenti Ilir Meta informon lidhur me takimin e mbajtur paraditen e sotme, me homologun e Kosovës, Hashim Thaçi.
Teksa ndan fotografi nga takimi, ai shkruan se, “Kënaqësi të takohesha sot me Presidentin e Republikës së Kosovës, z.Hashim Thaçi. Shprehëm gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit mes dy vendeve tona, me qëllim tejkalimin me sukses të pasojave social-ekonomike të pandemisë COVID-19, kthimin në normalitet të jetës së qytetarëve, dhe stabilizimin e plotë të lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave, veçanërisht me afrimin e sezonit veror turistik”.
Kreu i shtetit nënvizon se është me rëndësi vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi për normalizimin përfundimtar të marrëdhënieve mes këtyre dy shteteve, që do të garantojë jo vetëm njohje reciproke por edhe të ardhmen e tyre në BE.
Sipas tij, bashkëjetesa midis shqiptarëve e serbëve është në interes të paqes, stabilitetit dhe perspektivës europiane të rajonit tonë.
/a.r