Ministria e Arsimit u ka hapur rrugë disa profesioneve të caktuara që nuk kanë studiuar mësuesi të punësohen si mësues, çka ndezi zemërimin e këtyre të fundit.
Por nuk do ta kenë aq të thjeshtë sa mendohet. Të tjera detaje i shtohen udhëzimit për “Përcaktimin e diplomave universitare të njëvlershme, të ngjashme ose të përafërta me fushën e mësimdhënies”.
Kriteri i notës mesatare, 7.5, që aplikohet aktualisht për maturantët që garojnë për t’u futur në një degë mësuesie, do të jetë si kusht edhe për ekonomistët, inxhinierët, sportistët a artistët (të gjitha fushat në tabelën përbri shkrimit) që kryejnë një mini fakultet tre mujor për formimin psiko-pedagogjik në mësuesi. MAS ka bërë një shtesë në udhëzim ku e nënvizon një gjë të tillë. Mesatarja e kërkuar nuk është ajo e fakultetit, por e shkollës së mesme në momentin që aplikanti ka kandiduar për fakultet.
“Për t’u regjistruar në programin përkatës të studimit të formimit të vazhduar në fushën e psiko-pedagogjisë, kandidatët duhet të plotësojnë kriterin e notës mesatare, të përcaktuar për ciklin e parë të studimeve, të vendosur për pranimet në programet e ciklit të parë, të cilët japin akses në programet e ciklit të dytë në fushën e mësuesisë, i cili ka qenë në fuqi në vitin akademik në të cilin kandidatët kanë filluar studimet e ciklit të parë ‘bachelor’, si dhe për gjithë kandidatët e tjerë që nuk kanë ndjekur këtë kategori programesh studimi të ciklit të parë, sipas fushave të përcaktuara në aneksin nr.1, por duan të ndjekin programin e formimit të vazhduar”, nënvizohet në udhëzimin nr. 7, të firmosur nga ministrja në datë 06.03.2023. Profesionistë të një nga fushave në tabelë përbri, të cilët nuk gjejnë dot punë në profesionin e tyre, kanë një shteg të lirë për t’u rekrutuar në mësuesi.
Nuk nevojitet asnjë master profesional apo licencë, por vetëm një semestër shkollë për t’u pranuar si kandidatë potencialë në mësuesi. Diçka që mësuesit aktualë e kanë shumëfish më të vështirë. Për këtë, ministria ka menduar hapjen e një programi studimi e formimi të vazhduar në fushën psikopedagogjike.
“Programet e studimit të formimit të vazhduar në fushën psiko-pedagoggjike ofrohen nga institucionet e arsimit të lartë që kanë programe studimi të ciklit të parë dhe të dytë në fushën e mësuesisë, në përputhje me përcaktimet e ligjit nr.80\2015 ‘Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë’.
Programet e studimit të formimit të vazhduar në fushën psiko-pedagogjike organizohen me jo më pak se 30 kredite dhe me kohëzgjatje normale një semestër”, citohet në udhëzimin e firmosur në gjysmë të muajit shkurt të këtij viti.
Për profesionistët e fushës, kjo është një shkelje e hapur e portalit “Mësues për Shqipërinë”, nga i cili rekrutohen sot mësuesit në bazë të meritokracisë. Me udhëzimin e fundit, mund të futen si mësues persona të fushave të ndryshme, ndërkohë që mësuesit e mirëfilltë që kalojnë të gjitha fazat mbesin në garë për një vend pune.
Duke iu referuar tabelës në shkrim, një fizikant mund të jetë edhe mësues fizike nëse ndjek semestrin psiko-pedagogjik. Po ashtu, edhe një historian, një muzikant, ekonomist, sportist apo informaticien.
Do të jenë universitetet ato që ofrojnë edhe këtë semestër, krahas të tjerave, por duhet të bëjnë kërkesë për të ofruar këtë shërbim duke bërë gati një listë me gjashtë dokumente: propozimin e njësisë bazë, vendin e senatit akademik dhe bordit, planin mësimor dhe lëndor, rregulloren e pranimit, listën e personelit akademik që do të angazhohet bashkë me dosjet përkatëse të secilit prej tyre.
/e.d