Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu i është drejtuar Kongresit Amerikan, duke kërkuar të forcojë mbështetjen për luftën në Gaza. Ai tha se kishte një “përplasje midis barbarizmit dhe qytetërimit” në Lindjen e Mesme.
“Që forcat e qytetërimit të triumfojnë, Amerika dhe Izraeli duhet të qëndrojnë së bashku. Sepse kur qëndrojmë bashkë, ndodh diçka shumë e thjeshtë: ne fitojmë, ata humbin”, tha Netanyahu.
Ai kujtoi sulmet e Hamasit të 7 tetorit, kur 1200 njerëz u vranë dhe 251 të tjerë u morën peng, duke e quajtur atë një ditë që “do kujtohet gjithmonë si ditë turpi”. Kryeministri Netanyahu u zotua të kthejë pengjet e kapur nga Hamasi gjatë sulmit të 7 tetorit në Izrael.
“Dhimbja që kanë duruar këto familje është e pafjalë. Dje u takova sërish me ta dhe u premtova këtë: Nuk do të pushoj derisa të gjithë të dashurit e tyre të jenë në shtëpi. Të gjithë ata. Jemi angazhuar në mënyrë aktive në përpjekje intensive për të siguruar lirimin e tyre. Unë jam i sigurt se këto përpjekje mund të kenë sukses“, tha ai.
Netanyahu falënderoi Presidentin Joe Biden për mbështetjen ndaj Izraelit pas sulmit të Hamasit.
“Falënderoj Presidentin Biden për mbështetjen e tij të përzemërt për Izraelin. Pas sulmit të egër të 7 tetorit, ai me të drejtë e quajti Hamasin ‘të keqe të plotë’. Ai dërgoi dy aeroplanmbajtëse në Lindjen e Mesme për të penguar një luftë më të gjerë dhe ai erdhi në Izrael për të qëndruar me ne gjatë orëve tona më të errëta, një vizitë që nuk do të harrohet kurrë”, tha Netanyahu.
Ai sulmoi edhe Iranin, duke ekonsideruar si “bosht terrori” në Lindjen e Mesme, me të cilin tha se po përballet Amerika dhe Izraeli.
“Miqtë e mi, unë kam ardhur këtu sot sepse, si kryeministër i Izraelit, ndjej një detyrim të thellë t’ju flas për një çështje që mund të kërcënojë mbijetesën e vendit tim dhe të ardhmen e popullit tim”, tha ai.
Netanyahu nuk la pa kritikuar as protestuesit kundër luftës dhe pro-palestinezëve, duke i quajtur ata “anti-izraelitë” dhe duke thënë se “ata duhet të kenë turp nga vetja”.
“Qartësia fillon duke ditur dallimin midis së mirës dhe së keqes. Megjithatë në mënyrë të pabesueshme, shumë protestues kundër Izraelit, shumë zgjedhin të qëndrojnë me të keqen. Ata qëndrojnë me Hamasin. Ata qëndrojnë me përdhunuesit dhe vrasësit. Këta protestues qëndrojnë me ta. Ata duhet të kenë turp nga vetja. Ata refuzojnë të bëjnë dallimin e thjeshtë midis atyre që synojnë terroristët dhe atyre që synojnë civilët, midis shtetit demokratik të Izraelit dhe banditëve terroristë të Hamasit”, tha Netanyahu.
Akuzat se izraeliti është i përfshirë në gjenocid kundër palestinezëve në Gaza, Netanyahu i konsideroi si “shpifje të egra”.
“Shpifjet e egra që e përshkruajnë Izraelin si racist dhe gjenocid kanë për qëllim të delegjitimojnë Izraelin, të demonizojnë shtetin hebre dhe të demonizojnë hebrenjtë kudo”, tha ai.
Mijëra protestues janë mbledhur jashtë ndërtesës së Kapitolit në Uashington, duke kërkuar një armëpushim të menjëhershëm në Gaza, si dhe duke kërkuar që vetë Netanyahu të arrestohet.
Disa ligjvënës të Partisë Demokratike e kanë bërë të qartë kundërshtimin e tyre ndaj fjalimit të Netanyahut dhe nuk kanë marrë pjesë në seancë
Fjalimi i Netanyahut vjen nëntë muaj pas fushatës së Izraelit në Gaza. Më shumë se 39.000 njerëz janë vrarë në Gaza, sipas ministrisë së shëndetësisë së Hamasit./BBC